Pse shqetësohen shqiptarët me emërimin e  Matthew Palmerit?

Diel, 01 September 2019 20:47

Është vërtet e rëndësishme sidomos për faktorin shqiptar në Ballkan kur vëmendja amerikane kthehet në këtë rajon të trazuar. Shqiptarët kanë pasur dhe do të kenë gjithnjë pro amerikanizmin si një vokacion të brendshëm dhe të natyrshëm euro-atlantizmin si një drejtim të pakthyeshëm. Prosperiteti i tyre dhe e ardhmja e tyre varet pikërisht nga kjo çështje. Vitet e fundit qeverisja e sektit të rilindjes në politikën e  saj të jashtme ka çeduar në këtë çështje.  Para disa ditësh u dha lajmi që Departamenti i Shtetit ka emëruar si të dërguar të posaçëm për Ballkanin Matthew Palmer. Gjithnjë në çështje të tilla nevralgjikë, politika e jashtme amerikane është treguar e kujdesshme sidomos në çështjet e konfliktit të interesit. Shqiptarët në Kosovë dhe Shqipëri janë pak të shqetësuar nga ky emërim, pasi këtu ka një konflikt interesi, bashkëshortja e zotit Palmer është serbe.

Në Shqipëri me zotin Palmer për herë të parë kemi ndërhyrjen e një zyrtari të Departamentit te Shtetit në interpretimin e njëanshem të një dekreti të Presidentit të Republikës. Një precedent jo i ndeshur më parë dhe në raste të tjera krizash të thella. Askush nuk ka ndërhyre me çështje konsullore apo me caktimin e datës së zgjedhjeve.

Nuk kemi aspak ndërmend të bëjmë analiza të tipit nacionalist por dihen influencat e marrëdhënieve të tilla që mund të diktojnë çështje të rëndësishme në vazhdimësi. Është me rëndësi të theksohet se zoti Palmer nuk është i dërguari special i Presidentit të Shteteve të Bashkuara. Ky është një diferencë me personalitete të larta të politikës amerikane siç ka qenë ambasadori Holbrooke. Gjatë fushatës së tij elektorale dhe mandatit të tij të parë Presidenti Trump e shprehu hapur si një nga shinat kryesore të presidencës së tij që do të luftonte kundër establishmentit të vjetër dhe nuk la pa përmendur filantropin Xhorxh Soros. Gjithashtu ai në tetor të vitit 2018 deklaroi se kishte të dhëna që fluksi i emigrantëve financohej nga Xhorxh Soros.

Tharja e kënetës së vjetër në Washington siç është shprehur Presidenti Trump në fjalimin e inaugurimit, pre supozonte pikërisht tharjen e kënetës së këtij establishmenti. Duke iu kthyer Ballkanit tashmë është e qartë dhe e provuar me informacione se pas planit të Vuçiçit, Thaçit dhe Ramës për shkëmbimin e territoreve në Kosovë qëndron Xhorxh Soros. Mes shumë qëllimeve të tjera është dhe miniera e Trepçes. Pra kanë arsye shqiptarët të jenë të shqetësuar nga ky emërim.

Këtë shqetësim po e artikulojmë ne si media më pro-amerikane dhe kjo e provuar tashmë. Gazeta dhe portali “55” e kanë një nga shtyllat kryesore të politikës editoriale pro-amerikanizmin si e vetmja udhë ku duhet të ecë i gjithë faktori shqiptar. Nuanca të tilla nuk e lëvizin besimin tek politika e Shteteve të Bashkuara dhe Departamenti i Shtetit./ REDAKSIONALE 55news.al

Modifikuar më Hënë, 02 September 2019 19:37
Login to post comments