“I love” Shqipëria

Tuesday, 04 February 2020 11:16

LUÇIANO BOÇI 

Film-gallata “I love Tropoja” ka ndezur një varg polemikash artistike për vlerat dhe mesazhet që transmeton, për shkak të shumë simbolikave, konteksteve dhe interpretimeve, të amplifikuara, sidomos midis së tjerave, për rolin e dajës-gangster nga Kryeministri.

Momentet e humorit ndërthuren me momentet e cinizmit dhe kufijtë e artit, propagandës, komedisë, talljes së nivelit të tavolinave, qëllimeve me aromë dufi e politikës së nënkuptuar, ngatërrohen keqas.

Përtej komercializmit banal dhe artit urban, i ashtuquajturi film do mbahet mend, sidomos për shërbesën kryeministrore.

Marrja përsipër nga Rama e një roli të tillë në një skenar të shkruar enkas për këtë funksion, nuk është aspak e rastit.

Që në nisjet e tij kandiduese politike, Rama ka zbatuar mirë direktivat e Leninit për hir të formimit e të vazhdimësisë politike, për ta shndërruar artin në një armë efikase të propagandës.

Mos harrojmë se kur merrte mandatin e dytë, Rama u mjaftua të ndërfutej krah Doktor Florit në këngën e famshme të “West Side Family”, “(I love) Tirona” e të zvargte pa asnjë art fjalët:

“Zhurmë, shumë zhurmë, sa zhurmë”, për të arritur qëllim e tij të fitimit të imazhit në publik. Kënga me tekstin argëtues dhe me art, bëri deri diku që simptomat e çmendurisë së betonit dhe sëpatave t’u dukeshin tironsve si një normalitet, si një gjë e zakonshme brenda mbretërisë së kaosit, që Rama vetë sapo kishte nisur ta krijonte. Ajo, me shpeshtësinë propaganduese të shfaqjes, ndikoi jo pak në rehabilitimin e figurës së Kryetarit të Bashkisë, veçanërisht midis brezit të ri, i cili ndikohet shumë nga trendi i kohës.

Një konvencion të tillë ai e përdori dhe gjatë viteve të keqqeverisjes së tij. Tani, në një arenë akoma më të gjerë.

Ai kërkonte të impresiononte me termin “artist” opinionet e kancelarive përpos atyre kombëtare.

Por dështimi nuk vonoi të vinte, kësaj radhe falë mediokritetit artistik.

E pas këtyre daljeve në ekspozita-gallata me vizatime halucinante, të cilat nuk prodhuan gjë, përpos pak gajreti ndërkombëtar për Kryeministrin, Rama iu kthye tani aktrimit. Kësaj here si komedia, pa ndryshuar aspak qëllimin. Kështu të paktën duket për publikun. Qëllimi kryesor, krahas të tjerave në këtë film gallatë që ka Rama, është shitja në opinion e figurës së një Kryeministri-bandit si diçka normale. Madje, as normale, por akoma më shumë, diçka për të qeshur. Që ai jo vetëm të dyshohet se është i inkriminuar, por, edhe nëse është, të pranohet si diçka që duhet të ndodhë, si meritë, si trend i kohës, si evoluim politiko-artistik, nga publiku i gjerë. Shpesh, ai është përpjekur jo pa sukses që pikën e dobët të tij ta shndërrojë në pikën më të fortë, nëpërmjet mijëra marifetesh, simbolesh të mbrapshta dhe propagandës së shfrenuar. Por nxitimi këtu e kapërceu arsyen.

Dalja e tij si “dajë” me flokë të gjata, kinse si personazh, nuk e shpëton atë të jetë “heroi” negativ i një realiteti, të cilin e ka ndërtuar vetë përgjatë këtyre shtatë viteve dhe të cilin kërkon me zor ta përcjellë si fiction.

Sado të përpiqet ai të qesharakëzojë imazhin real të tij si Kryeministër i lidhur me krimin, humori që prodhon është i hidhur.

Madje, efekti është i kundërt nga ai që ai po kërkon të instalojë. Identifikimi i identikitit të tij si profil i akuzuar me lidhje mafioze bëhet më i plotë në sytë e publikut me “dajën” dhe gallatën e filmit.

Të gjithë, pavarësisht dozave të humorit momental, ngarkohen me doza neverie, dhe pse jo pak fajësie, që kanë në drejtim të vendit një karakter të tillë.

Rama aty nuk është, në fakt, në aktrim, aty është te vetvetja. Një Kryeministër i impostuar në habitatin e vet ku ndihet mirë, ku pamja i rri mirë me shpirtin, ku fjalët i përputhen bindshëm me idetë e ku veprimet harmonizohen me qëllimet.

Më saktë, ky është Rama i vërtetë, daja i krimit, i vendosur në një situatë të stisur skenike humori.

Aktrimi këtu s’ka vend e as vlerë. Aktrimin Rama e bën kund tjetër.

E bën në atë që mund të konsiderohet si telenovela shtatëvjeçare “I love Shqipëria” e qeverisjes së tij, prodhim i kinostudios “Rilindja e re”.

Këtu po që aktron. Këtu Rama luan Kryeministrin, ndërkohë që është realisht “daja” i krimit.

Nën petkun e këtij roli shtatëvjeçar, del para njerëzve e bën si i mirë, si i dhimbsur, ndërkohë që daja i urren tmerrësisht njerëzit, i zhvat, i përqesh.

Del para kamerave dhe i veshur shik si Kryeministër, flet, mashtron, se këtë ia kushtëzon daja brenda qenies së tij.

Pastaj negocion në emër të kombit, por instinkti i dajës e çon te thika pas shpine. Kryeministrin e aktron mirë, kur thotë e bën sikur do luftojë krimin.

Një Kryeministër nuk mund të vrasë dajën, që është brenda tij. Prandaj, e gjithë shfaqja që ai jep para publikut është trillim, fiction. I gjithë shteti që ai vizaton është një falsitet prej letre.

Ditën ai është Kryeministri në rol. Flet për rend, ligj, reforma, të mirën, lumturinë. Nxjerr gjuhën, bën kollotumba, zgërdhihet, zvargon fjalët. Në darkë është daja në aksion. Shan e përshan vartësit dhe ushtarët. Ulet e ndan tepsitë e plaçkën e interesave me krimin. Thur intriga, përplasje, eliminime kundërshtarësh. Përcakton të fortët e territoreve. Bën llogari votash politike e dille përtej kufirit të pista.

Urdhëron policët, prokurorët, gjyqtarët, pi verë të kuqe dhe vazhdon me të njëjtat huqe. “I love Shqipëria”, ndërkohë, ka shikueshmërinë më të lartë në ekranet më popullore e kombëtare të blera, duke konkurruar dukshëm telenovelat turke dhe në kanalin e vetë dajës, ERTV.

Ndërkohë, njerëzit me zor po presin fundin, fund në të cilin personazhi kryesor, Kryeministri, që është daja i krimit të “I love Tropoja” të diskreditohet dhe të bjerë nga froni.

Por pritja për rënie nuk mjafton. Duhet rrëzim.

Daja i krimit i “I love Tropoja” nuk mund të vazhdojë më të jetë Kryeministri, sepse, përtej telenovelës së tij shtatëvjeçare “I love Shqipëria”, njerëzit e duan vërtet këtë vend, e duan Shqipërinë.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...