Basha një hap para Ramës

E Enjte, 12 Mars 2020 14:10

Dallimi ndërmjet qendrimit që mbante Rama ndaj opozitës pas tërmetit të 26 nëntorit me qendrimin që ai mbajti ndaj akuzave të Bashës në Twitter për 1.2 milion maskat e skaduara të shpërndara për mjekët, nxori në pah ndryshimin e sjelljes opozitare të Partisë Demokratike. E mikluar nga ideja e një opozite që nuk dëshiron të koleksionojë kapital politik nga një fatkeqësi, PD zgjodhi rrugën e gabuar: atë të akumulimit të kapitalit politik duke u treguar bashkëpunuese dhe e përmbajtur. Koha tregoi se ajo lloj përmbajtjeje i dha Ramës oksigjen të pamerituar dhe e përkeqësoi menaxhimin e fatkeqësisë.

Zbulimi i rasteve të para me të infektuar nga koronavirusi tregoi se edhe kësaj here regjimi Rama-Veliaj ishte bërë gati ta kalonte këtë emergjencë me ahengun e propagandës. Në funksion të këtij qëllimi ishte edhe fushata butaforike e javëve të fundit në rrjetet sociale, ku shfaqeshin njëra pas tjetrës si në një ankand sendesh pa vlerë, opsione artizanale për luftimin e virusit nga hudhra deri te mrekullia autoktone e rakisë. Vetë virusi po shitej nga zyrtarë të dorës së dytë të regjimit, si një grip ca më i butë se gripi stinor, simptomat e të cilit vërtiteshin nga teshtitjet e deri tek temperatura e lartë. Viktimat që ai po shkaktonte nëpër botë ishin kryesisht të moshuar me sëmundje terminale, me një fjalë ata që tashmë ishin me një këmbë në varr.

Denoncimi nga kryetari i opozitës Basha i skandalit të maskave të skaduara duket se ishte një lëvizje e paparashikuar nga plani A i regjimit për menaxhimin me propagandë të emergjencës. Pasi përpjekja për ta mbuluar skandalin me propagandë dhe lojë fjalësh dështoi, duket se Rama ka vendosur të kandisë opozitën me pranim sipërfaqësor të propozimeve të saj, duke i mveshur vetes, natyrisht, meritën e kurajos dhe përpjekjes për t’i bërë ato realitet.
Ramës, Veliajt dhe ministres së linjës në këtë ndërmarrje gjigande të propagandës së regjimit, Manastirliut, nuk u intereson aspak të menaxhojnë realisht pandeminë, por thjesht të dalin edhe kësaj here heronjtë të cilëve u detyrohemi jetët tona. Ashtu siç Rama, Veliaj, Dako dhe Ahmetaj na shpëtuan nga tërmeti, ashtu do të na shpëtojnë edhe këta nga koronavirusi dhe vdekja, me disa kurbane të pashmangshme.

Ndërsa Rama, Veliaj dhe Manastriliu janë non-stop në ekran duke predikuar se njerëzit duhet të lajnë duart, të rrinë në shtëpi dhe të mos vënë në vështirësi sistemin shëndetësor, të gjitha masat që ata kanë ndërmarrë i lidh vetëm një tipar: ato janë masa të bujshme, pra propagandistike. Mbyllja e bareve dhe restoranteve me shpotinë atërore ndaj pengut turkoshak të shqiptarit për të bërë muhabet në kafe, pezullimi nga Veliaj i transportit publik si një kërcim supermeni në garën për vëmendje publike, nxjerrja e ushtrisë në rrugë sipas stilit komando të prodhimit të mbresës se po punohet, janë të gjitha akte të të njëjtës dramë propagandistike.

Duket se të vetmit që po mendojnë si të ishin vërtet në qeveri janë opozitarët. Pasi ka bërë detyrat e shtëpisë me zbardhjen e skandaleve që fshihen pas kuintave të propagandës së regjimit, Lulzim Basha duket se është i vetmi që ka menduar më shumë se një hap: ja u izoluam dhe nisëm luftën për mposhtjen e koronavirusit, po ndërkohë ç’ndodh? Shumica dërrmuese e qytetarëve janë të detyruar të rrinë në shtëpi, pra të mos punojnë. Bizneset do të mbyllen dhe, duke mos shitur, nuk do të mund të shlyejnë këstet e kredive. Përveç kësaj, atyre u duhet të paguajnë punonjësit që rrinë në shtëpi dhe presin që shteti t’ua lehtësojë këtë barrë solidariteti.

Për të përforcuar bindjen se regjimi nuk i njeh vetes asnjë përgjegjësi për tejkalimin e krizës, gjobvënësit e Bashkisë së Tiranës dhe Policisë së Shtetit nuk e kanë ndalur dorën as këto ditë. Presin gjoba dhe detyrojnë njerëzit të shkojnë në radhë të gjata, ndërsa shefat e tyre predikojnë shmangien e grumbullimeve publike. Është e qartë, pra, se regjimi beson se koston e kësaj emergjence do ta paguajnë vetë shqiptarët, duke mos marrë përsipër asnjë fraksion të kësaj kostoje.
Gjashtë masat e propozuara nga Partia Demokratike dhe pranimi i mëpastajmë me gjysëm zëri nga Rama se edhe qeveria është duke punuar në të njëjtin drejtim, tregoi se Rama nuk është gjithmonë tre lëvizje para. Është opozicioni reagues dhe jonismues ai që e bën Ramën të duket përpara kundërshtarëve të tij. Me një lëvizje të thjeshtë proaktive, opozita e nxori Edi Ramën në prapavijë.

Një tjetër përfundim që mund të nxirret nga kjo lëvizje proaktive e opozitës është se qeverisja e vazhdueshme përmes propagandës të bën të dobët përballë një aksioni të papritur të kundërshtarit. Prej shtatë vitesh, Rama ia ka besuar suksesin e luftës së tij politike pikërisht shkathtësive të fjalës dhe harlisjes së imazhit që ai prodhon për të krijuar idenë e administrimit aktiv. Kjo ide është vaditur jo pak nga natyra reaguese dhe denoncuese e opozitës.

Një përveshje e mëngëve nga Partia Demokratike, që nuk e la mënjanë rolin e saj të denoncueses, por shtoi edhe një të djathtë hutuese me gjashtë propozimet për masa konkrete që ingranazhi i madh i ekonomisë të mos ndalet dhe të mos bjerë në kolaps, e la Ramën të paktën një hap pas. Është e qartë se suksesi i opozitarizmit do të dalë pikërisht nga ndryshimi i mënyrës së të mednuarit të vetë opozitarëve. Nëse këta të fundit nisin të mendojnë se çfarë do të duhej të bënin nëse do të ishin në pushtet, e kanë shumë të lehtë të lënë Ramën shumë hapa pas: të paktën një hap në çdo përplasje me stilin e tij propagandistik të qeverisjes.

Ditët dhe javët në vijim do të jenë dramatike për Shqipërinë. Edhe një përballje e vërtetë si ajo e Italisë me pandeminë nuk mund të kalojë pa dhimbje dhe humbje. Detyra e opozitës shqiptare është të mos lejojë regjimin Rama-Veliaj që dramën e njerëzve të zakonshme ta përdorë si bukë për dhëmbët e tij propagandistikë. Duke treguar rrugën e vërtetë që duhet ndjekur në këto momente tragjike, opozita do t’i bëjë dy të mira të mëdha Shqipërisë: të lërë Ramën dhe operacionin e tij e manipulimit publik disa hapa pas si dhe, duke fituar simpatinë e qytetarëve, të detyrojë Ramën të ndërmarrë hapat e duhura për menaxhimin e krizës.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...