Shqipëria, Kosova, Turqia dhe kapja e shtetit

Premte, 16 August 2019 15:37

Kapja e shtetit dhe kapja e kujtesës

Nga Veton Surroi – 

1.

Antropologu dhe shkencëtari politik amerikan James C. Scott ka një fjali që mund ta përdorin këtë javë shqiptarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës: “Disavantazhi kryesor i monumenteve dhe teksteve të shkruara është saktësisht qëndrueshmëria e tyre relative”. Fjalinë e lexova në një elaborim brilant të John Mersheimer (një shkencëtari të njohur amerikan) mbi ndërtimin e identiteteve të kombeve. Në të theksohet se momenti i kthesës në ndërtimin e identiteteve është ai i shpërndarjes së përgjithshme të lexim-shkrimit (në shekullin XIX), me të cilin nuk është e mundur më që të improvizohet rrëfim pas rrëfimi storia e identitetit të një kombi. Një herë i shkruar (apo/dhe i skalitur me monumente) , rrëfimi për kombin do të qëndrojë në pandryshueshmëri për një kohë të gjatë.

Shqiptarët i bashkoi kjo verë me një monument dhe një tekst të shkruar dhe që të dyja kanë të bëjnë formalisht me relacionin që kanë dy shtetet, Shqipëria dhe Kosova, me pushtetin e sotëm të Republikës së Turqisë.

E para filloi Kosova. Presidenti i vendit më 2018 angazhoi strukturat e shtetit që të rrëmbejnë gjashtë qytetarë të Republikës së Turqisë me të drejtë qëndrimi në Kosovë (e të mbrojtur nga ligjet e Kosovës) dhe që ashtu – të rrëmbyer – t’ua dorëzojë agjentëve të shërbimit sekret turk të ardhur për këtë punë me aeroplan special në aeroportin e Prishtinës.

Pastaj vazhdoi Shqipëria, duke inauguruar në Parkun e kryeqytetit një monument viktimave të puçit ushtarak kundër presidentit Erdogan në korrik të vitit 2016.

Rreth rrëfimit të përbashkuar, pushtetet e shqiptarëve në të dyja anët e kufirit treguan afërsi ndaj pushtetit të Turqisë. Kosova është në gjendje që të rrëmbejë qytetarë dhe të shkelë ligjet e veta që këta qytetarë t’ua dorëzojë pushtetit të Turqisë, ndërsa Shqipëria është në gjendje që të lërë një hapësirë të veten për kujtesën kolektive (sepse këtë gjë e bëjnë monumentet) ashtu siç e do pushteti i sotëm i Turqisë.

2.

Ekziston një kurth i thjeshtë interpretues për veprimet e pushteteve në Kosovë dhe Shqipëri dhe ai quhet neootomanizëm. Pra, Kosova rrëmben qytetarë turq dhe Shqipëria vendos monument për viktimave të puçit, sepse pushtetarët në të dyja vendet kanë afinitete neootomane. Sipas këtij interpretimi (dhe gjithnjë në kontekstin e Mersheimerit se po bëhet fjalë për rrëfime që ndërtojnë identitetin e kombit) , shtetet apo shoqëritë ku u krye rrëmbimi apo ndërtohet monumenti kanë një lloj sentimenti neootoman.

Më duket se një interpretim i këtillë nuk do t’i afrohej së vërtetës. Me sa i njoh kryeministrin e Shqipërisë dhe kryebashkiakun e Tiranës, janë larg çfarëdo tërheqjeje neootomane, qoftë edhe si batutë rituale. Për më tepër, motori socio-ekonomik dhe ideologjik i Shqipërisë pas rënies së komunizmit është “edhe ne si e gjithë Evropa”, e jo “edhe ne si Anadolli”. Ndërsa, me sa njoh presidentin e Kosovës, ai ka afinitet për neotomanizmin sa edhe për secilën ideologji a veprim politik që atij mund t’i krijojë favore personale në para, imazh dhe siguri azili (në kuptimin e mbrojtjes nga ndjekja ligjore). Pra, nuk është i përcaktuar për të qenë neootoman, siç nuk është i përcaktuar të jetë proevropian apo pro-NATO. Për dallim prej tij, animi i shumicës dërrmuese të popullatës në Kosovë është i përcaktuar qartazi për Perëndim.

Shqiptarët – ndonëse pushtetet e tyre mund të bëjnë gjeste favori ndaj pushtetit të sotëm të Turqisë – nuk janë neootomanë. Por atëherë çka janë nëse në emër të tyre bëhen këto gjeste? Çka po flitet (me monumentin dhe me rrëfimin për rrëmbim) për identitetin e tyre kombëtar?

3.

Në Kosovë rrëfimi për rrëmbimin e gjashtë turqve nuk është rrëfim për neootomanizëm, por është rrëfim për kapjen e shtetit. Në atë rrëfim presidenti i vendit ka mundësi që jashtë zinxhirëve komandues dhe kufizimeve të qarta ligjore të urdhërojë rrëmbimin e gjashtë qytetarëve të mbrojtur nga ligjet e Kosovës dhe t’ua dorëzojë –si të rrëmbyer- përfaqësuesve të një shteti tjetër. Avioni që i ka marrë të rrëmbyerit ka mundur të ketë sjellë paraprakisht një valixhe me para, një letër të vulosur me të cilën i garantohet presidentit të vendit azil politik dhe liri disponimi me paratë e deponuara atje apo vetëm një buzëqeshje të madhe falënderimi prej popullit vëlla turk, por kjo nuk e bën veprimin e presidentit të vendit neootoman. E bën shkelje të rëndë kushtetuese në rang të shkeljes së sovranitetit të vendit dhe e tillë do të ishte po qe se qytetarët e rrëmbyer të ishin kanadezë, koreanë apo kolumbianë.

Ky rrëfim, për kapjen e shtetit, ka vazhduar tej vitit të kaluar dhe me përkrahje kritike të pranisë diplomatike në Kosovë është arritur që të tregohet se si në Parlamentin e Kosovës ekziston fuqia për të evidencuar tërë shkeljet e bëra kushtetuese e ligjore. Për më tepër, është arritur – ndonëse me jo pak ndihmë diplomatike ndërkombëtare – që raporti për rrëmbimin e gjashtë qytetarëve turq të miratohet si Raport i Kuvendit të Kosovës.

Cili është pra rrëfimi identitar, ai që bëhet nga “disavantazhi i teksteve të shkruara”? Se Kosova është shtet i kapur në të cilin nuk ekziston garancia për mbrojtjen e të drejtave individuale njerëzore dhe se njëkohësisht ekziston një përpjekje e një pjese të shoqërisë për ta dokumentuar këtë. Pra, që është një shtet i kapur për të cilin tashmë të gjithë e dimë se është, por ende nuk ekziston forcë e mjaftueshme institucionale e politike për ta shkapur.

4.

Atëherë, cili është rrëfimi i Tiranës me monumentin e viktimave të puçit turk të vitit 2016? Nëse ky është instrument kujtese (dhe ndërtimi identitar), çfarë është ajo që duhet t’ia tregojë babai të bijës kur ta vizitojnë këtë monument më 2039? Çfarë duhet të kuptojë e bija njëzetvjeçare, e lindur sot, për shoqërinë në të cilën e sollën prindërit e saj?

Përgjigjja e parë dhe e thjeshtë është se ky monument nuk ka të bëjë me mbamendje. Turqia ka pasur një seri puçesh ushtarake, prej vitit 1960 e këtej, ndërsa ky fenomen i puqeve qe pjesë e rrëfimit të Luftës së Ftohtë në Botën e Tretë, në Amerikë Latine, Azi dhe Afrikë. Monumenti ka mundur të jetë për viktimat e puçeve ushtarake gjithandej botës, por nuk është. Ka mundur të jetë edhe monument për viktimat e të gjitha puçeve në Turqi, prej kryeministrit të vrarë Menderes më 1960 e deri te ushtari Mehmet më 2016, por nuk është. Është monument për viktimat e puçit, por vetëm për viktimat e atyre që u vunë (me të drejtë) në mbrojtje të rendit kushtetues. Pra, nuk është monument as për viktimat e puçit, sepse viktima qenë edhe ata ushtarë që besuan se duhet ta rrëzojnë rendin kushtetues. Për më tepër, viktimizimi me puçin qoftë si shkak, qoftë si shkas po vazhdon me përndjekjen e qytetarëve të Turqisë gjithandej, përfshirë edhe rrëmbimin në shtete të tjera, siç u bë në Kosovë. Shikuar kështu, monumenti në fund bëhet tregues i një banaliteti: aftësisë së një pushteti të fuqishëm të huaj që të instalojë në Tiranë rrëfimin e vet historik.

Dhe gjëja e fundit që duhet të brengosë është neootomanizmi, sepse ai nuk e ndërtoi monumentin (lapidar). Këtë e bëri kapja e kujtesës. Nëse në Tiranë mund të ngrihet një lapidar i këtillë, çfarë arsye morale apo juridike duhet të pengojë ngritjen e lapidarëve të tjerë, të cilët do t’i ngrenë njerëzit apo grupet që në një moment kanë fuqi? Nëse nuk ka kriter për kujtesë kolektive, të simbolizuar në monument, atëherë çdo gjë që na bie në mend do të vlejë të përkujtohet në lapidarë e monumente: viktimat e “Malaysian airlines” të goditur nga një predhë ruse mbi Ukrainë (e që kanë aq lidhje me Shqipërinë sa edhe viktimat e puçit të Turqisë) , viktimat e trafikut në rrugën Milot-Rrëshen gjatë periudhës 1999-2019 apo heronjtë e panjohur të skafeve dhe të kontrabandës me narkotikë që krijuan mjetet e nevojshme financiare për të ndihmuar industrinë e hotelerisë dhe ndërtimit?

Më 2039, vajza e cila do të kalojë me babanë te lapidari i viktimave turke do të kuptojë se pushteti i Shqipërisë ia kishte një borxh pushtetit të Turqisë, një borxh të cilin nuk e shpjegoi ndonjëherë. Dhe për ta shpaguar, zaptoi një pjesë të kujtesës, atë që qytetari i Shqipërisë ka menduar se kishte mbrojtje – se diku do të ekzistonte një rregull, rend, ligj, një institucion që do ta mbronte – dhe që tash po e kupton se është një hapësirë që i ka mbetur ta mbrojë ai vetë.

© KOHA

Modifikuar më Saturday, 17 August 2019 10:09
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...