Raporti i agjencisë “Fitch”, reagon Meta: Kriza politike përkeqësoi klimën e investimeve, duhet vendosur urgjentisht dialogu

Premte, 10 Janar 2020 09:34

Presidenti Ilir Meta ka reaguar për raportin e agjencisë “Fitch”, sipas së cilës janë përkeqësuar treguesit për investimet në Shqipëri. Meta shprehet se një nga faktorët që ka ndikuar në përkeqësimin e klimës për investimet është edhe situata e rëndë politike në vend.

Kreu i shtetit shton se duhet urgjentisht vendosja e dialogut politik dhe bashkëpunimit për adresimin e menjëhershëm dhe të besueshëm të kushteve të Bundestagut.

Postimi i presidentit Ilir Meta:

Dua të shpreh shqetësimin për raportin e agjencisë prestigjoze ndërkombëtare Fitch për vitin 2019, sipas së cilës Shqipëria është përkeqësuar në vlerësimin e shkallës së perceptimit të investitorëve, nga niveli 59.8, në 53.5.

 Pa u ndalur sot në shqetësimet që kanë të bëjnë me faktorët ekonomikë dhe financiarë, dua të tërheq vëmendjen ndaj aktorëve politikë, që faktori kryesor i këtij përkeqësimi është kriza e rëndë politike në vend.

Ndaj duhet urgjentisht vendosja e dialogut politik dhe bashkëpunimit për adresimin e menjëhershëm dhe të besueshëm të kushteve të Bundestagut.

Përndryshe, jo vetëm çelja e negociatave me Bashkimin Europian pamundësohet, por vendi ynë do humbasë më shumë besueshmërinë e investitorëve të huaj seriozë.

Login to post comments