“Dueli” Meta-Rama për dekoratat

Diel, 18 October 2020 11:51

 

AGRON GJEKMARKAJ
Presidenti i Republikës është në të drejtën e tij legjitime të dekorojë figurat e rëndësishme të historisë apo ata që kontribuojnë në jetën e përditshme, duke ofruar modele shoqërore suksesi.

Deri më sot, askush nuk e ka vënë në diskutim këtë të drejtë kushtetuese të kreut të shtetit, i cili firmos dhe akordon nderime kësodore me iniciativën e tij apo me propozime institucionesh përtej emocioneve të çastit që ka prodhuar. Medaljet e fundit të dhëna nga Ilir Meta kanë zgjuar një debat të pazakontë, sidomos ato për Avni Rustemin, Vasil Laçin, Vojo Kushin apo ndonjë tjetër.

Zemërimin më të madh e ka shfaqur Kryeministri dhe qeveria, e cila ka kërcënuar se do rishikojë ligjin e dekorimeve për t’ia hequr apo reduktuar këtë të drejtë të parit të vendit.

Pse ndodh kjo? Parimisht, të vlerësosh apo rivlerësosh heronjtë, të gjithë ata personalitete që janë shndërruar në shembull etik për kombin, do të thotë të respektosh logjikën e historisë si një sistem i hapur, i cili rikonsideron elementet e veta dhe i risjell në momente të caktuara si ikona për meditim.

Kjo ndodh në çdo vend të civilizuar. Por, në rastin konkret, Kryeministri është shqetësuar politikisht.

Ilir Meta ka demonstruar gjithmonë një koherencë ndaj disa miteve të vërteta e të rreme të së majtës shqiptare. Ai me krenari deklamon se ka lindur në një shtëpi që ka qenë spital partizan. Po kaq në diskursin e tij, qysh në vitin 1990 e këndej, Lufta Nacionalçlirimtare është trajtuar si një tabu pak a shumë ashtu siç është trajtuar nga viti 1945 e këtej zyrtarisht apo nga Kinostudio “Shqipëria e Re” ku e vërteta shpesh është shtypur nga mitet e rreme ideologjike.

Ndërsa Edi Rama është futur në skenën publike shqiptare si antikomunist, si mohues i kësaj lufte, madje në librin e tij “Refleksionet” e quan vëllavrasëse e luftë civile si dhe krijimin e Partisë Komuniste si vepër të Miladinit e Mugozhës dhe këtu ka mjaft të vërteta. Mirëpo, baza elektorale e së majtës shqiptare nuk ka shfaqur interes për revizionim historik.

Ajo e ka të shenjtë tabunë ku e ku më shumë sesa qasjet rishikuese. Kjo vlen edhe për të gjithë historianët që gravojnë rreth saj. Rama më vonë ka ndryshuar qëndrim, duke demonstruar inkoherencë ideologjike. Befas, është shfaqur tallës me “ballistët që hanë pula” sipas versionit të filmave socrealistë dhe ditirambistë për luftën dhe derivatet e saj historike, duke kaluar nga një radikalizëm te një tjetër.

Së fundmi, ai tha që komunistët, duke marrë të atin referencë, ishin në anën e duhur të historisë, megjithëse kohë më parë tentoi t’u shkelte syrin nacionalistëve, duke risjellë eshtrat e Mithat Frashërit me një ceremoni solemne dhe me një fjalim po kaq të tillë. Me këtë zhvillim, ai shkaktoi disa të rrëqethura të kasketave leniniste që vërtiten anash Partisë Socialiste. Por, diku në atë kohë, dekoroi qeveria e tij hetuesin kriminel Shyqyri Coku, i cili kishte torturuar At Zef Pllumin dhe Sami Repishtin.

Ky i fundit, një nga personalitet kryesore të diasporës në Amerikë, reagoi me pezëm e indinjatë pardje për deklaratat e Kryeministrit, lidhur me “anësinë e drejtë” të komunisteve gjatë shekullit të shkuar. Heronjtë që dekoroi Ilir Meta janë tri mite të së majtës shqiptare. Presidenti pa dyshim që po luan edhe politikisht. Emri i Avni Rustemit lidhet me vitin 1920, vitin e “mrekullisë shqiptare”, siç e quan Aurel Plasari te “Vija e Teodosit rishfaqet përsëri – Nga do t’ia mbajnë shqiptarët”, sepse u bë Kongresi i Lushnjës, aty u formua qeveria kombëtare, Tirana u shpall kryeqytet, u bë Lufta e Vlorës dhe e Koplikut, u vra Esat Pashë Toptani, aleat i Antantës, fuqive fituese të Luftës së Parë Botërore, por edhe mishërim i idesë së një shteti të vogël muhamedan mes Matit dhe Shkumbinit sipas Traktatit të Fshehtë të Londrës.

Shqiptarët në vitin 1920, për herë të parë e mbase të fundit, bënë realitet një ëndërr bashkimin territorial e shtetin dhe kryesisht vetëm, pa ndërkombëtarët, të cilët në shumicë i patën kundër.

Ky dekorim bëhet kur përflitet shumë marrëveshja për detin me Greqinë dhe enigmat rreth saj, megjithëse Shqipëria nuk është më në kërkim të heronjve të patllakes, ndonëse nuk mund të admirojë më as mendjelehtët apo kandidatët për tradhtarë që luajnë me interesat kombëtare.

Vasil Laci, në moshë 17 a 18 vjeçare, tentoi të qëllonte perandorin Viktor Emanueli, Mbretin e Italisë pushtuese, pa dyshim një akt patriotik ky që bashkon të gjithë ata që kanë nderim për lirinë e vendit të tyre. Vojo Kushi u vra nga italianët në përpjekje me karabinierët, ndonëse tankun me gjasë ia ka shtuar regjisori socrealist. Një i ri ky që dha jetën për vendin e vet. Simbolika e këtij rivlerësimi ka shkuar skajeve të imagjinatës. Çudia është se Partia Socialiste dhe personazhet mediatike që gravojnë rreth saj i kundërshtuan këto dekorime, i satirizuan duke mos fshehur shqetësimin.

Në këtë mënyrë, ata ranë në kurthin e Ilir Metës, i cili me gjasë e kishte për qëllim të krijonte këtë diversion mes bazës ideologjike të së majtës dhe partisë kryesore të saj në vend. Dekorimet vunë përballë “koherencën” ideologjike të Metës përballë “inkoherencës” së Ramës, djalin që ka lindur në “spitalin partizan” me atë që thoshte se lufta ishte “vëllavrasëse dhe civile”.

E majta shqiptare ende s’ka gjetur forcën ta rishohë historinë e saj dhe të pranojë si të vetët edhe ata të majtë viktima të komunizmit si: Sadik Premte, Zai Fundo, Anastas Lulo, Ymer Dishnica, Sejfulla Malëshova, Mustafa Gjinishi, madje këtë forcë s’e ka gjetur as Presidenti i Republikës.

Nëse Presidenti nuk e ka vetëm në funksion të politikës së ditës, si një politikan që vjen nga e majta dhe beson te qitapët e komunizmit si Erjon Braçe te levrekët e Karavastasë, duhet të dalë jashtë sinorëve ideologjikë dhe të vlerësojë edhe ata që i qëndruan tiranisë komuniste si: Abaz Kupi, Prek Cali, Mark e Llesh Gjonmarkan, Muaharrem Bajraktarin, Abaz Ermenjin e të tjerë shqiptarë që gjeten forcën për të ofruar jetën kundër diktaturës, ashtu si ata kundër nazifashizmit.

Në fund të këtij procesi, Presidenti nuk do të keqkuptohej dhe nuk do të shihej si i njëanshëm me nostalgji të njëanshme. Ai mund të vendosë në vështirësi Edi Ramën në përballjen e ditës, siç faktet e demonstrojnë, por i rri mangët etikës dhe mirënjohjes historike. Le të presim edhe pak!

Modifikuar më Diel, 18 October 2020 16:20
Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...