Tri vaksina

Saturday, 26 December 2020 11:09

 

 

Sivjet ka qenë një orë e mad he biologjie, fiziologjie, anatomie, psikologjie… Kemi mësuar se si një virus ky i pandemisë, godet mushkëritë, ngjiz gjakun, dobëson gjymtyrët, pamundëson ecjen, turbullon mendjen. Virusi sulmon pikat e dobëta të organizmit, i vë në spikamë ato dhe nëpërmjet pikave të dobëta sulmon pjesët e tjera, deri atëherë të shëndosha të tij. Sikur trupi i njeriut, kështu është sulmuar edhe organizmi shoqëror, këtu ndër ne dhe në të gjithë botën. Koronavirusi, siç ka nxjerrë në pah dobësitë e organizmit të njeriut, ka nxjerrë në pah dobësitë e organizmit tonë kolektiv. Ka treguar se ekonomia e vendit varet në masë të madhe prej parave të diasporës; paratë e saj mbajnë qarkullimin që krijon shpenzimin e nevojshëm për ta mbushur buxhetin e vendit. Ka treguar se ekonomia e vendit nuk është ndër prioritetet parësore politike: vendi ka pësuar krizë të thellë politike përgjatë tërë vitit dhe mirëqenia e qytetarëve nuk ka qenë as afër arsyeve për të. Nuk pati konfrontime politike për mënyrën se si të ndihmohet ekonomia për pandemi; pati konfrontime për “bajrakun” e partisë a figurave politike për të dalë në prominencë. Ka treguar se ekziston mungesë e plotë e sensit për politikë të jashtme si pjesë e një kontinuiteti, sikur çdo gjë të fillojë nga së pari, nga kjo qeveri dhe ky ministër. Ka treguar për mungesën e plotë të sensit se politika e jashtme është pjesë e një nevoje për konsensus shoqëror; në krizën më të madhe u bë garë për “marrëveshje historike” në thonjëza, marrëveshje që në këtë fund të vitit vështirë të mbahen mend a të çojnë peshë.

Pandemia ka treguar se si të ishim në vitet nëntëdhjetë, shëndetësia e arsimi ende varen prej sakrificës së mjekut e infermieres, të mësuesit e të arsimtarit e jo siç do të duhej në radhë të parë prej funksioneve të institucioneve të shtetit.

 

Vendi ynë është i vetmi në Europë sot që nuk ka sistem të sigurimit shëndetësor.

Dhe vendi ynë është i pari në Europë për nga analfabetët funksionalë – produkt i një sistemi tmerrësisht të dobët arsimor.

 

Por, dhe, virusi ka nxjerrë në sipërfaqe sërish krizën themelore të vendit: shtetin e kapur. Në të, si në sistem feudal, konflikti politik nuk është konflikt idesh, por konflikt për kontrollin e resurseve. Resurse janë paratë publike, prokuroria e gjyqësia, ndërmarrjet publike. Çdo gjë që duhet të jetë e qytetarëve, është resurs për kontrollin e të cilit zhvillohet lufta.

 

Koronavirusi, po ashtu, ka nxjerrë në pah dobësitë e organizmit ndërkombëtar. Trupi ndërkombëtar, të cilit i përkasim natyrshëm, ai perëndimor, ka treguar mungesë uniteti dhe shkarje të plotë në objektiva. Një vend si ky yni, që është çliruar dhe pavarësuar falë unitetit transatlantik, e ka ndier më shumë se kushdo tjetër në kontinent këtë sëmundje transatlantike. Në diskursin publik kosovar, një pjesë e madhe e vitit është shpenzuar në konflikte leximi apo “leximi” të mesazheve: a thua çka po thotë Amerika, a thua duhet dëgjuar më shumë këtë apo atë?

E megjithatë, do lënë prapa zymtësinë e këtij viti.

 

Pra, tash, dy lajme të mira dhe një paralajmërim që mund të çojë te lajmi i tretë i mirë. Siç dimë, janë gjetur dy vaksina.

 

E para është për koronavirus dhe në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm, nëse çdo gjë shkon si duhet, do të arrihet imuniteti i tufës. Do të jetojmë në një botë që e ka tejkaluar pandeminë dhe ka nxjerrë mësimet e nevojshme. Do të zbulojmë se si do të duket “normaliteti i ri”.

 

Vaksina e dytë është ajo për organizmin transatlantik. Këtë e kanë prodhuar zgjedhjet në Amerikë. Me ngulm demokratik, miliona qytetarë amerikanë kanë zhvilluar betejën që me votat e tyre ta prodhojnë vaksinën bazike që duhet ta shërojë trupin dikur të shëndoshë të marrëdhënieve mes Amerikës dhe Bashkimit Europian. Sepse, përderisa ndonjëra prej anëtarëve të BE-së mund të “sëmuret”, marrëdhëniet transatlantike rezistojnë me shëndet deri në momentin e shërimit. Por, kur kemi sëmundje të atillë të politikës amerikane, çfarë është përjetuar në katër vjetët e fundit, atëherë këtë e ndiejnë të gjithë në Perëndim, përfshirë dhe ne, aspirantët e kësaj bote.

Që të dyja këto vaksina janë shumë të nevojshme për trupin e sëmurë të Kosovës. Që të dyja po vijnë apo do të vijnë nga jashtë; ato nuk janë fryt i përpjekjes kosovare.

Por, vaksina e tretë, ajo që duhet të shërojë organizmin kosovar nga kapja e shtetit, nga mungesa e unitetit politik, nga mosdefinimi i përparësive të ecjes së vendit në ekonomi, shëndetësi e arsim, nuk do të vijë nga jashtë.

Ajo mund dhe duhet të prodhohet brenda vendit. Dhe nëse bëhet, nuk do të jetë në një laborator shkencor. Mund të jetë produkt i një vale ndryshimesh demokratike që duhet ta kaplojnë vendin. E, valët, para partive politike, akademive, qendrave të mendimit e shoqërisë civile, fillojnë te qytetari. Ai që lexon.

*Nga fjalimi për manifestimin “Rexhai Surroi 2020”, këtë vit, të organizuar në formë virtuale.

Modifikuar më Hënë, 28 December 2020 17:13
Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...