SHBA nuk është “kundër UÇK-së”. Por ligji i propozuar “Për mbrojtjen e vlerave të luftës” minon lirinë e shprehjes dhe gjithashtu do të mund të minonte përpjekjet për të siguruar drejtësi. Luftëtarët e UÇK-së kanë luftuar për t’i shtrirë liritë për popullin e Kosovës, jo për t’i kufizuar ato.Sot, Kuvendi i Kosovës e ka në rend të ditës shqyrtimin e ligjit të propozuar “Për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së”. Unë besoj se ky ligj, pa marrë parasysh qëllimet e tij, nuk është në përputhje me zotimin për liritë themelore, që janë në thelb të Kushtetutës së Kosovës. Miratimi i ligjit, në formën e tanishme, do të dobësonte demokracinë e Kosovës.
Prej çastit kur ambasada jonë filloi t’i shprehte këto shqetësime – fillimisht në diskutimet private me prijësit politikë dhe me përfaqësuesit e veteranëve të UÇK-së, e kohëve të fundit përmes deklaratave publike – disa kanë qenë të habitur me qëndrimin e SHBA-së. A janë amerikanët kundër UÇK-së? Ç’ka të keqe në nderimin e përpjekjeve dhe sakrificës së veteranëve?
Më lejoni të shpjegoj qëndrimin tonë dhe të ofroj sugjerime se si të shkojmë përpara.
Së pari, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë “kundër UÇK-së”. Përkundrazi, e kuptojmë se sot Kosova nuk do të ishte shtet i pavarur pa përpjekjet e UÇK-së dhe organizatave të tjera rezistuese. Sa më përket mua, së pari kam jetuar në Kosovë vetëm katër vjet pas përfundimit të konfliktit, kur shenjat e luftës shiheshin ende kudo dhe kur vendi sapo po ia fillonte t’i merrte këmbët. Jam takuar me veteranë të luftës, me anëtarë të familjeve të personave të pagjetur, me të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës. Është e pamundshme të jetosh në mesin e popullit të Kosovës pa e kuptuar realitetin e luftës dhe pa i respektuar ata që e çliruan këtë vend, përfshirë edhe luftëtarët dhe civilët që kanë vuajtur përkrah tyre. Ne i mbështesim, në parim, nismat për të ofruar ndihmë financiare, mundësi për punësim dhe kujdes shëndetësor për veteranët dhe të mbijetuarat e dhunës seksuale, edhe pse këto qëllime duhet të marrin parasysh realitetin buxhetor me të cilin përballet Kosova, përfshirë edhe nevojën për t’iu dhënë përparësi kërkesave të menjëhershme për reagim ndaj COVID-19.
Pra, ku qëndron problemi me ligjin për vlerat e UÇK-së? Çështja themelore që rrezikohet me të është se e minon lirinë e shprehjes. Edhe pse do të ishte Gjykata Kushtetuese e Kosovës ajo që do të përkufizonte nëse ky ligj bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës, unë besoj se të paktën ai bie ndesh me frymën e atij dokumenti. Nëse kritika ndaj klasave të caktuara të njerëzve, organizatave dhe interpretimeve të historisë bëhet vepër penale, siç propozohet me ligj, atëherë kjo do të prodhonte efekt rrëqethës mbi lirinë e shprehjes. Do të frikësonte qytetarët – të çfarëdo etnie – që duan të ofrojnë pikëpamje apo interpretime përtej të zakonshmes, do të shkaktonte hije frike dhe pasigurie për fjalimet politike dhe do të çelte derën për ngritje tekanjoze ose selektive të akuzave.
Privatisht, shumë qytetarë të Kosovës – politikanë, gazetarë, akademikë – i kanë thënë ambasadës se tashmë nuk ndihen të qetë për të folur publikisht për këtë ligj, për shkak të atmosferës emocionalisht të ngarkuar që përcjell diskutimin publik për UÇK-në dhe vitet e luftës. Paramendojeni sa më të ndrydhur do të ndihen qytetarët nëse ligji miratohet.
Përveç kësaj, ligji do t’ia çelte rrugën legjislacionit që do të penalizonte format e tjera të lirisë së shprehjes, duke vënë precedentë të rrezikshëm. Penalizimi i kritikës ndaj çfarëdo grupi apo individi është hap i rrezikshëm, edhe nëse nuk është me atë qëllim, drejt autoritarizmit. Ka vende që p.sh. penalizojnë kritikën ndaj një Presidenti në detyrë ose ndaj prijësve të tjerë politikë – shprehje që është pjesë e diskursit të përditshëm të gjallë në Kosovë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në demokracitë e tjera.
Ligji i propozuar gjithashtu do të mund të minonte përpjekjet për të siguruar drejtësi. Dëshmitarët, pa marrë parasysh prejardhjen e tyre, do të pyetnin se a do mund të dënoheshin për shkak të dëshmisë për krimet e supozuara të individëve të asociuar me UÇK-në, madje edhe nëse ata individë janë akuzuar se kanë vepruar të vetëm e jo në emër të grupit.
Për më tepër, Kosova tashmë ka ligje kundër shpifjeve dhe fyerjeve. Këto ligje ekzistuese duhet të aplikohen nëse njerëzit bëjnë pohime të rrejshme, të vërtetueshme, kundër veteranëve të UÇK-së. Përkundrazi, ligji i ri i propozuar do të vinte një barrë të panevojshme mbi sistemin e zbatimit të ligjit dhe atë të drejtësisë. Do të ishte e pamundshme të zbatohej. Do të ofronte mundësi të lehtë që rivalët të hidhnin akuza mbi njëri-tjetrin, duke pritur që menjëherë do të pasonin hetimi dhe ndjekja penale. Kjo do të hapte rrugën për manipulime të ardhshme politike.
Për njëzet vjet, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë përkrahur Kosovën në rrugëtimin e saj për t’u bërë shtet tërësisht i pavarur, i njohur dhe i integruar në mënyrë të plotë në strukturat evropiane, perëndimore dhe ndërkombëtare, përderisa lidhet ekonomikisht me të gjitha shtetet fqinje. Për ta përmbushur këtë qëllim, Qeveria e Kosovës duhet të demonstrojë se është e përkushtuar për t’i mbrojtur të drejtat e të gjithë qytetarëve të saj dhe për ta respektuar sundimin e ligjit. Pra, cila është alternativa?
Ka aspekte në nismën për legjislacionin e ri që do të mund të luanin rol konstruktiv në nderimin e UÇK-së dhe në shërimin e plagëve ende të pashëruara të vendit. Edhe një herë, legjislacioni që do të ofronte mundësi të duhura arsimore, të punësimit dhe kujdesit shëndetësor për ata që janë përpjekur dhe kanë vuajtur gjatë luftës – duke përfshirë, ndër të tjera, edhe veteranët e UÇK-së – meriton të shqyrtohet.
Kam diskutuar me prijësit politikë dhe të veteranëve për dobinë që Kosova të investojë në një muze për luftën e Kosovës drejt pavarësisë. Në vendin tim dhe në vende të tjera, muzetë bashkëkohorë të luftës i nderojnë luftëtarët e së kaluarës, por po ashtu shërbejnë si bazë për hulumtime, reflektime të brendshme dhe hetime. Një muze i tillë në Kosovë do të mund të kontribuonte jo vetëm në edukim, por edhe për t’iu ndihmuar qytetarëve që të pranojnë dhe ta kuptojnë më mirë atë, që pa dyshim është histori e vështirë dhe e dhimbshme. Nëse bëhet siç duhet, do të mund të ishte instrument që i bashkon qytetarët, duke ndërtuar të ardhmen, duke u ballafaquar me të kaluarën me çiltërsi.
Luftëtarët e UÇK-së kanë luftuar për t’i shtrirë liritë për popullin e Kosovës, jo për t’i kufizuar ato. Në përpjekje për të shfaqur respekt për UÇKnë, Kuvendi i Kosovës nuk do të duhej që pa dashje të minonte trashëgiminë e saj.
* Autori është ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.
Shkrim i marrë nga “Koha Ditore”