Nga Basir Çollaku - 18/07/2022
Neni 28 Kodi Penal ka një qartësi të pakundërshtueshme, dhe një hapësirë zero dilematike, për lloj-sojin e veprës dhe kualifikimin e saj. Një student drejtësie do e kishte renditur në pak kohë, ndonëse ustallarët e posaçëm, ende nuk konkludojnë atë dukshmëri të veprës në disa vjet e konsumuar. Asnjërin prej këtyre paragrafëve të këtij neni të Kodit Penal, Prokuroria e Posaçme ende nuk e ka gjetur me vend, për të ngritur akuzë ndaj të pandehurve të shumtë e dëmeve kolosale të dosjes së “Inceneratorëve. Kodi i thjesht që komplikohet udhës thotë se
Neni 28/1:
”Organizata kriminale është forma më e lartë e bashkëpunimit, në të cilën bëjnë pjesë tre ose më shumë persona dhe që dallohet nga shkalla e veçantë e organizimit, strukturimit, qëndrueshmërisë, kohëzgjatjes, si dhe nga qëllimi për kryerjen e një a më shumë veprave penale, për të realizuar përfitime materiale dhe jomateriale.
Kjo çfarë thotë Kodi Penal, vetëm dyshime, dilema, e turbullira ligjore nuk të lë të mendosh. Arrestet nisën në mars 2022, por ende ka të tjera për të plotësuar hartën penale rreth kësaj çështje. Inceneratorët, djegësit, është dosja, përmasat e së cilës, konkurrojnë frikshëm me piramidat e vitit të zi 97-të. Janë së paku deri më tani gjysmë miliardi euro, të rrufitura nga një numër gjithnjë e në rritje njerëzish të gjallë e të vdekur, nga kanaçexhinj në ministra ogurzinj, kryebashkiakë teneqexhinj, kryeministër batakçi dhe vegla të oborrit të tij. Është skemë e shtrirë në shumë investime, e krasitur edhe me para të zezë, me offshore, me plotçka kriminale, me synim përfitim marramendës. Prokuroria e Posaçme ka nënshkruar 11 urdhër arreste, ka një ministër, një deputet dhe disa zyrtarë e administratorë kompanish në qeli. Ka të tjerë në hetim, të cilët pritet të jenë të pandehurit e nesërm. Gjithnjë nëse prokuroria do u rezistojë lëkundjeve sizmike të pushtetit ndaj saj, ballët e të cilave janë të larta. Ndërkohë paratë publike për këtë vepër kriminale, firmosur nga të akuzuarit nëpër ministri të ndryshme, i marrin të pandehur e persona në kërkim, së paku 80 mijë euro në ditë për Tiranën, dhe Veliaj ende jo i pandehur.
Copëzimi procedimeve, mos mbërritja ende në momentin e bashkimit të procedimeve dhe ngritja e një akuze serioze, në raport me veprën dhe dëmin, ngrenë shumë pikëpyetje pavarësie rreth SPAK.
Nga ministri Lefter Koka, deputeti Alqi Bllako, akuzat nuk shkojnë më tej se shpërdorim detyre dhe korrupsion, pastrim produkteve të veprës penale, në bashkëpunim. Zyrtarët e tjerë të prangosur, në arrest me burg, në kërkim, apo masa të tjera më të lehta sigurimi, kanë mbetur tek shpërdorimi i detyrës. Në arrest e masë shtrënguese nga Gjykata janë ish-ministri Lefter Koka, ish deputeti Alqi Bllako, administratoret e tre djegësve të ikurit e mëdhenj Klodian Zoto, Stela Gugalla, Mirel Mërtiri, administratorë e anëtarë komisionesh të prokurimeve dhe ofertimeve, ku bëjnë pjesë si, Pëllumb Abeshi, Florjan Muçaj, Erjon Murataj, Arenc Myrtezani, Sabina Cenameri, Etleva Kondi..Kryebashkiaku i Fierit Armando Subashi është thirrur në Prokurori me 18 shkurt 2022 dhe ka dëshmuar aty për tre orë, duke u lënë më pas mënjanë nëse veprimet apo mosveprimet e tij ishin në kufijtë e veprës penale, apo mjetet demokratike e lanë jashtë përgjegjësisë.
Në këtë dosje të rënda ka natyrisht emra të rëndë pushteti, të cilët Prokuroria nuk ka mundur deri më tani, ti ftojë e marrë dëshminë, e ngarkojë me akuzë penale konkrete.
Kryeministri Edi Rama dhe sekretari i tij i përgjithshëm Engjëll Agaçi, ministrat, Arben Ahmetaj dhe Damian Gjiknuri, kryebashkiakët e Tiranës Erion Veliaj, të Fierit Armando Subashi, të Durrësit Vangjush Dako apo Emiriana Sako, të Elbasanit Qazim Sejdini apo Gledjan Llatja, janë pjesë e kësaj ngjarje të madhe korruptive. Janë bërë publike shkresat e firmosura prej tyre, dhe çuditërisht njëra palë është në qeli e tjetra jashtë, po për të njëjtën shkresë dhe akuzë.
Në Prokurori janë kallëzimet e shumta me prova thuajse të gatshme të bërë kryesisht nga Lëvizja Socialiste për Integrim, si dhe nga Partia Demokratike. Komisioni Hetimor parlamentar drejtuar nga deputetja e PD, Jorida Tabaku, ka përcjellë një tjetër kallëzim në SPAK për së paku 50 persona të përfshirë në këtë aferë miliardash,
A është kjo edhe me aq sa është bërë publike një formë e lartë bashkëpunimi, nis me kryeministrin, sekretarin e tij, ministrat kryebashkiakët, sipërmarrësit, drejtorë e zyrtarë publikë, prej 2017 e deri më tani, kur vijon e pandërprerë. Ndonëse hetimi ka arrestuar jo pak persona, shumëfish të numrit tre, që parashikon neni 28 Kodit Penal për grup të strukturuar dhe organizate kriminale ?
A ka një formë të konsoliduar e të veçantë strukturimi, ku na dalin të gjallë e të vdekur që binden të firmosin, për një kohë të gjatë, sipas regjisë qendrore, te ky grup apo kjo organizatë, ashtu siç e përcakton neni 28 i Kodit Penal një grup dhe një organizatë?
A është arritur qëllimi i kësaj Organizate Kriminale, për kryerjen e një a më shumë veprave penale, për të realizuar përfitime materiale dhe jomateriale ashtu siç parashikon neni 28 Kodit Penal?
Deri më tani fale presionit e kontrollit mbi Prokurorinë, ajo nuk ka mundur as të ngrejë akuzë për një grup të strukturuar kriminal sipas nenit 28/4 ku thuhet se :
28/4. Grupi i strukturuar kriminal është formë e veçantë bashkëpunimi, në të cilin bëjnë pjesë tre ose më shumë persona, për kryerjen e një a më shumë veprave penale, për të realizuar përfitime materiale dhe jomateriale. Grupi i strukturuar kriminal për kryerjen e një vepre penale nuk formohet rastësisht e nuk është e nevojshme të dallohet për anëtarësi të qëndrueshme, ndarje detyrash, organizim dhe strukturim të zhvilluar……
Pamundësia e ekspertizës financiare në hetim, BKH e vonuar, mundet të jenë arsye e justifikime të SPAK, por kjo krijon vepra të tjera penale për të hetuarit, ende nëpër zyra publike. Sa mundësi ka Kryeministri, sekretari tij, ministrat e kryebashkiakët, që për gjashtë vite, plot muaj, mijëra orë, të vënë dorë e tjetërsojnë provat, duke paralajmëruar dështimin e hetimit??
Edhe gjashtë orë do të ishin tmerrësisht shumë. Sidomos për një Organizatë Kriminale të këtyre përmasave, më këtë sasi të pakufizuar pushteti nëpër duar. SPAK e ka nisur herët, por rrugës po bëhet shumë vonë...