Shqipëria renditet në vendin e 105, nga 153 shtete, në të njëjtin nivel me vende si Kamboxhia, Bangladeshi, Laosi, Nigeria. Nga vendet e rajonit, Maqedonia është në vendin e 90, Mali i Zi i 72-ti, Bosnja në të 69-n , Serbia e 64-a, dhe më pozitivja është Kosova në vendin e 35.
Treguesit në të cilët bazohet indeksi marrin për bazë të ardhurat për frymë, pritshmërinë për një jetë të shëndetshme, mbështetjen nga miqtë dhe të afërmit, të dhënat për bamirësi, liria për të bërë zgjedhje në jetë dhe nivelet e perceptuara të korrupsionit, tregues për të cilët shqiptarët duket se rezultojnë më të pakënaqurit në rajon dhe Europë, sidomos për korrupsionin.
Indeksi bën dhe krahasim për periudhën 2008-2012 dhe 2017-2019, ku Shqipëria ka një përkeqësim prej 0.65 pikësh, duke u renditur mes 20 shteteve me përkeqësimin më të lartë në botë, çka citohet dhe në raport. Raporti thotë se vendet me rënie më të mëdha zakonisht kanë vuajtur nga një kombinim i stresit ekonomik, politik dhe social.
E 13-a më e korruptuar në botë
Sipas të dhënave të raportit, Shqipëria është e 13-a në botë sa i përket nivelit të korrupsionit. Marrja e korrupsionit është mesatarja rajonale e përgjigjeve të të anketuarve ndaj dy pyetjeve të sondazhit të GALLUP: “A është korrupsioni i përhapur nëpër qeveri apo jo” dhe “A është korrupsioni i përhapur mes bizneseve apo jo?” Përgjigjia është mesatarja mes përgjigjeve 0 ose 1 (sa më afër zeros aq më pak i korruptuar), ku Shqipëria vlerësohet me 0.89, pra shumë afër 1, që tregon një vend të korruptuar.
Rajoni është rekord në korrupsion. Më e korruptuara në botë është Bullgaria, pastaj Rumania, Bosnja, Kosova në të pestin dhe Maqedonia është në vendin e 12.
Raporti
Raporti i Lumturisë është i bazuar në një anketë vjetore, ku pyeten rreth 1000 individë në më shumë se 150 vende të botës, të cilëve ju kërkohet që të rendisin, nga 1 në 10, për të parë nëse janë duke jetuar mirë apo jo. (Shqipëria ka marrë këtë vit 4.88 pikë).
Raporti synon të masë dhe të kuptojë mirëqenien subjektive.
Studiuesit kanë përdorur gjashtë tregues për të kuptuar rezultatet: Prodhimin e Brendshëm Bruto për frymë, pritshmërinë për një jetë të shëndetshme në lindje, mbështetjen nga miqtë dhe të afërmit, bamirësinë, lirinë për të bërë zgjedhje në jetë dhe nivelet e perceptuara të korrupsionit.
Individëve u bëhen nga Instituti Gallup pyetje të tilla si “Nëse do të ishit në telashe, a keni të afërm apo miq se ku mund të mbështeteni që t’ju ndihmojnë kur keni nevojë?”, apo “A jeni të kënaqur apo të pakënaqur me lirinë për të zgjedhur atë që doni të bëni në jetë?”. Një tjetër pyetje është “A keni dhuruar para për bamirësi muajt e fundit?”.
Perceptimet për korrupsionin merren po nga sondazhi i Gallup për dy pyetje: “A është korrupsioni i përhapur në qeveri apo jo?” dhe “A është korrupsioni i përhapur tek bizneset?”. Këto pyetje kombinohen me tregues të tjerë, si të ardhurat për frymë sipas fuqisë blerëse të publikuara nga Banka Botërore dhe të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë lidhur me pritshmërinë për një jetë të shëndetshme në lindje.
Shteti më i lumtur në botë është Finlanda, e ndjekur nga Danimarka, Zvicra, islanda, Norvegjia, Holanda, Suedia, Zelanda e re, Austria, Luksemburgu.
Në kahun tjetër të renditjes, shtetet më të palumtura janë Afganistani, Zimbabve, Ruanda.