Të vërtetat e Presidentit

Premte, 27 December 2019 10:48

Presidenti i vendit, Ilir Meta, mbrëmë ishte në një intervistë përmbyllëse të viti 2019 dhe tha disa të vërteta shumë të mëdha. Të vërteta që ai i ka nënvizuar gjatë gjithë këtij viti kalendarik në zhvillimet e forta të politikës shqiptare. T’i marrim një nga një të vërtetat më të mëdha të Presidentit gjatë periudhës së fundit të vitit që po lëmë pas.

E para ka të bëjë me tragjedinë e madhe që preku vendin me tërmetin e 26 nëntorit, ku humbën jetën 51 shqiptarë të pafajshëm. E vërteta e madhe e Presidentit Meta është letra që ai i dërgoi kryeministrit Edi Rama, zëvendës kryeministrit Erion Braçe dhe ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, në korrik 2019 ku i paralajmëroi se një ‘tërmet apokaliptik’ do të godasë Ballkanin. Në letër Presidenti ngrinte shqetësime madhore, shqetësime të cilat u konfirmuan në atë ditë të mallkuar të 26 nëntorit. Por Qeveria, Rama, Xhaçka e të tjerë u tallën me letrën, në vend që të merrnin masat e duhura dhe të zbusnin tragjedinë e cila ndodhi. Vendi ishte i papërgatitur. Emergjencat civile nuk ishin efikase. Nuk kishte as para e as infrastrukturë për të përballuar tërmetin. Zjarrfikëset e mjetet e tjera ishin pa naftë. Nuk kishte as qen për të gjetur viktimat, nuk pati asnjë rezervë për ushqime, veshmbathje. Shkurt tragjedia u bë edhe më e rëndë e me pasoja të mëdha. Rama ndërseu gaztorët e shërbëtorët e tij mediatikë që të tallen, të vënë në lojë letrën dhe jo të merrte masa serioze. Por e vërteta e madhe e Presidentit i bëri shqiptarët dhe një herë të kuptojnë se ccfarë bande kanë në qeverisje.

E vërteta e dytë e madhe e Presidentit lidhet me atë që konsiderohet si reforma në drejtësi dhe që Presidenti Meta e ka konsideruar si ‘Ramaforma’. Meta ka dhënë të gjithë argumentet para shqiptarëve se si kjo reformë madhore u shndërrua në një mekanizëm që banda në pushtet të kapte sistemin e drejtësisë dhe të zgjidhte në krye të sistemit të gjithë të përzgjedhurit e saj. Që me zgjedhjen e Arta Markut, duke shkelur çdo ligj të mundshëm, e deri te ushtari Dvorani që bëri gjithçka që të zbatonte urdhrat e shefit të tij të madh, Edi Ramës.  “Unë kam bërë çdo përpjekje që Shqipëria mos bëhej qesharake. As para se të bëhej reforma në drejtësi, edhe për zbatimin e reformës në drejtësi, e cila është kthyer në Ramaform, se po të ishte zbatuar si reformë nuk ishim në këtë situatë. Kush janë këta ambasadorë që kujtohen një ditë para zgjedhjeve që thonë do ta bëjë gjykata kushtetuese. Kush e prishi KED-n? Edi sepse nuk i pëlqyen emrat nga kutia. Përdori edhe një ambasador shumë të nderuar që nuk është më këtu”, pati thënë më parë Presidenti në lidhje me reformën në drejtësi.  Reforma në Drejtësi me të drejtë u vlerësua nga mbi 90% e qytetarëve si domosdoshmëri ulëritëse për t’i dhënë fund korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë, si dhe për të rritur besimin te sundimi i ligjit. Shumë misione ekspertësh ndërkombëtarë u angazhuan dy vite para miratimit të saj në Kuvend dhe shumë programe financimi vazhdojnë edhe sot. Por baza e konsensusit të arritur ishin vetëm rekomandimet e Komisionit të Venecias, që është institucioni më prestigjioz në Europë dhe i pranuar nga të gjitha palët, brenda vendit por dhe nga partnerët ndërkombëtarë. Presidenti Meta e ka konsideruar si një turp të madh faktin që nëse ndërkombëtarët janë tallur  duke lënë pa gjykatë vendin tre vjet për të nxjerrë Dvoranin në krye. “Cilët ndërkombëtarë? Turp të kenë ata, edhe ky bashkë me ta, që nuk kanë respekt për Kushtetutën që votuan me 140 vota në Parlamentin e Shqipërisë. Turp të kenë ata ndërkombëtarë, turp të ketë dhe opozita që nuk ua thotë emrat, se opozita thotë se fajin e kanë ata që nuk votuan 7 ligjet për Prokurorin e Përgjithshëm të Përkohshëm, nuk është ashtu.  Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm u zgjodh në kundërshtim të qartë me Kushtetutën dhe nga ata lloj ndërkombëtarësh që ky e di sesi i ka futur në xhepin e vet. Dhe këto ishin rezultatet e Prokurorisë në dy vjet që keni parë ju, ashtu u tha atëherë që do të bëheshin suksese shumë të mëdha. Po të mos jepnin vërtetimin mashtrues që është antikushtetues që i lejoi për ta zgjedhur me 69 vota nuk ndodhte ajo maskaradë. Ky thotë se edhe këtë maskaradën me Dvoranin e ka bërë me ndërkombëtarët, se kështu tha bashkë me partnerët tanë, nëse e kanë bërë akoma më turp. Të tallen, të lënë një vend pa Kushtetutë tre vjet vetëm që të vijë Dvorani në krye dhe Dvorani pastaj në mënyrë të paligjshme ti rrëmbejë kompetencën kushtetuese Presidentit. Kam qenë dhe jam njeriu që i kam respektuar më shumë ndërkombëtarët kur sillen si partnerë, por nëse një palaço diplomat sillet si pushtues unë do ta trajtoj si pushtues dhe do ti them edhe popullit shqiptar ta trajtojë si pushtues”, ka nënvizuar Meta.

E vërteta tjetër e madhe E Presidentit Ilir Meta janë qëndrimet e tij për Kosovën. Ai është vënë si një barrierë e madhe kundër të gjitha planeve të zeza të Ramës dhe mikut të tij Vuccicc për fillimisht ndarje të Kosovës, plan që dështoi totalisht, e deri te plani për ‘minishengenin’ që i jep fuqi të jashtëzakonshme Serbisë dhe Rusisë në Ballkan dhe shkatërron Kosovën.  “Kam folur disa herë me Ramën gjatë vitit të kaluar edhe kur u hao çështja e korrigjimit të kufijve, ku di unë, histori të tilla, dhe i kamë thënë disa herë nuk është detyra jonë të mbajmë qëndrime të cilat na krijojnë probleme në raport me Kosovën.  Vendi i fundit në botë që mund të vërë në diskutim pavarësinë dhe integritetin e Kosovës është Shqipëria. Vendi i fundit në botë, ndaj i thashë mos përfshi në çdo lloj mënyrë në këtë çështje, apo në këtë lloj debati.  Ai më ka thënë që unë nuk jam i përfshirë, kështu më ka thënë por më pas për fat të keq më solli si kandidat për ministër të jashtëm, një tërësisht kandidaturë e panjohur për mua, por që ishte shprehur diku, kishte lënë për të kuptuar që kjo çështja e korrigjimit të kufijve ishte një lloj trendi. Mua më ka thënë që nuk është i përfshirë në këtë gjë. E vërteta, sesa i sinqertë ka qenë kjo është gjë tjetër dhe Kosova i ka kryer të gjitha detyrimet e saj ndaj Serbisë. Serbia nuk i ka kryer ndaj Kosovës”, tha mbrëmë Presidenti në lidhje me projektin për ndryshimin e kufijve.  Presidenti është shprehur se tensioni ne Shqipëri nuk është i rastësishëm, por i sponsorizuar dhe i provokuar qëllimisht. Sipas tij ky tension qëndron ne arbitraritetin e një individi qe ka rrezuar për fat te keq një sistem te tere te shtetit ligjor dhe te se drejtës. Ketë situate po e shfrytëzon për fat te keq Serbia për te pasqyruar shqiptaret ne bote, si ne Shqipëri dhe ne Kosove, si një popull te paafte për te ndërtuar shtet.  Presidenti i Republikës ka deklaruar se Shqipëria është vendi i cili duhet të respektojë 100% institucionet e Kosovës dhe liderët e saj. “Shqipëria nuk mund Te përdoret neper rrugica diplomatike serbe kundër Kosovës , kur të dyja vendet bashkë kanë vetëm një aspiratë, bulevardin e madh të integrimit euro-atlantik”, ishte mesazhi i Presidenti Meta.

Këto janë disa prej të vërtetave të mëdha që Presidenti i Republikës Ilir Meta ka mbrojtur në vitin që po lëmë pas. Të vërteta që duke u thënë dhe duke u mbrojtur fuqishëm, jo vetëm që kanë mbrojtur interesat madhore të vendit por kanë bërë që të gjithë shqiptarët të mblidhen fort rreth këtyre të vërteta, të bashkohen kundër një sekti të rrezikshëm që po vë në dyshim të gjitha arritjet e mëdha që kombi ka bërë gjithë këto vite. REDAKSIONALE 

Modifikuar më Premte, 27 December 2019 20:00
Login to post comments