Korrigjimi i ndarjes administrative-territoriale të Shqipërisë

Premte, 31 Janar 2020 12:24

ROMEO GURAKUQI 

Në Tiranë është emëruar Këshilli Politik, që ka si mision t’u japë zgjidhje problemeve përfaqësuese të Shqipërisë, aspiratave të komuniteteve për një zë të vetin të dëgjueshëm në qeverisjen qendrore dhe të së drejtës së emigrantëve për të ushtruar vullnetet zgjedhore. Ndërtimi i kësaj tryeze ndodh në kulmin e “ikjes së madhe”, kur vendi po boshatiset frikshëm, kur populli është stërmunduar nga paqartësia, kaosi dhe presioni i pangjashëm i ushtruar mbi shoqërinë nga njerëzit e qeverisë dhe organizatat pengmarrëse të shtetit dhe qytetarëve. Dëshpërimi i ardhur prej mungesës së shpresës ka kapërthyer familjet shqiptare, të cilat kërkojnë tanimë zgjidhje sistemike dhe jo axhustime periferike, që veç riekuilibrojnë balancat politike, por nuk krijojnë stabilitetin e nevojshëm institucional, politik dhe social

Këtë e them sepse që nga viti 2013 kanë ndodhur një numër përmbysjesh të pastudiuara në sistemin shtetëror, sa vendi ka nevojë për disa korrigjime rithemeluese. Startet korrigjuese, sipas këndvështrimit tim, janë shumë më komplekse. Intransigjenca qeveritare ka imponuar një korrigjim minimalist, por nisur nga nevoja që ky ndryshim të ketë një lloj suksesi, unë do të përqendrohem te ndërhyrjet e domosdoshme paralele: reforma e parë balancuese dhe korrigjuese e padrejtësisë socialiste në përfaqësimin e popullit në organet sovrane është korrigjimi i ndarjes administrative.

Një numër faktorësh historikë, që lidhen me tipin e pushtetit të themeluar nga komunistët në vitin 1945, çuan, jo vetëm në një sundim të egër të komandantëve mbi Shqipërinë, por edhe në një prishje totale të ndarjeve tradicionale të formësuara në shekuj, posaçërisht në Shqipërinë e Veriut. Viti 1990 e gjeti shtetin shqiptar të copëzuar administrativisht, në mënyrë të atillë që krahinat historikisht kompakte në formësim dhe përfaqësim nga viti 1912, zonat e rezistencës ndaj eksperimenteve sovjetizuese, gjendeshin të copëtuara në pjesë dhe të shpërndara në disa qarqe, që nuk jepnin shumën reale për përcjelljen e vullnetit krahinor në kryeqendrën politike. Qëllimi kryesor i këtij copëtimi të paragjykuar ka qenë sundimi më i lehtë nga ana e grupit politik që kontrollonte Shqipërinë nga Blloku në Tiranë. Për 30 vite gjatë tranzicionit të papërfunduar, me gjithë përpjekjet e vazhdueshme për restaurimin e ndarjeve tradicionale administrative të Shqipërisë, në respekt të të drejtave komunitare dhe të përfaqësisë së përshtatshme në Parlamentin e vendit, në asnjë rast nuk u prekën disa ndarje të qëllimshme pararendëse të prefekturave të Shqipërisë dhe pak herë në kohë, u arrit të kompensohej financiarisht persekutimi i qëllimshëm në aspektet zhvillimore të krahinave alpine.

Ardhja e brezit të dytë të komunistëve në pushtet, në vitin 2013, e rrokullisi sërish punën sistemuese për kah padrejtësia dhe krijimi i një strukture të atillë administrative, që i jepte teorikisht PS, fitoret elektorale në tavolinë, për shkak të peshës politike të zonave mbështetëse të komunizmit në numrat e pushtetit qendror dhe krahinor. Si për t’u tallur në mënyrë cinike me qytetarët, një trashëgimtar i komandantëve të dikurshëm u vendos në krye të “punëve barazuese” të europianistëve të sajuar. Rezultati final ishte një katrahurë e rafinuar mjeshtërish urrejtës të Gegnisë, që mori emrin “reformë territoriale administrative”. BE nuk pati asokohe në Shqipëri asnjë ekspert të spikatur të historisë, traditave dhe njohës të përjetimeve të brendshme të shoqërisë, dhe për rrjedhojë e miratoi si reformë nismën çekuilibruese të qeverisë. Por sot vendi vuan nga padrejtësia përfaqësuese, nga shpërndarja e pabarabartë e investimeve dhe shërbimeve, nga politikat diskriminuese të qeverisë, që janë lehtësisht të verifikueshme edhe nga të dhënat zyrtare.

Prej kohësh, unë kam mbrojtur tezën se pa vendosjen e Shqipërisë ne drejtësi dhe balancë historike, në aspektin e ndarjes administrative dhe të kolegjeve elektorale nëpër qarqe, mbi skemat themelore të tradicionit, të kombinuara mbi gjendjen e sotme faktike, nuk mund të ketë zhvillim simetrik, zgjedhje të lira në vend, as edhe një përfaqësi të drejtë dhe të ndershme të Atdheut.

Liria komunitare është shekullore në Shqipëri dhe është respektuar përherë nga autoritetet. Ajo liri është dhunuar nga diktatura, por ajo nuk mund të vazhdojë të deformohet për llogari të udhëheqësisë politike aktuale të Tiranës, edhe në ditët kur rruga e integrimit në Europë mund të hapet.

Pikërisht politikat afatgjata diskriminuese, mungesa e investimeve themelore në rrugët ndërlidhëse të Shqipërisë së Veriut, kanë imponuar në kohën e konfuzionit ikjen dhe braktisjen e vendeve me potenciale të jashtëzakonshme ekonomike dhe turistike. Banorët e Alpeve edhe janë larguar, por ata kurrë nuk kanë hequr dorë nga të drejtat e pronësisë shekullore private dhe komunitare të njohura në shekuj, të cilat shteti i sotëm mosveprues dhe falsifikues nuk ua regjistron, madje po orvatet fshehurazi t’ua pikëtojë në të mirë të parellinjve të rinj të Tiranës. Prej kohësh, njerëz vullnetmirë dhe mendjehapur të komuniteteve në ato anë kanë kërkuar ndërtimin e arterieve të jetës dhe zhvillimit në këto anë: a-Rrugës së Drinit (Laç i Vaut të Dejës- Koman-Fierzë-Gjakovë); b-të rrugëve vertikale që përshkojnë luginat e Alpeve; c- Rrugës PrekalKir –Mali Shoshit- Ndreaj-Breg LumitThethë; d. (ose të projekti alternativ) Rrugës Prekal- Ndërvenë (vendi ku duhet të fillojë aksi i ri) – Lugina e Libriqes (aks i ri) – Le i Keq- Nicaj Shosh- Dardhë -Pepaj ShoshPortat e Shalës-Theth (55 km nga Shkodra) dhe më pas nga Portat e Shalës- Vuksanajfshati Bob- Fshati Salcë- Lekbibaj-Fshati Telaj-Dushaj -Bajram Curri-Gjakovë). Shqipëria e Veriut dhe Kosova do merrnin frymë, trarët e “Kastriotëve” do të rrëzoheshin përjetësisht.

Edhe një gjë tjetër: mënyra sesi është transformuar autonomia vendore, pas ndryshimeve të vitit 2015, posaçërisht pas zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, i ka shndërruar qytetarët e paktë të mbetur në periferitë e palidhuna me rrugë të Shqipërisë, në bashkësi të pakta njerëzish të qeverisur për inerci, por jo qytetarë që luajnë rol vendimtar mbi të ardhmen e vet. Ky fenomen po kulmon këto ditë, për shkak të arrogancës kryeministrore, që zhvilloi zgjedhje pa opozitën dhe përkundër arsyes dhe përgjegjshmërisë publike. Me një mjeshtëri njerëzish të rafinuar për të keq, udhëheqësit socialistë të Tiranës e kanë shkapërdarë fuqinë e bashkësive dhe komuniteteve në Shqipëri, ndërsa detyra e opozitës është stabilizimi dhe rivendosja e shoqërisë në liri zgjedhore, ligj, drejtësi dhe barazi përfaqësuese.

Në kundërshtim me parimet e sistemit demokratik, udhëheqësit socialistë janë përpjekur dhe po vijojnë të mos e ndajnë pushtetin lokal dhe përfaqësinë krahinore në kryeqendër, me qytetarët e periferive. Marrja e të drejtave të popullit nga një pakicë e drejtuesve e Partisë Socialiste gjithandej në vend pas 30 qershorit dhe vijimi i marrëzisë së qeverisjes në këtë mënyrë në krahina, është përmbyllja e një cikli hakmarrës, që veç zgjat agoninë. Mjafton të shikosh çfarë ndodh në Bashkinë e Shkodrës me përfaqësinë dhe afatet e ripërtëritjes së sovranitetit, për të kuptuar thelbin e jashtëligjshëm të veprimeve të Kryeministrit. E njëjta situatë është në edhe Durrës, Vorë, Bulqizë, Mat, Mallakastër, etj.

Megjithatë, hapja e siparit të korrigjimeve nuk mund kufizohet me ndërhyrje të përcipta. Rikodifikimi elektoral duhet t’i japë Shqipërisë përfaqësuesit e vërtetë, por kjo duhet shoqëruar paralelisht me korrigjimin e ndarjes administrative, ndryshimin kompensues të buxhetit të shtetit për bashkitë e reja dhe përgatitjen e projekteve kompensuese në aspektin infrastrukturorë.

Propozimin për korrigjimin e hartës administrative do ta filloj nga Shkodra, qyteti dhe qarku ku zëri i qytetarisë ka qenë përherë influent, ndërkohë që sot vuan nga pilotimi dhe injektimi i dhunës dhe padijes: 100 vite ma parë, Këshilli Kombëtar (Parlamenti) i Shqipërisë përbëhej nga 77 deputetë, ndërkohë Shkodra përfaqësohej nga 12 të tillë, të gjithë pa përjashtim intelektualë dhe përfaqësues të njimendtë, edhe pse sistemi zgjedhor i atëhershëm ishte dyshkallësh. Ky lloj raporti në ndërtimin e përfaqësisë dhe qeverisjes qendrore është ruajtur në të gjitha kohërat, deri kur komunistët vendosën në plan të parë sundimin e “operativëve”. Pozicioni tradicional i Shkodrës sot duhet të rivendoset. Për sa i përket ndarjes administrative, bazuar në kriterin historik dhe atë të nevojës zhvillimore kompensuese, Qarku i Shkodrës mendoj se duhet të përbëhet nga këto bashki: 1. Bashkia e Malësisë së Madhe me qendër në Bajzë, me njësitë administrative Kastrat, Kelmend dhe Shkrel, të cilave u shtohet edhe Njësia Administrative e Hotit. Pavarësisht se pjesa më e madhe e vendbanimeve të Hotit ndodhet arbitrarisht në Republikën e Malit të Zi, qeveritarët e Tiranës duhet ta kenë të qartë se Malësi pa Hot nuk mund të ketë. Në këtë njësi të re administrative duhet të përfshihen: Kusha e Hotit, Hani i Hotit, Lulash Pepajt, Dajçi i Hotit, Kolaj, Deckaj, Gryka e Kushes, Brixha, Starja dhe Rapsha. 2. Bashkia e Mbishkodrës me Qendër në Koplik, e përbërë nga njësitë administrative Koplik Qendër, Koplik i Sipërm deri në kufijtë e Shkrelit tradicional, Gruemirë, si dhe krijohet njësia administrative Gril-Shtoj; 3. Bashkia Dukagjin me qendër në Breg të Lumit, ose në Kodër Shën Gjergj, e përbërë nga: njësitë administrative Shalë, Shosh, Pult, Shllak dhe Temal (Mbetët për t’u diskutuar mbi pozicionin e Nikaj Merturit në ndarjen e re). 4. Bashkia Shkodër, e përbërë nga Qyteti Metropolitan i Shkodrës, me 5 rajone që duhet të jenë njëkohësisht edhe 5 zona elektorale në qytet në sistemin maxhoritar, ose në llogaritjen proporcionale të përfaqësisë kombëtare, ose krahinore; Njësia Administrative Rrethina, e zvogëluar tanimë nga heqja e një pjesë të fshatrave në pjesën veriperëndimore të qytetit; njësitë administrative Postribë, Guri i Zi, Berdicë, Ana e Malit, Dajçi i Bregut Bunës dhe Velipojë. 5. Bashkia e Laçit të Vaut të Dejës që do të përfshijë Vaun e Dejës Qendër, Hajmel, Bushat dhe Vig Mnelë. 6. Bashkia Pukë dhe 7. Bashkia Fushë-Arrës mbesin siç janë përgjithësisht.

Qarku i Lezhës: 1. Në këtë qark krijohet Bashkia e Sapës, që duhet të përfshijë fshatrat e rrjedhës së majtë të Drinit, me njësitë Blinisht, Dajç Kallmet me kryeqendër në Nënshatë, që shkëputen nga Bashkia e Lezhës; 2. Bashkia e Lezhës me Balldre, Kolsh dhe Zejmen, Shënkoll- Bregmatë me kufi ndarës Lumin Drin deri në grykëderdhje dhe një pjesë të rrugës automobilistike Lezhë-Shëngjin; 3. Bashkia e Shëngjinit rikthehet më vete, duke përfshirë gjithë bregun e detit nga grykëderdhja e Drinit deri në Ranën e Hedhun. 4. Bashkia e Laçit, që mban sërish Milotin, Fushëkuqen dhe Adriatikun dhe merr nga Durrësit një pjesë të Njësisë Administrative Ishëm (Bizë), që përfshin Kepin e Rodonit, kompleksin historik të Kalasë së Skënderbeut dhe gjithë faqen jugore të Rodonit, në të gjithë hapësirën deri në fillim të plazhit aktual të Lalzit, që i mbetet Qarkut të Durrësit.

Krijohet Qarku i Mirditës, mbi bazën e rikompozimit territorial të pjesës të brendshme të krahinës së Mirditës: Në Mirditë rikrijohet: 1. Bashkia Rubik; 2.Bashkia Rrëshen me Kthellë Kaçinar, Selitë, dhe nga Mati merr Urakën, Bazin, Shkopetin, Zall Gjocaj dhe Bushkash; për arsye tradicioni krijohet Bashkia Orosh me Orosh dhe Fan dhe Kushnen, dhe nga Dibra mund të shihet mundësia e kalimit të Lurës.

Rregullime të tjera: Rikrijohet Bashkia Mamurras, që do të duhet të përfshijë edhe Kodër-Thumanën, të hequr nga Kruja. Ndërkohë, për arsye të të drejtave të kahershme pronësore të përdorimit të kullotave, mund të shihet opsioni që Adriatiku, Fushëkuqja, Biza dhe Rodoni të jenë, në mos në Bashkinë Laç, të kalojnë në Bashkinë Mamurras.

Krijohet Bashkia e Fushë-Krujës me qytetin me të njëjtin emër, Rinas, Nikël, Bubq. Bashkia e Krujës kufizohet territorialisht në qytetin historik dhe me pjesën malore që përshin Luginën e Vajës deri në QafëShtamë.

Njësia Administrative Kryevidh dhe Lekaj, aktualisht pjesë e Bashkisë Rrogozhinë, mendoj se duhet të ribëhet pjesë e Bashkisë së Kavajës, siç ka qenë historikisht. Divjaka u bashkohet njësive të mbetura të Bashkisë Rrogozhinë, duke ndërtuar një bashki të vetme. Këlcyra i bashkohet Bashkisë së Përmetit për shkak të numrit të popullsisë. Ura Vajgurore i bashkohet Beratit mbasi përbëjnë një unitet. Cërriku dhe Belshi bashkohen në një bashki të vetme. Njësia administrative Hore Vranisht i hiqet Himarës dhe i bashkohet Bashkisë së Selenicës. Roskoveci i bashkohet Patosit në një njësi të vetme. Tepelena dhe Lagja e Minatorëve (Memaliaj) bashkohen në një njësi të vetme administrative. Njëlloj, për të njëjtat arsye si për themelimin e Bashkisë së Liqenasit në Korçë dhe Bashkisë së Dropullit në Gjirokastër, do të duhet të veprohet edhe me krijimin e Bashkisë së Gollobordës (Fusha Studen, Borovë, Zabzun, Stërblevë, Klenjë, Sebisht, Gjinovec, Tërbisht, Vernicë, Tuçep deri tek Ura e Shupenzës me kryeqendër Ostren) në Qarkun e Dibrës.

Qeverisja krahinore nuk është shtojcë e qeverisë qendrore, por një pushtet i themeluar nga historia jonë, fryma e vetëqeverisjes demokratike, e krahinave që bashkohen në shtetin nacional. Ripërtëritja dashamirëse e shtetit postrilindas duhet të ndodhë duke njohur dhe respektuar rigorozisht ndarjen tradicionale historike të vendit në pikëpamje administrative. Vetëqeverisja krahinore duhet të synojë thjeshtëzimin e jetës së popullit, zbukurimin e saj dhe jo ndërlikimin dhe shmangien e përfaqësisë. Dhe ky korrigjim duhet të ndodhë pa tronditje, me vendosmëri, largpamësi dhe tolerancë. Koha e reformave të papërgjegjshme dhe e kauzave absurde, lëvizjeve të devijuara nga binarët e arsyeshëm, duhet të marrë fund. Reforma elektorale duhet të synojë, jo vetëm shkatërrimin e sistemit të nëndheshëm të blerjes paraprake të votës, por edhe ndërtimin e barazisë në një përfaqësim të papilotuem.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...