-Kryeministri i nxiti mediat kryesore (me interesa tenderimi dhe leje ndërtimi) që të turreshin si qenër sikur Venecia ka bërë namin kundër Ilir Metës. Qëllimi ishte të krijohej tymnajë në publikun shqiptar, para se të jepeshin konkluzionet kryesore të Venecias pro Presidentit.
-Ndonëse Komisioni i Venecias, ishte i ftuar nga PS, përsëri ata thonë prerë se “nuk ka vend për shkarkim të Presidentit”, por loja e kryeministrit ka të bëjë se ai me Komisionin e Venecias donte të justifikonte 30 qershorin. Venecia është komision opiniondhënës, e jo gjykatë, ndaj verdiktin për zgjedhjet e japin vetëm OSBE-ODIHR, të cilët i kanë cilësuar votimet komuniste e jo zgjedhje demokratike.
Mënyra sesi po i serviret opinionit publik draft dokumenti i Komisionit të Venecias është shembulli më i qartë i skemës së manipulimit dhe mashtrimit nga Rilindja dhe PS-ja. Fillimisht në media u hodh një dokument me datë të falsifikuar dhe me dyshime në origjinalitetin e tij. Më pas, mediat afër kryeministrit Edi Rama kapën me grep fraza dhe fjali të shkëputura ku pretendohej, sipas tyre, se kreu i shtetit paska shkelur Kushtetutën. Qëllimisht u shmangën konkluzionet e dokumentit, të cilat përbëjnë dhe thelbin e çdo opinioni që jep Komisioni i Venecias.
Ende pa shpjeguar përmbajtjen e konkluzioneve, shpjegimin dhe qëllimin e tyre, mediat e PS dhe zyrtarët e lartë të Rilindjes dolën në dy përfundime, sipas tyre: E para, që Komisioni i Venecias thotë se Presidenti ka shkelur Kushtetutën dhe e dyta, që Komisioni i Venecias certifikon si të ligjshme zgjedhjet e 30 qershorit. Që të dyja këto pretendime të PS dhe Rilindjes janë mashtrimet më të mëdha, të cilat fatkeqësisht i kanë “ngrënë” dhe një pjesë e mediave. Për të shpjeguar mashtrimin, mjafton të lexojmë dokumentin, i cili edhe pse nuk është zyrtar, në asnjë rast nuk thotë se Presidenti ka shkelur Kushtetutën. Venecia, e cila u referohet ligjeve shqiptare dhe ligjit tonë themeletar të shtetit nuk përmend dhe as nënkupton se Presidenti ka cenuar parimet kushtetuese. Përkundrazi, dokumenti i ekspertëve del në përfundimin se të gjitha aktet e presidentit nuk krijojnë asnjë bazë për të autorizuar shkarkimin. “Anulimi dhe shtyrja e mëvonshme e zgjedhjeve lokale mund të mos plotësojnë kriteret e nevojshme për të mos qenë serioze mjaftueshëm në rrethanat për të autorizuar shkarkimin”,– citohet në dokument. Në këtë mënyrë, çdo pretendim i PS dhe Rilindjes për shkelje kushtetuese është vetëm një manipulim i trashë. I vetmi diskutim ku edhe vet anëtarët e Venecias kanë qenë të paqartë ose nuk janë informuar lidhet me faktin, nëse momenti kur u anulua data ishte apo jo gjendje e jashtëzakonshme. Në terma juridikë, gjendjen e jashtëzakonshme e shpall vetëm Parlamenti dhe mbase Komisioni i Venecias ende nuk e di që Parlamenti aktual është vetëm me deputetë të PS-së, të cilët e kishin ndarë mendjen për konflikt më 30 qershor dhe s’mund të shpallnin gjendje të jashtëzakonshme. Por çdo shqiptar e di se para anulimit të datës nga Presidenti vendi ishte në kaos dhe rrezikonte përplasje civile dhe kjo është njëlloj si gjendja e jashtëzakonshme. Pjesa e dytë e qëndrimit të PS që e sheh Venecian si legjitimuese të 30 qershorit është gati qesharake. Komisioni i Venecias nuk është gjykatë, por jep vetëm opinione. Komisionin nuk e thirri opozita dhe as Presidenti, por Parlamenti i drejtuar nga PS. Pyetjet për të cilat kërkoheshin opinione nga ekspertët e huaj i bërë Ulsi Manja ose ndonjë deputetë tjetër.
Pra, socialistët e pyetën Venecian për Presidentin dhe anulimin e datës, jo për legjitimitetin e zgjedhjeve. Për pasojë, edhe nëse ekspertët e Venecias kanë hedhur ndonjë rresht në draftin e tyre për zgjedhjet, këtë duket se e kanë bërë për hatër të socialistëve që i ftuan në Tiranë, por ligjërisht nuk i ka pyetur njeri. PS ka hallin e Presidentit sepse don të justifikojë maskaradën e 30 qershorit ndaj dhe çdo dokument të huaj e lidh me çështje, ku ndjehet edhe më e rrezikuar. Pavarësisht çfarë është shkruar në dokument, publikimi i draftopinionit të Venecias tregoi edhe një të vërtetë turpëruese për PS dhe institucionet ndërkombëtare që pretendojnë të bëjnë arbitrin në Shqipëri.
Në të njëjtën ditë që ekspertët e Venecias ishin në Tiranë dhe ende nuk kishin dëgjuar argumentet dhe shpjegimin e asaj që kishte ndodhur, ish-ministra të PS dhe deputetë kanë deklaruar në media një pjesë të fragmenteve që ndodhen në raport. Këto detaje venë në pikëpyetje objektivitetin e ekspertëve të Venecias në vlerësimin e situatës politike dhe konfliktuale në Shqipëri.
Nëse draft-opinioni, në disa pika, thotë të njëjtat broçkulla që kanë përsëritur më herët deputetët e PS, ato ishin më të qarta në shqip nga Ulsi Manja dhe Taulant Balla dhe kot janë lodhur t’i përkthejnë në anglisht.
Qëllimi final i PS ishte të përdorte Venecian për të justifikuar çmendurinë që bënë më 30 qershor me zgjedhjet moniste dhe për të vijuar me sulmin e pamoralshëm ndaj Presidentit Ilir Meta. Draft-opinioni, si gjithë dokumentet e ndërkombëtarëve, ka shumë ujëra dhe sqarime të panevojshme, por në thelb i rrëzon gjithë qëllimet e PS. Dokumenti thotë se Presidenti nuk ka shkelur Kushtetutën, për pasojë nuk mund të shkarkohet dhe nuk legjitimon farsën komuniste të votimeve më 30 qershor. Kaq mjafton për të kuptuar se anija e qeverisë që lundronte në ujëra të turbullta, me qëndrimin e Venecias, është fundosur përfundimisht.
Mili Xhani