I “vogli Ramës” lan gojën për sulmin mbi ambasadën malazeze në Beograd

Saturday, 04 Janar 2020 15:21

Nga Boldnews.al

Dhunimi i simboleve kombëtare të ambasadës së Malit të Zi në Beograd ishte padyshim një shprehje jo vetëm huliganizmi, por shovinizmi të theksuar që vjen nga Serbia kundër të gjithë vendeve të Rajonit.

Të gjithë e dënuan këtë akt, por vetëm qeveria shqiptare qëndroi në heshtje, asnjë rresht kryeministri Edi Rama nuk bërëi qoftë edhe për kortezi. Kryeministri ynë “virtual” kalon një kohë të gjatë në rrjetet sociale, por zemra, shpirti dhe mendja nuk ia bënë që të dënonte sulmin e një turme të madhe serbësh kundër Ambasadës së Malit të Zi në Beograd. Vetëm pak orë më parë zëvendëministri i Jashtëm me autorizim ministri, Gent Cakaj mbajti një qëndrim që më shumë se dënim ishte thjesht një informim.

“Sulmi i dhunshëm ndaj Ambasadës së Malit të Zi në Beograd është absolutisht i papranueshëm. Një mision diplomatik nuk duhet t’i nënshtrohet vandalizmit. Pikëpamjet e ndryshme duhet të adresohen përmes dialogut. Nuk mund të ketë hapësirë për dhunë në shoqëritë demokratike”-thuhet në postimin e plotë të Cakajt. Vetëm ky qëndrim fare i thatë, që më shumë se dënim akti është informim, me atë shprehjen bajate që për politikën shoviste nuk janë gjetur kurrë veshë për ta dëgjuar të tipit: “nuk mund të ketë hapësirë për dhunë në shoqëritë demokratike”. Kujt ia thotë këto rreshta të thata, pa asnjë mesazh të qenësishëm?

Ai mbahet dhe shitet nga kryeministri Edi Rama si një erudit, dijetar i madh, vizionar që kapërcen kufijtë shqiptare dhe një i ri që na e shitën si “mall vendi”, por doli një produkt gjenetikisht i modifikuar.

Diplomacia jonë, ndonjëherë kur Rama nuk ka kohë, përfaqësohet nga Gent Cakaj, ky djalosh 28-vjeçar që për herë të parë në jetën e tij është punësuar si këshilltar i Ramës dhe më pas si zëvendëministër i jashtëm. Ishte një “sugjerim” i lobistit të “korrigjimit të kufijve” Baton Haxhiu dhe padyshim që Rama nuk ia prishi dhe e bëri djaloshin e vogël një “personalitet të madh”… Kaq i madh është sa edhe qëndrimin zyrtar për sulmin në Ambasadën e Malit të Zi në Beograd jo vetëm e bën me shumë vonesë, por gati e relativizon si një incident i vogël.

Ai vjen nga Kosova, aty ku krimet serbe ende nuk ua kanë tharë lotët në sy të familjarëve të të masakruarve, ekzekutuarve dhe përdhunuarve, por për hir të “bosit” Ramë, edhe ministri Cakaj është kthyer në një vegël e përdorshme, që ka humbur dinjetin personal (gjithnjë nese ka të tillë), për tu bërë një nëpunës i rëndomtë që nuk del kurrë mbi urdhrat dhe devizën e kryeministrit Edi Rama.

Me Kosovën Serbia sillet si protektore, dhunuese, nuk njeh krimet e luftës, e madje po shkatërron gjithçka që Kosova ka arritur në fushën diplomatike që nga shpallja e Pavarësisë. Në Malin e Zi gjithashtu Serbia ndërhyn me forca të errëta destabilizuese që sponsorizohen nga politika zyrtare në Beograd, Bosnjen e mbajnë gjithnjë nën trysni, edhe pse mëkatet që kanë kryer mbi atë popull nuk i lan as koha, qoftë edhe me shekuj.

E çuditshme, por vetëm me qeverinë Rama, Serbia ka gjetur mbështetje dhe sot ndodhemi në një batak politik ku pas refuzimit nga BE, po tentojmë të integrohemi në “BE-ograd”. Kjo është politika Ramës, e mbështetur edhe nga “kryediplomati” i tij, me karrierë të gjatë politike, ku sipas deklarimeve të veta, Cakaj është vërtetë 28 vjeç, por ka karrierë 14-vjeçare në jetën politike, intelektuale dhe botën akademike. Absurdi vazhdon…!

Login to post comments