Shumica e kosovarëve lejuan që shteti të kapej

E mërkurë, 27 May 2020 09:55

Nga Veton Surroi - 27/05/2020

Shumica e kosovarëve nuk e sollën kapjen e shtetit, por shumica e kosovarëve lejuan që shteti të kapej. Fakti që kapësit simbolizohen nga varfëria mendore e H.Thaçit nuk flet aq për epërsinë e kapësve sa për dobësinë e shoqërisë.

1.

Ka ditë që po lexoj disa libra të lënë manash për kohë më të mira dhe njëkohësisht u kthehem herë pas here aktualiteteve, një konflikt i tmerrshëm mes narracioneve, përjetuar brenda ca minutash. Përfaqësuesi më i spikatur i varfërisë mendore në Kosovë sot e disa vjet, Hashim Thaçi, kishte deklaruar se Albin Kurti dhe grupi i tij duhet të ballafaqohen me drejtësinë. E shqiptuar prej një njeriu që personifikon kapjen e shtetit- për aq sa në Këshillin e Evropës është miratuar një dokument zyrtar ku emërtohet “grupi i Hashim Thaçit”-do të duhej të shkaktonte një kombinim përqeshjeje dhe druajtjeje për arsye të njëjta. Pra, është fyerje intelektuale që një person i tillë të flasë për “grupe” e për “ballafaqim me ligjin”, por fakti se është fyerje intelektuale nuk e amniston rrezikshmërinë e deklaratës. Varfëria mendore nuk është e parrezikshme- përkundrazi. Një gazetar e shkrimtar jo shumë i njohur amerikan , E.W. Howe, kishte lënë disa fjalë për t’u cituar e njëra prej tyre na hyn në punë sot. “Hajni beson se çdokush vjedh”.

 

2.

Ashtu siç nuk është varfëria mendore e parrezikshme, nuk është as epërsia intelektuale mburojë prej së keqes. Kjo është dilema të cilën e shtjellon në një biografi ndryshme të Henry Kissingerit autori Barry Gewen. Për të përshkruar kontekstin historik e intelektual të Kissingerit , autori u mor, mes të tjerash, me Leo Strauss dhe Hanna Arendt, dy intelektualë të spikatur hebrenj të Gjermanisë që arritën të iknin, sikur edhe familja e Kissingerit, nga pushteti i Hitlerit e të strehoheshin në Amerikë. Që të dy intelektualët, në mënyrën e vet, u përpoqën të krijonin një interpretim të thelluar të një konstatimi të thjeshtë e të përjetuar në lëkurën e tyre, se demokracia liberale nuk është digë kundër autoritarizmit. Pra, jo vetëm se është e mundur që nëpërmjet zgjedhjeve të fitojnë forcat që janë kundër demokracisë, por njëherë të vendosura në pushtet këto forca të zgjedhura me votë të lirë e demokratike fillojnë të vendosin sistemin e tyre autoritar, në të cilin ndarja e pushteteve dhe institucionet demokratike fillojnë o të shërbejnë si fasadë o të shemben krejtësisht. Pashmangshmëria e tragjedisë u quajt kjo gjendje dhe është titulli i librit. Në vija të trasha, ky përcaktohet të jetë momenti i ndarjes së dy rrugëtimeve intelektuale e politike për refugjatët intelektualë hebrenjgjermanë. Për Kissingerin ishte hyrje në atë që ai ndoqi me vite të tëra në diplomaci, real-politikë. Pra, në botë nuk ekzistojnë vektorë të tjerë të rëndësishëm pos baraspeshës së forcave. Çështjet si demokracia dhe të drejtat e njeriut janë të rendit dytësor a tretësor. Për Hannah Arendt, është një rrugëtim i cili kërkon që zëri i angazhuar intelektual e aktivizmi shoqëror të mbrojnë institucionet e demokracisë e të lirisë atëherë kur një shumicë me votën e tyre ia hap rrugën autoritarizmit.

3.

Dilema e brishtësisë së demokracisë liberale, natyrisht, nuk ka si të mos jetë lexim aktual në botë sot. Nuk dyshoj se ka njerëz në Amerikë që duke lexuar fillojnë të mendojnë për kontekstin kur ishkëshilltari i Sigurisë Kombëtare, gjenerali Michael Flynn, i cili ka pranuar krimin e fshehjes së kon takteve të tij me punonjës të Qeverisë ruse dhe për këtë është dënuar me burgim, u absolvua nga Qeveria amerikane. Apo të atillë që në Evropë analizojnë se si është e mundur që popujt që kanë dalë nga diktatura, sikur polakët dhe hungarezët, pas tridhjetë vjetësh i hapin rrugë autoritarizmit. Diplomati i njohur francez Alexis de Tocqueville, që i pari përshkroi për publikun evropian demokracinë amerikane, shkroi në shekullin XVIII se “nëse ndonjëherë institucionet e lira të Amerikës shkatërrohen, kjo ngjarje do t’i vishet omnipotencës së shumicës”. Në rastin e Kosovës nuk besoj se kemi të bëjmë me shumicën që çon te kapja e shtetit; në njëzet vjetët e kaluar nuk ka pasur një fuqi politike që të ketë sunduar vetëm. Por, duke marrë mësim nga Arendt, po ashtu nuk ka pasur forcë rezistence të shumicës ndaj kapjes së institucioneve të vendit. Shumica e kosovarëve nuk e sollën kapjen e shtetit, por shumica e kosovarëve lejuan që shteti të kapej. Fakti që kapësit simbolizohen nga varfëria mendore e H.Thaçit nuk flet aq për epërsinë e kapësve sa për dobësinë e shoqërisë.

4.

Pashmangshmëria e tragjedisë, koncepti me të cilin u rrit dhe jetoi Kissingeri – pra se gjërat janë të përcaktuara të shkojnë mbrapsht dhe njeriu e pushtetet duhet të marrin masa parandaluese- ka edhe simotrën e kundërt. Simotra është se gjërat, disi, do të bëhen mirë. Në formën më të sofistikuar, ky është besimi se demokracitë kanë institucione aq të forta sa t’u rezistojnë tundimeve e sulmeve. Në formën më rudimentare, është në besimin e thjeshtë që gjallon edhe ndër ne, se bëhet mirë. Në thelb, në që të dyja rastet ekziston besimi i forcave të historisë që ecin në një rrugë të veten autonome, herë të udhëhequra nga e mira , herë nga e keqja. Sikur ta kishte ditur shkrimtari gjerman W.G.Sebald , në njërën prej ligjëratave të tij të fundit përshkroi tërë historinë e Evropës, idenë e rastësive e forcave determinuese historike, apo çfarëdo që të hyjë në punë me këtë rrëfim biografik për Ödön von Horváth: “Tregimet nga Pyjet e Vjenës” u shkrua nga një hungarez që shkroi gjermanisht e që iku para se të hynin nazistët. Mori azil në Paris, ku pasi u konsultua me një lexuese, fati që e paralajmëroi që të shmangë qytetin e Amsterdamit, të mos hipë në tramvaj dhe assesi të mos hipë në ashensorë, eci nëpër Champs Elysee kur ra një degë e një peme dhe e vrau.

*Marrë nga Koha.net, titulli origjinal:"Kissingeri ndër ne"

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...