Pse një çerek-arstisti si Mamaqi dhe Rama Kryeministër bëhen bashkë në një qokë të ndërsjelltë...

E Enjte, 06 February 2020 11:51

AGRON GJEKMARKAJ 

Kryeministri ynë u shfaq së fundmi edhe si aktor me një paruke të mnershme mbi krye e një mantel po kaq hukubet mbi trup. U bë pjesë e një grupi aktorësh në kinse filmin “I love Tropoja”, paçka se kjo është një fjalë e madhe, që i rri profesionit të tyre krejt si shala e kalit gomarit. Ermal Mamaqi alias Landi, i cili nuk të bën as me qesh as me kja me rolet e veta, thjesht ta vret kohën, mendoi me e marrë vëmendjen e opinionit publik me një gjetje artificiale.

E bindi Edi Ramën me lujt rolin e të fortit, të “Dajës” që i shpëton erzin dhe burrninë në një subjekt që nuk është subjekt me një muhabet brekësh. Ky është i vetmi sukses artistik, politik dhe ekonomik i një filmi, që nuk është film. Gjindja prej kureshtjes me pa “Dajë” Ramën aktor ka me i ble aty-këtu do bileta. Mamaqi, i cili si shumë të tjerë në këtë vend mendojnë që së pari me rregullue punët e veta e mandej çka të teprojnë me bâ art, nuk i ka konceptue keq llogaritë.

Banalitetin e vet artistik e ambalazhon me taftâ Kryeministri. Vetëm në një rast ka ndodhë që një Kryeministër të bëhet pjesë e një filmi. Xhulio Andreoti te “Taksisti” me Alberto Sordin, po ama si Xhulio Andreoti, pa ndërrue emër, as profesion, ku Sordi luan shoferin e në mes tyre zhvillohet një dialog mbresëlënës e plot domethënie, pa glaca vulgut. Po ata të dy ishin Alberto Sordi, i cili nuk kishte nevojë për asgjë e Xhuliano Andreoti gjithaq, kaja Zot nanën dhe jo Mamaqi me Ramën e trukuar si “Dajë i fortë”. Uff, çfarë këllirëllekut nëse vetëm për një minutë e marrim si subjekt artistik.

Po Rama, pse e pranoi rolin? Shefi i ekzekutivit në rol është çdo ditë në “Facebook”, “Instagram”, në ERTV, por edhe në takimet sy për sy ku servir tashmë vetëm batuta që nuk bëjnë më me qesh. Me gjasë, i nevojitet ende më. I duhej edhe ky rol, propozimin për të cilin duhet ta ketë prit me qejf e dalldi. Ai ka vendosë me qenë prezent kudo e për gjithçka, me iu dalë shqiptarëve përpara atje ku nuk e presin. Edhe pse e ka humb besimin e tyre për gjëra themelore, mundohet me fitu simpatinë e tyre të momentit, por pretendimi nuk është kaq naiv.

Mesazhin e forcës do ta përcjellë në çdo rast, pa përçmue asnjë instrument. Njeriu i gjithëpushtetshëm, i cili ka zaptue institucionet me konet e veta, ekonominë me 10 veta, një pjesë të mediave, po rekruton kudo sejmenë në sferat e jetës në shërbim të propagandës. Në film, ai shfaqet si personazhi që vendos, që përmbys situatat, që dominon hapësirën me hire shpëtimtari. Aty bën të fortin, pikërisht atë kategori bashkëpunimi me të cilën e ka sjellë në pushtet dhe që e mban me të. Me një lexim frojdian, i zbulohet edhe kompleksi i vjetër që ka ndaj tyre.

“Daja i Landit” u përkëdhel sedrën. Në vitin e shtatë të pushtetit, në dekadencë të plotë me krusmën e banalitetit në shteg të ballit, rrethuar me zorzopë që ta matin kokën me pe, ai me mjete artistike u bën selam të fortëve, iu shfaq admirim, iu rrëfen që i ka model, që i do. E bën këtë në momentin e duhur, në një moment nevoje. Zgjedhjet e kohshme ose dhe të parakohshme janë afër. Ata i duhen e madje të motivuar në çdo mejhane kryeqyteti, qyteti a katundi me barkun kodër e mendjen lodër tek i bien kavallit të fitimit, Edi Rama u shfaqet si njëri prej tyre. Tek kruajnë barkun a lëshojnë ndonjë gromësimë birre, ndihen të realizuar se njëri që ëndërron t’u ngjajë drejton vendin dhe sytë u skuqen prej lezetit.

Një mënyrë kjo efikase për t’u fërkuar sedrën, paçka se etikisht një mjerim i madh që s’ka të sosur. Për momentin duket se shoqëria ka dy protagonistë: “Landin” dhe “Dajën” e tij. Në fakt, ata janë të dy tipa të vërtetë dhe këtu qëndron e vetmja vlerë që duhet marrë në konsideratë. Njëri çerekartisti shërbëtor e tjetri Kryeministër, të cilët bashkohen në filmin që nuk është film, po një qokë e ndërsjellë. Në këtë kontekst, Daja me Landin i bëjnë mirë llogaritë, spektatorët jo edhe aq. Filmi ishte loja sipas një batute të Ndrek Lucës tek kuante kapter Ramiun në “Duelin e Heshtur”. “Daja i Landit”, prej vitesh nuk i ka qejf brekët dhe na e përsëriti prapë që të mos e harrojmë si maksimën e tij kryesore të mendimit e veprimit në këto 23 vite pushtet. Landi thjesht ia lan e hekuros, u merr erë, lëshon një psherëtimë kënaqësie dhe i fut në sirtar.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...