Shkruesit qeveritarë, nën stilin e përdorur më parë nga Erion Veliaj, tashmë do të kenë nisur mesazhet në kancelaritë ndërkombëtare-Saimir Tahiri u dënua, megjithëse vendimi i shkallës së parë është paraprak dhe mund të përmbyset në Apel.
Teksti i këtyre shkruesve, natyrisht do të jetë shoqëruar me përbetimet se Reforma në Drejtësi në vendin tonë po funksion, se prokuroria dhe gjykata janë aq të pavarura, sa të godasin lidhjet e pushtetit me krimin, se ekzekutivi nuk ka mundësi të ndërhyrë në vendimmarrjen e gjyqësorit dhe se, falë këtyre, Shqipëria, nën qeverinë e Edi Ramës, e meriton hapjen e negociatave në 18 Tetor.
Por, përtej mesazheve euforikë, të cilët, tek disa ndërkombëtarë edhe mund të bëjnë efekt, do të jetë e vështirë të bindin skeptikët jashtë Shqipërisë, ashtu si ky vendim nuk bind edhe dyshuesit e shumtë brenda vendit.
Arsyet janë të shumta, për të mos i besuar propagandës qeveritare se dënimi paraprak i Saimir Tahirit është dëshmi e efekteve pozitive të Reformës në Drejtësi dhe vullnetit qeveritar për të ç’montuar mijëra fijet e saj që e lidhin me krimin e organizuar.
Të paktë janë ata që besojnë se Gjykata për Krime të Rënda ka marrë vendimin për fajësinë e Saimir Tahirit me 3.4 vite burgim, konvertuar në shërbim prove për “shpërdorim detyre”, pa marrë më parë një “shkelje syri” nga Edi Rama.
Saimir Tahiri u dënua nga një treshe gjyqtarësh, me kryesues Ardit Mustafai, Flora Hajredinaj dhe Irena Gjoka, të cilët ende nuk e kanë kaluar procesin e Vetingut. Kjo treshe, ashtu si shumë gjyqtarë e prokurorë, janë nën sikletin e rivlerësimit, një proces që tashmë është e qartë se funksionin në bazë të vullnetit qeveritar.
Ndaj, afërmendsh, tre gjyqtarët, e kanë pasur të qartë që në fillim të procesit gjyqësor se karriera do t’u përfundonte, nëse vendimi për Tahirin nuk do të kalonte paraprakisht në zyrën e Edi Ramës.
Askush nuk beson se prokurorët, të cilët gjatë dy viteve të fundit, nën menaxhimin e Arta Markut dhe Donika Prelës, kanë kryer hetime të plota. Dosja e prokurorisë, ajo që u dorëzua dhe u lexua në gjykatë, ishte e mbushur me “thashetheme” dhe të dhëna indirekte.