Dy thirrje dhe pritja e vejushave

Premte, 29 November 2019 18:52

Nga Qemal SAKAJEVA

Pasojat shqiptare prej tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit,  ishin thuajse vetëvrasje: prej babëzisë së pafre; papërgjegjësisë së paimagjinueshme; shthurjes së gjithanshme; injorancës shpërfillëse ndaj shkencës.

 “Tërmeti” kërcënues kundër njerëzimit (nëse do të ndodhte?!), gjithashtu do të ishte vetëvrasje.

Ka shenja  që e shquajnë këtë.

Një vjen nga Selia e Shenjtë. Papa Françesku udhëtoi në Japoni. Qysh prej 38 vitesh atje nuk ka shkelur këmba e një pape të Vatikanit. Aspak për rastësi në këto kohëra,  Papa  kreu vizita në dy qytete emrin e të cilëve njerëzimi e njeh prej shumë vitesh: Hiroshima dhe Nagasaki. Përmasat e shfarosjes nga përdorimi i armëve atomike në  vitin 1945 nuk janë më çështje teorike dhe historie. Qysh prej disa muajve, Papa ka shqiptuar dhe përsëritur përcaktimin se Lufta e Tretë Botërore e llojit të veçantë ka filluar. Këtë herë ai  zgjodhi Hiroshimën dhe Nagasakin për t’i folur njerëzimit për  “... një Luftë të Tretë Botërore që zhvillohet ngadalë”, dhe kërkon ndalimin e armatimit bërthamor që ka mbërritur në pikë kritike të frikshme.

Pak më herët, adoleshentja suedeze  Greta Thunberg pati ndërmarrë udhëtimin nga  Plymouth i Mbretërisë së Bashkuar deri  në Nju Jork të SHBA,  4800 kilometra lundrim me varkë përmes Oqeanit Atlantik, për të marë pjesë në Samitin për Klimën, i organizuar nga Kombet e Bashkuara. Kjo vajzë e nominuar për Çmimin Nobel të Paqes 2019, që thërret pa  u ndalur për shpëtimin e botës nga shkatërrimi,  sepse  “kriza e ndryshimit të klimës është reale”, kësaj here përdori  foltoren e OKB, t’u thoshte presidentëve të fuqishëm, mbreterve të shteteve, kryeministrave e  diplomatëve, se Toka duhet shpëtuar dhe  për këtë të dëgjohet zëri drithërues i fëmijëve dhe paralajmërimi plot alarm i shkencëtarëve. Ndoshta nuk mund të provohet, por sjellja e sofistikuar e personaliteteve të ndryshëm  u duk sikur e shpërfilli  fjalën e adoleshentes, a thua se, do ishte më mirë që ajo të dëgjonte ulur në bangë mësuesit e shkollës në Suedi,  se sa e ngjitur në foltoren e lartë të OKB për t’u bërë thirrje më të mëdhenjve të globit. Ndërsa shkencëtarët përsërisin papushim: njeriu po vetëshkatërron shtëpinë e tij - Tokën.

Por nga Kremlini kërcënimi përcillet në “trajtë njerëzore”. Gjatë muajit gusht, në bazën ruse të Detit të Bardhë, pati një incident të rëndë: nga shpërthimi i një prej motorëve të raketës bërthamore “Skyfoll” Model 9M73 (siç njihet në perëndim), humbën jetën 5 inxhinierë dhe 2 punonjës të tjerë. Pikërisht, gratë e tyre të mbetura vejusha, pak ditë më parë i priti në Kremlin presidenti Vladimir Putin. Takimi ngushëllues me to nuk përbënte ndonjë  lajm të veçantë, por informacioni rreth qëllimit për të cilin vdiqën bashkëshortët e tyre ishte çështja. Kjo raketë, siç bënte me dije lajmi në Channel One Russia, “është një armë apokaliptike”, fuqia shkatërruese e të cilës do të jetë e pamendueshme. Prodhimi i saj, u arsyetua si “armë hakmarrëse”, sepse do të përdoret si kundërpërgjigje vetëm pasi një vend do të godasë Rusinë me raketën e parë  bërthamore.

Perëndimi, për dekada të tëra në liri, demokraci, paqë e mirëqënie ka një përhumbje, aq sa të gjitha këto vlera të jashtëzakonshme  për popujt, duket sikur i merr të mirëqëna përgjithmonë. Edhe prej harresës, brenda çdo vendi e ndërmjet shtetesh, ka përplasje politikash  që i dobësojnë ato si faktorë të rëndësishëm të stabilitetit botëror dhe shmangien e rrezikut të një lufte bërthamore. Ndoshta, në këto kohëra, Perëndimi  ngjason me gjallesën siç e përcjell legjenda që nga fillesa e jetës humane me dy njerëzit e parë në Tokë. Pasi Zoti e krijoi Adamin dhe Evën /Ademin dhe Havën, u pati thënë: Punoni dhe  jetoni! Dhe ata e nisën me çeljen e  tokës arë mes pyjesh për të mbjellë. Adami kishte dalë majë një kodre dhe thirri disa herë me sa fuqi pati për të mos rënë në mëkat, që gjallesat të largoheshin, se pyllit do t’i vinte zjarrin. Të gjitha qëniet ia mbathën, përveçse njërës që kishte 9 krerë. Secila kokë kryemëveti diktonte se nga duhej shkuar dhe asnjëra me tjerën nuk binin dakord. Por zjarri mbërriti dhe ajo u dogj.

Modifikuar më Saturday, 30 November 2019 18:33
Login to post comments