Tragjik, si personazhi

Premte, 25 October 2019 16:47

Nga Qemal SAKAJEVA

Diku lexova një shtjellim interesant për shkrimtarin Mustafa Greblleshi, nisur nga 75-vjetori i romanit të tij sentimental “Gremina e dashunis”, botuar në vitin 1944, por që pas luftës, bashkë me burgosjen e autorit, u ndalua edhe romani, i listuar në radhë si “libër i verdhë” .

Po të përdorim fjalën  click - klik,  apo sipas fjalorit të Mehmet Elezit,  klik = qokat, me klikue = me qokatë, me çukitë, ky përvjetor i romanit ishte si klikim në kujtesë, që më prapaktheu  në fundvitin 1962. Atëherë, në Teknikumin Bujqësor të Fierit, ishin 44 maturantë të cilët, pasi i ndanë në grupe të vogla me nga 4-5 vetë, i shpërndanë nëpër koperativa bujqësore për praktikë mësimore. Bashkë me maturantët Luan Muhameti, nga fshati Radostinë aty afër, dhe Nikolla Gjeçi nga fshati Havaleas, ngjitur me Apoloninë, ishin dhe dy maturantë që u thoshim kosovarë, por në të vërtetë këta shqiptarë nuk kishin emigruar prej andej: Kolë Nikçi dhe Gjelosh Curanaj patën ikur disa vite më parë nga Gucia e Malit të Zi, dhe qenë më të rritur në moshë.

Diku poshtë anës lindore të Apolonisë së Fierit, ishte një fushtinë mes kodrash, e cila do të mbillej me  fidanë portokalli. Nën drejtimin e agronomit dhe pedagogut Isuf Ferko, me studime të kryera në Bullgari, piketimin e plantacionit e bëmë ne, 5 maturantët. Aty pas mesditës, ktheheshim në qendër të kooperativës, për të drekuar në mensën e fshatit  Dermenas. Në një prej ditëve, ndërsa kishim marrë ushqimin në tavolinë prej sportelit, Kola po vonohej. Madje kishte humbur sysh qysh kohë më parë. Dola të shihja  gjithandej, nëpër zyra dhe territorin përreth, por askund nuk dukej. Dikush pyeti se çfarë po kërkoja. Kur i thashë për Kolë Nikçin, bëri me shenjë kah mullarët e kashtës me ngjyrë të vrugët, të cilët ishin disa dhe gati ngjitur me njëri-tjetrin, strukur në një qosh pranë gardhit rrethues . Mbrapa mullarit më të fundit,  Kola rrinte ulur dhe, ashtu i mbështetur me shpinë pas kashtës, dëneste me ngashërim. Ai kishte emigruar qysh 15-16 vjeç, qe me shpirt të brishtë, i sjellshëm dhe serioz në fjalë e në veprime. Disa vite i pati kaluar nëpër kampe internimi, si në Llakatund e gjetkë. Të shkonte mendja se lotimi i vinte prej këtyre rrethanave, mbase edhe nga përmallimi për  dy prindërit e vetmuar në Guci, me dy vëllezër të emigruar në Francë dhe një motër në Australinë e largët, siç tregonte. Iu avita e i thashë: “Kolë, çfarë ke që po qan? Çou, po të presim në mensë!”

Ktheu fytyrën duke vështruar me sy të përskuqur e të turbulluar prej lotëve. Nga xhepi i brendshëm i xhaketës nxori një libër me kapakë të vjetëruar  mbi të cilin shquhej emri i autorit dhe titulli i romanit: ”Mustafa Greblleshi.  Gremina e dashunis”. Ai sapo e kishte përfunduar dhe fati tragjik i dy personazheve - Memlit dhe Margaritës - e kishin bërë të  dëneste aty prapa mullarit, ku e kishte mbyllur faqen e fundit të librit. Ne të tjerët nuk ia dinim as titullin, s’kishim dëgjuar  asgjë për autorin, por Kola nuk u ndje ngushtë e na foli përse lotoi.

Pas shkollës së mesme, Kola pati punuar disa vite në kooperativë bujqësore, më pas kreu Instutitin e Lartë Bujqësor të Kamzës, në Tiranë, dhe shërbeu  agronom në rrethin e Lezhës e të Mirditës. Por një ditë, ndër shokët e tij, mbërriti lajmi i beftë e tronditës, se Kola ishte arrestuar dhe dënuar shumë vjet me burg. Kur kishte vuajtur 6 vjet e 6 muaj në burgun e Spaçit, del  i pafajshëm dhe kthehet në Lezhë, ku gjendeshin disa të  afërm të largët të tij. Me këto theqafje të pafundme në diktaturë dhe pa kurrfarë faji, ai nuk gjeti më qetësi, ndaj pati pranuar të kthehej  në vendlindje - në Guci - pasi shteti shqiptar e kishte miratuar kërkesën e prindërve të tij për të birin.

Dhe qe kthyer pa vonesë. Sipas të afërmve në Lezhë,  pasi ishte mbajtur për disa javë në organe të posaçme në Titograd, qe lejuar të shkonte në familje. Atje, pas pak ditësh, drama e tij përfundoi  si tragjedi: Kola kishte ndërruar jetë në shtëpinë e prindërve, pa u ditur kurrë arsyeja përse vdiq menjëherë dhe aq i ri.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...