Organet e drejtësisë së re kanë nisur punën me standarde të dyfishta. Dje është shënuar rasti më flagrant nga SPAK dhe Gjykata Kundër Krimit dhe Korrupsionit, ku për të njëjtën vepër penale janë dhënë dy masa të ndryshme sigurie. Për gjyqtaren Margjeka, në dosjen e së cilës provat të çojnë se familjarë të saj kanë premtuar favorizim në gjyq, gjykata vendosi “arrest shtëpie”, ndërsa kreu i OFL-së, Artan Shkëmbi u la pa masë sigurie, edhe spe nga autoritetet gjermane erdhën rrethanat rënduese se ai dekonspironte operacionet për bandat e trafikut të kokainës.
Parashikimet se institucionet e reja të drejtësisë po ndërtoheshin nga persona të kapur e përdorur politikisht duket se po konfirmohen çdo ditë. Një nga provat e para vjen nga SPAK dhe Gjykata Kundër Krimit dhe Korrupsionit, e cila në të njëjtën dite, për të njëjtën vepër penale, përdor standarde të dyfishta.
Opinioni publik dje u bë dëshmitar i skenës jo të hijshme, se si gjyqtarja e Durrësit, Mimoza Margjeka nuk lejohej nga policia të fliste me mediat, pasi Apeli i Gjykatës Speciale kishte konfirmuar për të masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’. Por vetëm disa minuta përpara kësaj skene, qytetarëve iu servir nga mediat një tjetër panoramë.
Kreu i OFL-së, Artan Shkëmbi, ndryshe nga gjyqtarja Margjeka, shfaqet i qetë e nuk ngurron të pozojë para mediave me pompozitetin e superioritetit. Pasi një ditë me parë iu dha mundësia që të shtynte seancën gjyqësorë sipas kërkesës së tij, Artan Shkëmbi mori edhe një dhuratë më të madhe nga SPAK e Gjykata Speciale e drejtësisë së re, të të hetuarit pa masë sigurie.
Gjyqtarja Margjeka dhe Artan Shkëmbi akuzohen për të njëjtën vepër penale, atë të korrupsionit. Në rastin e gjyqtares Margjeka, gjykata vendosi masën e sigurisë
“arrest shtëpie”, pasi sipas dosjes, familjarë të saj kane diskutuar për favorizim ne një proces gjyqësor të një të arrestuari për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm kufiri.
Ndërsa ne rastin e Artan Shkëmbit, kreut te OFL-së, institucion i ngritur nga kryeministri Edi Rama dhe ministri Sandër Lleshaj, gjykata mendoi ndryshe. Edhe pse ndaj tij provat janë konfirmuar nga autoritet gjermane për korrupsion dhe bashkëpunim me kriminelët duke dekonspiruar operacionet, gjykata u mjaftua me masën pezullim nga detyra, duke i dhënë edhe më tepër sharm parakalimit sfidues te Artan Shkëmbit.
Këto dy raste, për të njëjtën vepër penale, ne të njëjtën gjykate e në të njëjtën ditë, janë dëshmia më flagrante për veprimi me dy standarde të drejtësise së re. Por duket se institucionet e reja të drejtësisë e policisë, përfshi OFL-në janë ngritur posaçërisht për të vepruar si në ketë rast të standardeve të dyfishta. Afro një vit më parë, kur dyshohet se Artan Shkëmbi njoftonte trafikantët e drogës në Gjermani, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu kërkoi hetimin e 120 efektivëve të policisë, për arsyen banale, se kishin ndihmuar gazetarët për të siguruar informacione për një vrasje, që më pas do ia servirnin publikut. Por teksa Ardi Veliu bënte raprezalje ndaj vartësve qe bashkëpunuan me mediat në informimin e publikut, ne zyrën ngjitur me të tijën, lejonte Artan Shkëmbin që t’u vinte në dispozicion trafikantëve të dhënat e hetimeve nga partnerët ndërkombëtarë.