Krimi, Kajmaku, Pjetri, Ismailaj, Babani dhe “bab Rama”

E mërkurë, 08 Janar 2020 19:02

Nga Boldnews.al

Më i fundit i dyshuar se është arrestuar dhe dëbuar nga Greqia në vitet 1999-2000 është kryetari i Bashkisë së Mallkastrës Qerim Ismailaj. Ai u denoncua sot nga PD se këtë fakt e ka fshehur në formularin e dekriminalizimit dhe është në kushtet e shkarkimit, duke i kërkuar prokurorisë hetime të thelluara.

Nëse edhe Ismailaj bie, atëherë janë katër bashki që kryeministrit Edi Rama i ikin nga duart, ndonëse nuk kishte rivalë në zgjedhjet (votimet njëpartiake) të 30 qershorit. Po si është e mundur që edhe kur nuk ka rivalë politik për të mundur, Rama zgjedh personazhe me të shkuar të dyshimtë kriminale?

I pari që ra dhe shkundi jo pak kryeqeveritarin ishte Valdrin Pjetri, fitues në Bashkinë Shkodër, duke përfituar nga bojkotimi i zgjadhjeve nga opozita. Ai nuk e gëzoi asnjë ditë postin pasi u detyrua të jepte dorëheqjen pas fakteve të paraqitura nga PD, ku Pjetri rezultonte se në kohën kur kishte qenë student në Itali ishte arrestuar dhe dëbuar për akuzën e mbajtjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Shkodra renditet ndër bashkitë e mëdha të vendit me një popullsi prej 204 954 banorë. Mes tyre padyshim ka intelektuale, qytetarë të mirë, ekspertë të fushave të ndryshme që kanë reputacion pozitiv në komunitet. Asnjë prej tyre Rama nuk e “gjeti” në Shkodër, ndaj solli me urgjencë Valdrin Pjetrin, që e kishte promovuar edhe më parë si Drejtor të Përgjithshëm të Hipotekave.

Nga ana tjetër, edhe Vora është nga ata bashki të rëndësishme në vend, ku ndodhen mijëra biznese, por edhe një popullsi prej 38 000 banorësh. Edhe këtu Rama qëmtoi Agim Kajmakun, i arrestuar dhe proceduar në Greqi për akuzën e falsifikimit të parave. Sot, PD akuzoi kreun e Bashkisë së Mallkastrës si të arrestuar, dënuar dhe më pas dëbuar nga Greqia, ngjarje e ndodhur në vitin 2000.

Po ashtu ka hetime për kryebashkiakun e Vaut të Dejës Mark Babani, ku PD e akuzon se është arrestuar dhë dëbuar për grabitje në Itali dhe Maqedoni. Edhe Vau i Dejës ka një popullsi prej 50130, por nga ky numër i madh qytetarësh, mes tyre të shkolluar, që gëzonin resket masiv shkoi dhe gjeti Babanin.

Përzgjedhja e tyre nuk mund të jetë rastësi dhe kryeministri Rama e ka të vështirë të krijojë alibi. Që të katër janë kandidatë në bashki që më parë drejtoheshin nga e djathta, Partia Demokratike. Vënia në krye të bashkive të këtyre personazheve, edhe pa rivalë është më domethënëse, që synon poshtërimin e qytetarëve në këto bashki që njiheshin si bastione të së djathtës.

Është një formë që Rama ka gjetur me qeverisjen e tij në këto shtatë vite, duke përfshirë individë me të shkuar kriminale, me nivel të ulët intelektual, arrogantë dhe mbi të gjitha personazhe që me mënyrën e qeverisjes lokale, ushtrojnë trysni dhe shantazh mbi qytetarët e tyre. Ata kanë pushtetin, bëjnë ndere, qarkullojnë fondet lokale në duar, ushtrojnë presion ndaj kundërshtarëve politik dhe në fund mbesin “artileria e rëndë” në zgjedhjet e përgjithshme Parlamentare.

Edhe brenda PS-së e kanë të qartë se personazhe të tillë nuk janë aksident, përkundrazi, kjo është mënyra qeverisëse. Duke ingranuar në politikë individë me të shkuar kriminale dhe lidhjet që më pas ata krijojnë me elitën drejtuese të pushtetit qëndror, ka një kontroll të drejtëpërdrejtë në përcaktimin e pushtetit të ardhshëm.

Kryeministri Rama duket se i përdor këta individë, të cilëve u var në qafë shiritin e kryebashkiakëve për interesa të tij, që më shumë se me paranë lidhen me fuqinë e tyre për të siguruar vota për Rilindjen. Cilido sistem qoftë, qoftë edhe me Kod Zgjedhor të ndryshuar keta individë të lidhur me kupolën qeverisëse mposhtin çdokënd me fuqinë e parasë dhe shantazhit, që në fund kanë vetëm një drejtim “Bab Ramën” ta mbajnë në pushtet.

Login to post comments