Para 50 vjetëve: Censura pas Apollo 11

Tuesday, 02 July 2019 17:46

Urdhri i prerë pas Apollo 11, më 20 korrik 1969:  Asnjë fjalë për fluturimet kozmike, sepse “glorifikojmë imperializmin amerikan”

Nga Qemal SAKAJEVA

Janë të pakta ato vdekje që, si në emërues të parbashkët, prekin zemrat e të gjithëve.  Astronauti amerikan Neil Armstrong, ky Njeri i Hënës, që Hëna edhe mund të ishte bërë varr i tij, por që ndërroi jetë vetëm në moshën 82-vjeçare, më 25 korrik 2012, padyshim mbetet fytyra që na shpërfaqet sa herë çojmë kryet kah kupa  qiellore dhe vështrimi rrok satelitin tonë. Ne, tokësorët e tjerë, kush me  tepri  e kush më i përmbajtur, ndodh edhe të vetëlavdërohemi, për ku kemi shkuar e për ç’kemi parë. Kurse, Armstrong,  heroi i madh i shkencës, legjendë e guximit njerëzor, pas kthimit në Tokë e deri në fund të jetës, mbeti  aq  modest sa që, misionin e jashtëzakonshëm e shndërroi në thjeshtësi të  qytetarit  gati të padukshëm, çka shpesh na ka shtyrë të pyesnim:  Ku gjëndet Armstrong? Pse rri larg ekraneve, të cilat mbushen edhe mërzitshëm nga të tjerë, që nuk thonë gjë por duan të duken, për të treguar se janë?

Pas lëshimit në hapësirë të Sputnik 1, dhe fluturimit të kozmonautit  Juri Gagarin, Bashkim Sovjetik u vendos një hap përpara amerikanëve. Kjo, në Shqipëri, u interpretua thekshëm si  epërsi e ideologjisë  marksiste- leniniste dhe sistemit  socialist  mbi ideologjinë borgjeze dhe sistemin kapitalist. Ato minuta, kur Gagarin rrotullohej përreth Tokës, në shkolla shqiptare nxënësit u nxorrën përjashta, të vështronin qiellin, a thua se, me këtë,  kishte ngjarë si nëpër dollitë e marksistëve fanatikë: ”Komunizëm gjithë Bota!” Por, gjatë Luftës së Ftohtë, gara e nxehtë e armatimeve mes SHBA dhe BRSS, formën më paqësore e shprehu  në fluturimet kozmike.  Satelitët e ndritshëm  shquheshin qiellit, sidomos netëve të verës diku në fshatra të terrtë, ashtu përzjerë me prushin e  yjeve, dhe në dallim me ta, duke lëvizur në ngutje përreth Tokës. Kjo i pati rrëmbyer mendjet e kureshtarëve dhe të atyre që dëgjonin në fshehtësi radiot e huaja, që kundrimin e lirë të Gjithësisë,  ta shndërronin në zakon, edhe pse nuk dinin rreth përparimit  gjigant të shkencës, me  raketa e astronautë,  teknologji të lartë e aftësitë të pazakonta, thuajse përtej njerëzores. Por, 20 korriku i vitit 1969, kur Neil Armstrong,  i pari njeri që vuri këmbën në truallin e Hënës, kur Buzz (Eduard) Aldrin e pasoi vetëm 18 minuta më vonë, ndërsa Michael Collins sillej i vetmuar përqark trupit qiellor, domosdo edhe nga ana e padukshme e saj, në pritje për t’i marrë të dy kolegët e së bashku të ktheheshin në Tokë, amerikanët e përmbysën në mënyrë spektakolare avantazhin sovjetik, dolën në krye asisoj sa  bota mbajti frymën. 

Por nuk pati një porosi të dytë për shkollat  shqiptare, që t’i nxirrnin nxënësit e studentët përjashta, të vështronin kah Hëna, sepse mbi  truallin e saj çapitej amerikani Armstrong, njeriu i parë nga Toka. Gjithësesi pati një urdhëresë. Pas Apollo 11, pas njeriut të parë në Hënë, pas lajmit gojor se, Armstrong  me të zbritur në Tokë kishte kërkuar së pari të shkonte në Kishë - Shqipëria komuniste u përfshi “në garën e kozmosit”, në mënyrën më të marrë. Nëse amerikanët e sovjetikët lëshonin raketa e nisnin njerëz në hapësirë, komunizmi shqiptar që kishte dy armiq - Amerikën dhe Fenë - ndërmorri diçka të atillë sa brezave të  mëpasëm nuk do t’ua rrokë truri: ndërsa zbritja në Hënë u përjetua si  habia më madhështore  njerëzore, ndalimi shqiptar qe marrëzia  ideologjike më e padëgjuar. Pas Apollo 11, kryeredaktorët e gazetave dhe revistave, u thirrën në ndërtesën  hijerëndë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, sidomos ato që botonin lajme dhe shkrime nga fusha e shkencës. Ata, me t’u kthyer nëpër zyra, i mblodhën përgjegjësit dhe gazetarët, që të përcillnin urdhrin. Ashtu pati bërë dhe kryeredaktori i gazetës “Zëri i rinisë”, me prirje kurajoze brenda politikës së botimit, për të dhënë  diçka të re. Por, atë ditë, edhe ai ndjehej i ndaluar dhe komunikoi shkurt: ”Me porosi të drejtpërdrejt të shokut Enver, nuk do të botohen më lajme për fluturimet kozmike dhe për arritje të tjera të shkencës, sepse duke i propaganduar ato, ne glorifikojmë imperializmin amerikan”. Vetëm aq qe komunikimi i urdhërit të prerë, madje duke përdorur fjalën e shprehur nga vetë Diktatori- glorifikojmë,  dhe jo fjalët shqipe, mburrim apo lavdërojmë.

Asnjë lajm nuk pipëtiu më për Apollo-t që pasuan, kush ishin zbritësit e tjerë në Hënë, përveç  shurdhimit  me zhurmën e revolucionit tekniko-shkencor shqiptar,  prodhimit të karrocerisë së autobuzit,  sajimit të  një pajisjeje që kursente benzinë te kamionët, a thua se inxhinierët dhe konstruktorët e makinave moderne ishin të pazotë, se plugoheshin lartësitë e mëdha të maleve për të mbjellë patate dhe gjëma e luftës së klasave, të zezën e së cilës ideologjia e zbardhte me propagandë  si të qe paqë. Shqipëria fitoi garën e ndalimit të lajmit: siç qe  e vetme në botë për ndalimin e fesë,  e vetme në botë u bë edhe me censurën e lajmeve për fluturimet kozmike. Apollo-t shkonin në Hënë e ktheheshin në Tokë, por lajmet për to as nuk ceknin në “Planetin Shqipëri”, veç rrëshqisnin tërthorazi, përmes radiove të huaja. Kloni kufitar tokësor kapte dhe i përdhoste viktimat që përpiqeshin të iknin, kloni  i censurës qe po aq i pranishëm dhe me pasoja dramatike.

Apollo 11 në Hënë, më 20 korrik 1969, dhe vdekja e Armstrong më 25 korrik 2012, gjithmonë do t’ua kujtojnë shqiptarëve  urdhrin e  ndalimit të Diktatorit, që i nxiti fanatikët deri edhe të thurnin lajmin-thashethem: Armstrong  nuk ka zbritur vërtetë në Hënë, ajo që shohim është sorollatje e tij nëpër  laboratoret e sofisitikuara  amerikane.

Hiri i eshtrave të Neil Armstrong, këtij Heroi të Njerëzimit, është shpërndarë në Oqeanin Atlantik. 

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...