Parakohe dhe paskohe

Hënë, 13 Janar 2020 16:20

Nga Qemal SAKAJEVA

Ngjajnë si fjalë të thëna gjatë këshillës së farmacistit për një bar, nëse duhet  marrë parabuke apo pasbuke. Zgjedhjet e përgjithshme të 6 tetorit 2019 në Kosovë u gjykuan si një “bar politik për kurim”, dhe pikërisht për këtë ishin të parakohshme,  ndërsa formimi i qeverisë stërzgjatet si  “sëmundje politike” në paskohë.

Prej asnjërës nga të dyja partitë, Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike, nuk pritej të vononin sa nuk ia ka marrë mendja askujt, a thua se mbartin përgjegjësinë e krijimit të një qeveri gjigande për një popull 1.5 miliardë banorësh - domethënë një qeverie të përmasës kineze e për Kinën. T’i  mendosh takimet  Kurti - Mustafa,  të paralajmëruara, të palajmëruara, të paslajmëruara, tingëllojnë si paralajmërimet pambarim kineze ndaj shkeljes së hapësirës ajrore prej aeroplanëve amerikanëve në vitet ‘60- të shekullit të kaluar. I vetmi spektakël që të mbetet në sy mes lajmeve të mërzitshme është i Isa Mustafës, që shfaqet te foltorja e konferencës së shtypit duke ecur  me kujdes i mbështetur në një bastun me ngjyrë të errët, dhe Albin Kurti duke foluar shkurt me një përmbajtje politike në stilin pubilicistiko-filozofik.

Diferenca e të dyja partive për nga rezultati i zgjedhjeve është vetëm 2.22 për qind (Vetvendosje ka fituar me 26.27 për qind, LDK ka marrë 24. 54 për qind), ose e shprehur në shifër absolute diferenca është me 14 485 votues.  Por të mendosh se vetëm 14 485 votues më shumë a më pak, i japin të drejtë  partisë fituese apo të dytës pas saj, të vonojnë formimin e qeverisë, është të shpërfillësh mijëra votuesit që presin dhe nuk kuptojnë se çfarë dreqi e pengon marrëveshjen, a thua u duket Kosova si të jetë shteti i Belgjikës a Izraelit. LDK është e dyta, por duke qenë me një diferencë shumë të  vogël nga  Vetëvendosje, duket sikur vetëndjehen bashkëfituese pa qenë të tillë, ndërsa mijëra votuesit e tjerë nuk e kuptojnë, përse LDK pengon formimin e qeverisë për kaq shumë muaj.

Edhe pse është e rëndë të thuash, duke ditur Kosovën e vogël për nga territori, popullsia dhe hallet e mëdha të brendshme e ndërkombëtare, të vjen të thuash se bisedimet e pafund e kanë skicuar rrethanën si në një estradë politike, nga e cila nuk është se vetëm vonohet  zgjidhja, por habia ka arritur kulmin dhe dëmi nuk është i vogël. Albin Kurti, më shumë se sa kryeministër i ardhshëm, është cilësuar njeriu i pritmërisë së madhe për ndryshimin e kërkuar. Bash nga kjo, sfida e tij vetjake  nuk do të jetë vetëm ajo e zhvillimit ekonomik, luftës kundër korrupsionit, politikat me Serbinë, sepse sfida e Kurtit përballë votuesve është  me pritshmërinë e tyre ndaj tij. Kosova ende nuk ka qeveri dhe beteja me pritshmërinë nuk ka nisur, ndërsa parabeteja e Kurtit ka ngritur pikëpyetje të mëdha, ngaqë deri në formimin e qeverisë  nuk ka shfaqur njeriun e pritmërisë.

Të dyja partitë, Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike, vijnë  njëra pas tjetrës në zgjedhjet e parakohshme, njëra e para dhe tjetra e dyta, por që  të dyja, në raport me formimin e qeverisë, kanë mbetur paskohe njëlloj. Qeveria që do të dalë prej tyre, do të nisë qeverisjen fatkeqësisht me një periudhë të gjatë negative mbi shinë, që ende pa nisur ka lënë gjurmë pakënaqësie të pazakontë në popull.

Login to post comments