Shqipëria merr kryesimin e OSBE-së duke qenë në krizë politike

Premte, 03 Janar 2020 09:55

Shqipëria ka marrë kryesimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), në një kohë kur edhe vetë është në krizë.

Deutsche Welle (DW) analizon se Shqipëria përballet me sfida të mëdha për shkak të situatës politike.

Tridhjetë vite pas rrëzimit të regjimit komunist vendi nuk ka demokraci të stabilizuar, ndërsa aktualisht palët politike janë në mospajtim të plotë.

“Kryeministri Rama nga Partia Socialiste drejton aktualisht shumicën parlamentare, por Partia Demokratike ka djegur vitin e kaluar mandatet e saj në Parlament dhe e bojkoton institucionin më të lartë. PD ka bojkotuar edhe zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, për shkak të dyshimeve për manipulimin e zgjedhjeve të fundit parlamentare. Kjo parti ka kërkuar largimin e Ramës nga pushteti. Vëzhguesit thonë se Shqipëria ka probleme të mëdha me korrupsionin dhe krimin e organizuar.”

I pyetur nga DW, publicisti Veton Surroi thotë se situata është paradoksale. “Shqipëria është edhe vet nën vëzhgimin e OSBE-së, ndërkohë që tani duhet ta drejtojë atë. Nëse shikojmë detyrat e OSBE-së dhe gjendjen në Shqipëri, atëherë kemi një situatë paradoksale: Shqipëria është edhe vet nën vëzhgimin e OSBE-së, ndërkohë që tani duhet ta drejtojë atë”.

Në një postim në Twitter, zëvendësministri i Jashtëm Gent Cakaj ka theksuar se “Shqipëria ka kapacitete të plota për të adresuar prioritetet e Kryesisë së saj në mënyrë efektive dhe për të kryer detyrimet ndaj vendeve pjesëmarrëse”.

Zëri i Amerikës ka analizuar më parë se Shqipëria e fillon kryesinë e OSBE-së për vitin 2020, ndërsa rajoni ku vepron organizata përballet me sfida të konsiderueshme sigurie dhe të demokracisë dhe vetë vendi përballet me probleme politike.

OSBE e ka selinë në Vjenë. Pjesë e organizatës janë 57 vende të Evropës, Amerikës së Veriut dhe Azisë. Detyrat e saj janë të shumta – duke nisur nga vëzhgimi i zgjedhjeve, lufta për lirinë e shtypit, mbrojtja e të drejtave të minoriteteve e deri tek misioni vëzhgues në lindje të Ukrainës dhe misione të tjera.

OSBE-ja ka një mision në Tiranë, për të vëzhguar gjendjen e demokracisë. Ky mision angazhohet për zbutjen e krizës dhe forcimin e institucioneve, në një situatë konflikti permanent mes pozitës dhe opozitës, ku disa institucione janë bllokuar me vite të tëra ndërsa vendi vazhdon të ketë probleme me korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Login to post comments