“Astiri”, njerëzit u shpallën “jetë-lakuriq”

E mërkurë, 13 November 2019 17:00

FITIM ZEKTHI 

Deri më sot, bota ka parë se vetëm kur Policia ndjek kriminelët apo terroristët i rrethon ata në banesa, shtëpi, godina etj., ajo përdor gaz lotsjellës në lagje, ambiente banimi, shtëpi. Edhe këto raste janë të pakta, por gjithsesi ka. Pasi e kish bërë disa kohë më parë me banorët te “Bregu i Lumit”, Policia shqiptare, herët në mëngjes, pa zbardhur mirë, dërgoi forca të shumta për të mbështetur prishjen e banesave te zona e quajtur “Astiri”.

Protestës së banorëve për të mbrojtur banesat e tyre, Policia iu përgjigj me dhunë. Ajo përdori, veç goditjeve ndaj banorëve të çdo moshe apo gjini, drurin, arrestimet, gazin lotsjellës.

Këto sjellje nuk kanë asnjë emër, veç poshtërsisë dhe perversionit. Kushdo që do t’i shihte në televizor, do të mendonte se pamjet vijnë nga Rripi i Gazës ose Bregu Perëndimor, ku ushtria izraelite po kërkon ndonjë luftëtar të Hamasit të fshehur në shtëpi, ose nga Lahore apo Karaçi, ku ushtria pakistaneze po kërkonte ndonjë terrorist të fshehur, ose nga periferitë e Nju Jorkut, ku Policia kishte rrethuar trafikantë droge etj.

Të gjitha regjimet kriminale, ato që personalizojnë pushtetin dhe institucionet te një emër njeriu, autokracitë apo totalitarizmat, veprojnë bash në këtë mënyrë. Populli, njerëzit, banorët e thjeshtë, janë kundërshtarët, janë armiqtë, janë ata, ndaj të cilëve vetëm duhet ushtruar pushteti. Ata, njerëzit, zotërojnë (pjesërisht) vetëm trupin e tyre dhe kanë jetë vetëm si qenie biologjike.

Në Romën e vjetër përdorej një formë dënimi mjaft mizore. Personi i dënuar shpallej homo saccer, që të thoshte se ai nuk ishte më anëtar i shoqërisë, atë mund ta vriste kush të donte dhe nuk mbante përgjegjësi. Homo saccer-i ishte i pavlefshëm sa askush nuk mund ta përdorte atë si blatim për perënditë.

Aristoteli e shihte njeriun si qenie që kishte bios dhe zoe. Bios ka të bëjë me jetën e njeriut si qenie që ka të drejta politike, që ka akses në burime dhe që prodhon qeverisjen. Zoe ka të bëjë me jetën si qenie biologjike, si qenie që nuk ka asnjë dallim nga gjallesat e tjera, që ushqehet, fle dhe kryen veprime fiziologjike. Në polis, njeriu ka edhe bios, edhe zoe. Tipari themelor i polisit është se në të njeriu ka bios, është qenie politike, ka të drejta politike, ka akses në burime, zgjedh qeverinë dhe i kërkon asaj llogari etj.

Homo sacceri, duke u përzënë nga shoqëria dhe duke u bërë subjekt vrasjeje apo dhune nga kushdo, kishte vetëm zoe. Këtë koncept të Aristotelit apo këtë metaforë të homo saccer-it e kanë rimarrë shumë filozofë sot për të shpjeguar regjimet totalitare apo diktaturat e ndryshme. Giorgio Agamben përdor togfjalëshin “jetë lakuriq” për të shënjuar të gjithë ata njerëz, ato grupe shoqërore, ato kategori apo popuj, të cilët nuk kanë asgjë veç jetës si qenie biologjike, nuk kanë asnjë të drejtë politike, me ta mund të bësh ç’të duash, mund t’i përjashtosh nga të drejtat, mund t’i mbash në burg, mund t’i lësh pa ushqim, mund t’i internosh apo burgosësh, mund t’u marrësh pronat pa të gjetur asgjë.

Pak a shumë, të tillë ishin ata që dergjeshin në kampet e komunizmit, ata që treteshin në kampet e nazizmit, ata që punonin në minierat e Burrelit apo të Spaçit, ata që u shkatërruan në kënetën e Maliqit, ata që u dërguan nga Pol Poti në fshatra dhe u vranë, ata që detyroi Stalini të vdisnin nga uria në Ukrainë etj.

Ajo që bëri dhe po bën qeveria Rama me banorët e “Bregut të Lumit”, me banorët e “Astirit”, me ata që i burgosi për mospagim dritash dhe i shtyu në depresion, me ata që burgosi për rregullim çatish apo rregullim suvash etj., etj., është pikërisht shpallja e këtyre njerëzve si qenie homo saccer, ose si qenie që kanë vetëm zoe apo si qenie që kanë vetëm “jetën lakuriq”.

Hedhja e gazit lotsjellës në pikë të sabahut, në lagje, në banesa, detyrimi i fëmijëve dhe i të moshuarve të dalin nën uturimat e fadromave nga shtëpitë e tyre, arrestimet apo dhuna, hedhja në rrugë e familjeve, tregon se për këtë qeveri, se për Kryeministrin Rama dhe për kryetarin e bashkisë, Veliajn, (i cili nuk lë rast pa bërë sikur qan apo i dhimbsen fëmijët dhe të moshuarit), njerëzit tek “Astiri” janë thjesht qenie me “jetë lakuriq” janë homo saccer. Për këtë qeveri, ata nuk kanë të drejta.

Në momentin që një qeveri konsideron pjesë të popullit të saj si një qenie me “jetë lakuriq” apo si qenie që kanë vetëm zoe, ajo shumë shpejt do të konsiderojë të gjithë popullin si të tillë. Kjo është forma më e lartë e perversionit politik, thotë Agamben.

Në fund të fundit, Rama, Veliaj, Lleshaj, Ruçi etj., nuk e shohin Tiranën dhe Shqipërinë si një polis, por si një pyll apo shkretëtirë, në të cilën çdo gjë e gjallë nuk duhet të ketë të drejta politike, nuk duhet të ketë akses në burime dhe nuk duhet të zgjedhe qeverinë dhe t’i kërkojë asaj llogari. Në këtë pyll apo në këtë shkretëtirë, të gjitha gjallesat janë subjekt i pushtetit, janë subjekt i ushtrimit të pushtetit dhe secila prej tyre apo edhe grupe-grupe kanë thjesht (pjesërisht) vetëm trupin. Në këtë kuptim, ajo që ndodhi tek “Astiri” është një leksion i madh politik nga Rama për çfarë është vetë Rama dhe për çfarë janë njerëzit.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...