Dritëhijet e arkitektëve ndërkombëtarë të Ramës

Tuesday, 23 July 2024 20:09

Nga INA

8 vjet më parë, në prill të vitit 2016, një grup gazetarësh nga Shqipëria vizituan Milanon, për t’u njohur me projektin e tarracave të gjelbra, projekt i aplikuar në qytetin verior të Italisë nga arkitekti Stefano Boeri. Takimi u facilitua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, me qëllim njohjen e planit të ri, rregullues, të quajtur Tirana 2030, i dizajnuar po nga arkitekti Boeri. Kontraktimi i studios së njohur, italiane u parapri nga një takim në pranverën e vitit 2014, ku 32 arkitektë nga e gjithë bota erdhën me ftesë të kryeministrit, Edi Rama, për të dhënë ide në krijimin e projektit Tirana e Gjeneratës Tjetër. Të ftuarit në këtë vizitë rezultojnë të kenë dizajnuar një duzine veprash publike dhe janë autorë të kullave ikonike, që po pushtojnë vitet e fundit qiejt e kryeqytetit.

Nga ajo kohë e deri më sot emri i Stefano Boeri-t, Winnie Mass-it, Bjarke Ingles-it e të tjerë janë bërë të njohur për shqiptarët, ndërsa Tirana e qytete të tjera kanë marrë “dozat” e arkitekturës moderne, duke shkelur në disa raste mbi pasuri, që ishin pjesë e trashëgimisë kulturore të vendit.

“Ka qenë një takim, ku janë mbledhur disa personalitete, që kishin kontribuuar një kohë për çështje të caktuara dhe ishte një përzierje mes specialistëve të huaj dhe atyre shqiptarë. Në fushën e trashëgimisë kulturore unë mendoj që i është dhënë më shumë prioritet ekspertizës dhe mendimit të huaj sesa shkollës vendase”, – thotë Auron Tare, anëtar i Këshillit Shkencor të UNESCO-s.

Projektet e kullave, që mbajnë vulën e arkitektëve me famë botërore, kanë hapur prej disa vitesh një debat të madh në vend, që lidhet me shkeljen e rregullave urbanistike dhe me ndërtimin kaotik, por dhe dyshime të hapura nga disa hetime të autoriteteve të drejtësisë për burimin e financimit.

“Projektet e kullave nuk janë projekte estetike, për të lënë gjurmë në Shqipëri, por janë projekte, që certifikojnë një ekonomi, që vjen kryesisht nga paraja gri e që kërkon të stabilizohet dhe të hyjë në treg”, – shprehet Ervin Goci, pedagog në Universitetin e Tiranës dhe aktivist.

Agjencia për Media dhe Informim nuk iu përgjigj një kërkese për koment dhe e delegoi atë pranë Këshillit të Ministrave, i cili tha përmes koordinatores se, nuk mund të komentonte dhe se nuk shprehej mbi analiza, por vetëm mbi dokumente.

Boeri hap zyrë në Tiranë

Në dimrin e vitit 2022, në zemër të ish-Bllokut, arkitekti i famshëm, Stefano Boeri, vendos që të themelojë kompaninë e tij në Tiranë. Zyra është degë e studios me zyra në Milano, Itali, dhe shërben si bazë për të ofruar shërbime në projekte publike dhe private. 

Qëllimi i biznesit është kryerja e studimeve të fizibilitetit dhe konsulencës në fushën arkitekturore, por i lejon vetes që “për arritjen e objektivave të shoqërisë, të kryejë të gjitha transaksionet tregtare, industriale të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme”, – thuhet në dokumentet e statutit të themelimit.

Të dhënat e siguruara nga INA Media tregojnë se Stefano Boeri është kontraktuar në projekte të rëndësishme në Tiranë, publike dhe private. Studio e tij bashkë me dy zyra të tjera është autore e Planit Rregullues, Tirana 2030. Ka dizajnuar projektin Tirana Riverside, që zhvillon zonën e rindërtimit në lagjen 5 Maji me atë të Bulevardit të Ri, është kontraktuar nga Fondi i Zhvillimit Shqiptaro-Amerikan për Parkun Arkeologjik të Durrësit, si dhe ka projektuar ndërtimin e 3 shkollave në Tiranë, pjesë e projekteve Partneritet Publik-Privat për zhvillimin e infrastrukturës arsimore të kryeqytetit.

Vetëm për 3 nga këto kontrata sasia e të ardhurave nga paratë publike për studion e tij dhe kompanitë partnere kap vlerën 840 mijë euro. Sipas të dhënave të siguruara nga INA Media, në regjistrin e biznesit të Italisë zyra e Boeri-t, ku është pronar me 77% të aksioneve, ka dy degë, një në Itali dhe një në Shqipëri. Të ardhurat për vitin 2022 kapën vlerën 5.7 milionë euro, ku 40% e tyre janë gjeneruar në vende të Europës, që nuk janë pjesë e Bashkimit Europian.

Të tjera dokumente tregojnë se kontrata, që zyra e arkitektit Boeri ka lidhur për projektin Tirana Riverside në prill të vitit 2020, është kryer pa garë dhe me negocim të drejtpërdrejtë, duke u justifikuar me emergjencën e tërmetit të vitit 2019. Ky standard nuk është ndjekur me shumicën e shërbimeve të konsulencës në Programin e Rindërtimit, të cilat kanë qenë me procedurë të kufizuar, por me garë.

Në gusht të vitit 2023, Son Engineering dhe Stefano Boeri shpallen fitues të konkursit të organizuar nga Bashkia e Tiranës për projektimin e një kulle në këtë zonë, në afërsi të Bulevardit të Ri të kryeqytetit.“Studio fituese dhe projekti i paraqitur do t’iu nënshtrohen procedurave të realizimit të projekt-zbatimit dhe të pajisjes me leje ndërtimi”, – thuhet në vendimin e komisionit të Bashkisë së Tiranës.

“Dy figurat më të rëndësishme në Itali, që ka afruar Rama, janë Casamonti dhe Boeri. U premtuan zero ndërtime. Përmes Boeri-t bënë projektin Tirana 2030, ku Boeri u përdor për të futur zhvillimin në densitet përmes lartësisë dhe idesë së pemëve në ballkone”, – thotë publicisti dhe aktivisti Fatos Lubonja.

Së fundmi, Studio Boeri bashkë me firmën lokale, Son Engineering, kanë fituar edhe tenderin e organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor për dizajnimin e godinës qendrore në Bulevardin Gjergj Fishta. Vlera e kontratës është 150 mijë euro, ku gjysma e kostos do të shkojë për planin e arkitekturës dhe drejtimin e projektit dhe pjesa tjetër për projektin e ndërtimit, atë elektrik dhe mekanik. Emrin e Boeri-t e mbajnë disa nga ndërtesat e reja, që janë ndërtuar në zonat kryesore të Tiranës, Blloku CubeBlloku West Residence dhe Pylli Vertikal.

Lejet për këto tri ndërtesa të porositura nga kompanitë private janë miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit, i cili drejtohet nga kryeministri, Edi Rama. KKT merr vendime për të miratuar leje për projekte, të cilat nuk janë në përputhje me masterplanin e qytetit dhe planin e detajuar, vendor.

Në rastin e godinave të projektuara nga studio e Stefano Boeri-t, koeficienti i shfrytëzimit të sipërfaqes së ndërtimit e tejkalon atë të lejuar nga plani i përgjithshëm, që është hartuar po nga Boeri.

“Në vitet 2013-2014 unë bashkë me miqtë e mi e disa studentë në mënyrë vullnetare bëmë një identifikim të të gjitha vilave historike të qytetit dhe ia dhamë ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, që të bëhej mbrojtja e tyre. Ne bëmë një gabim shumë të madh, sepse i dhamë në dorë informacionet e nevojshme, që t’i prishte një pjesë të mirë për pallate dhe ashtu ndodhi”, – kujton Auron Tare. 

Zyra e arkitektit Stefano Boeri nuk i është përgjigjur një kërkese për koment të drejtuar nga INA Media deri në publikimin e këtij shkrimi.

Plani francez, belgët dhe gjermanët

“Ideja e futjes së arkitektëve të huaj vjen me Edi Ramën si kryetar bashkie. Projekti i parë, që ka bërë për zhvillimin e Tiranës, ishte përtej bulevardit dhe Tirana do të mbetej historike në zonën qendrore. Ka një projekt të tillë, ku është, nuk e di. Ajo që ndryshoi, është se, duke qenë se interesat ekonomike ishin të lidhura me qendrën e Tiranës dhe ata që kishin blerë e investuar përreth, u ndryshua gjithçka dhe nisi ndryshimin e parë, duke përdorur të huajt”, – thotë Lubonja.

Plani Urbanistik i Tiranës i shtrin rrënjët dy dekada më parë, në një konkurs të zhvilluar në vitin 2003 nën koordinimin e Edi Ramës, asokohe kryebashkiak i qytetit. Plani i shpallur fitues ishte ai i francezëve të Architecture – Studio, ndërsa pjesëmarrës në garë ishin dhe gjermanët e Bolles &Wilson dhe firma belge 51N4E.

“Por, si projekt i miratuar, i pari është ai që quhet Plani francez, që parashikonte ngritjen e kullave në qendër; por atëherë projektuesi për kullat përzgjidhej me konkurs, ishte fillimi i pushtetit të Ramës dhe ishte më i kujdesshëm”, – shton Fatos Lubonja.

51N4E është angazhuar në dhjetëra projekte në Shqipëri, në hartimin dhe në mbikëqyrjen e Sheshit Skënderbej, atë të Qendrës për Hapje dhe Dialog në Kryeministri, në atë të studimit të zhvillimit të disa zonave në Tiranë të kontraktuara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe së fundi ka marrë pa garë, përmes procedurës me negocim pa shpallje, “Masterplanin për kompleksin sportiv të stadiumit Niko Dovana”, në Durrës, kontratë me vlerë 440 mijë euro.

“Nga ana estetike është shitur, që sheshi vjen në formën e piramidës, që qytetari ndihet Zot, por për mua përfundon i rrethuar në një pus me qiellgërvishtës”, – thotë Lubonja.

Kompania belge ka projektuar në të kaluarën projektin e lumit të Lanës, bllokun Noka dhe është autore e projekteve të kullës TID, ku ndodhet hotel Maritim Plazza, si dhe Book Buliding, një godinë që po ngrihet ngjitur monumentit të kulturës së kategorisë së parë, Kullës së Sahatit. Që prej vitit 2008 kompania ka themeluar një degë të saj në Tiranë, por nuk ka qenë shumë aktive në treg. Të ardhurat e saj nisin të pesëfishohen në vitin 2013, duke arritur në 100 mijë euro, ndërsa arkëtimet mesatare gjatë viteve të fundit kalojnë vlerën 500 mijë euro. Sipas bilancit të depozituar për vitin 2022, 51N4E arkëtoi 910 mijë euro dhe rezultoi me fitim 330 mijë euro pas taksave. Ndërsa brenda 10 viteve belgët kanë realizuar 5.3 milionë euro të ardhura me 1.8 milionë euro fitim neto. 

Gjermanët e Bolles&Wilson e tregojnë Shqipërinë si një nga vendet partnere, kryesore në dizajnimin e projekteve dhe dhënies së konsulencave. Ata u shpallën fitues në vitin 2009 të konkursit për planin rregullues të Korçës dhe rezultojnë se kanë projektuar shumicën e restaurimeve në godinat publike të qytetit juglindor: kullën Red Sky në qendër, hartimin e projektit të teatrit Andon Zako Çajupi, të godinës së Bashkisë së Korçës, të Muzeut Ikonik dhe po kjo zyrë është autore e projektit të stadiumit të Shkodrës.

Bolles&Wilson është kontraktuar gjatë kohës kur Bashkia e Korçës drejtohej nga socialisti Niko Peleshi, ndërsa ka vijuar bashkëpunimin dhe me pasardhësin e tij, Sotiraq Filon. Firma gjithashtu ka fituar projekte të mbështetura nga Rilindja Urbane, të cilat në harkun kohor të viteve 2015-2017 ishin në portofolin e zëvendëskryeministrit, Niko Peleshi.

Kompania është kontraktuar edhe për dy projekte nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, njëri i fituar me procedurë të negociuar, pa garë dhe te tjetra është zgjedhur fituese, edhe pse ka dhënë ofertën më të lartë. Bolles&Wilson është autore e projektit të shtesës 33 kate pranë Hotel Tiranës dhe një godine me 27 kate në rrugën Gramoz Pashko.

“Këto zyra ishin novatore në vitin 2000, por me kalimin e viteve tregu jonë ka arkitektë të zotë, që janë diplomuar jashtë dhe brenda vendit”, – thotë Kreshnik Merxhani, pedagog i Arkitekturës në Universitetin e Tiranës. 

51N4E dhe Bolles&Wilson nuk komentuan mbi një kërkesë të dërguar nga INA Media lidhur me mënyrën e zgjerimit të tyre në tregun vendas.

Piramida e Tiranës dhe Teatri Kombëtar

Arkitekti holandez, Winnie Mass, partner i studios MVRDV, e vizitoi për herë të parë Shqipërinë në vitet kur kryeministri, Edi Rama, nisi ngjyrosjen e fasadave të pallateve të qytetit si kryebashkiak i Tiranës. Ai ishte autor në vitin 2008 i planit të Sheshit Skënderbej, i financuar nga bashkia dhe qeveria e Kuvajtit, por ideja e këtij projekti nuk gjeti zbatim për shkak të kundërshtive politike. Mass u kthye sërish në Tiranë në vitin 2014 dhe që nga ajo kohë është autor i projekteve të shumta, private dhe i planit të restaurimit të Piramidës. Piramida u mbështet nga Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit, i cili kontraktoi MVRDV në vitin 2018 për restaurimin e mauzoleut të ndërtuar në nder të diktatorit Enver Hoxha. Ideja ishte që ndërtesa të ishte e hapur dhe e prekshme për të gjithë. Në brendësi të saj projektohej që të operonte një qendër trajnimi në fushën e teknologjisë dhe të inovacionit për të rinjtë.

Një burim konfidencial, që ishte në brendësi të procedurës së përzgjedhjes së studios fituese të piramidës, i tha INA Medias që Fondi Amerikan për Zhvillim ka patur në dispozicion një listë me tri studio ndërkombëtare, për të bërë përzgjedhjen e projektuesit të Piramidës, njëra prej të cilave ishte MRDV, me arkitekt Winnie Mass. Kjo listë, sipas të njëjtit burim, iu ishte vënë në dispozicion nga kryeministri, Edi Rama.

Projekti i restaurimit të Piramidës u zbatua nga kompania vendase, Fusha, por, nëse punimet ndërtimore iu nënshtruan rregullave të prokurimit publik, pasi një pjesë e fondeve ishin të buxhetit të shtetit, për pagesën dhe kontraktimin e projektit nga AADF nuk ka gjurmë të procedurës dhe as të fondeve të paguara. AADF e trajtoi informacionin e kërkuar nga INA Media dhe procedurën si “konfidenciale”.

“AADF e ka të pamundur ndarjen e informacioneve konfidenciale të kontratës, si vlera e saj, pa pëlqimin e palës tjetër”, – thuhet në përgjigje.

“Ajo godinë nuk mund të përçudnohej dhe të kthehej në një vend me kioska betoni. Duhet të ishte kthyer në gjendjen primare, si një objekt kushtuar diktaturës dhe autoritetit komunist. Godinat, si kjo po, zhduken me një shpejtësi të madhe, duke fshirë memorien e kësaj periudhe”, – thotë Auron Tare.

Studio MVRDV është kontraktuar për të ndërtuar edhe një nga godinat më të larta në kryeqytet, Down Town One, ku klient i kompanisë është Kastrati Construction. Godina u projektua fillimisht për një ndërtesë me 37 kate mbi tokë për qëllime rezidenciale dhe për zyra, por pas nisjes së ndërtimit projekti devijoi në shtesë katesh, të cilat janë destinuar për hotel. Një tjetër projekt i holandezëve në qendrën e qytetit është Kulla e Skënderbeut, anash Hotel Tiranës, e dizajnuar me tiparet e heroit kombëtar. Më parë kompania është kontraktuar nga firma Eurocol për qendrën tregtare Toptani dhe po nga Gener 2 për projektin fillestar të kullave te Liqeni Artificial, i cili nuk u zbatua sipas idesë së tyre.

MVRDV tha në një përgjigje se informacionet lidhur me pagesat dhe me marrëdhëniet e saj, kontraktore trajtohen si “konfidenciale”.

“Kur sjell një emër ndërkombëtar, ai nuk vjen, nëse nuk paguhet në vlerën që kërkon.

Fakti që kanë ardhur, do të thotë që është paguar mirë, sidomos kur kemi të bëjmë me arkitektë me emër”, – sqaron Kreshnik Merxhani. 

Në vitin 2010 Shqipëria është vizituar edhe nga arkitekti danez, Bjarke Ingles, ky i fundit zotëron grupin BIG, një studio ndërkombëtare në fushën e arkitekturës. Ingles projektoi vite më parë Muzeun e Tolerancës Fetare, një ide që nuk u realizua për shkak të përplasjeve politike mes bashkisë së drejtuar nga socialistët dhe qeverisë demokrate.

Danezi u rikthye në Tiranë një dekadë më pas dhe në vitin 2017 u kontraktua nga kompania Fusha për të projektuar Teatrin Kombëtar. Plani u kontestua nga artistë, aktivistë, organizata ndërkombëtare dhe nga partitë e opozitës. Dokumentet e procedurës së ndërtimit të teatrit me PPP, ku Fusha do të merrte tokën publike për kulla dhe do të financonte teatrin, ngrenë dyshime se procedura ishte e paracaktuar, ndërsa arkitekti, i rekomanduar.

“Kur u prish teatri, nuk kishte projekt, ishte pa projekt, sepse kishte vetëm projekt-ide, një render! Si mund të nisësh prishjen, pa bërë projektin teknik, që të dish kostot se sa do të kushtojë ndërtimi? U nis për teatër dhe aty do të ketë restorant, qendër tregtare dhe teatër!”, – thotë pedagogu Ervin Goci.

Teatri u shemb mbrëmjen e 17 majit të vitit 2020 në kulmin e izolimit të pandemisë Covid-19, ndërsa bashkia hapi një tender për projektimin e tij, i cili ka të njëjtin dizajn me atë të Ingles-it.

Fitues të kontratës në Shqipëri ishin A&E Engineering dhe FM Ingegneria, me vlerë kontrate 720 mijë euro.

“Më i ndershmi në historinë e teatrit doli Rama, sepse tha që do ta prishte, që kur ishte ministër Kulture dhe e bëri. Të gjithë të tjerët luajtën teatër. Teatri ishte pjesë e një ansambli të tërë, të projektuar në vitet `30 dhe i përkiste periudhës fashiste dhe asaj të mbretërisë dhe duhet të ruhej, për më tepër që ka dhe një memorie kolektive të brezit, që e kanë jetuar atë kohë”, – thotë Auron Tare. 

Studio BIG nuk iu përgjigj kërkesës për koment nga INA Media.

Instalacioni te Kryeministria, pa gjurmë pagesash

Në mbledhjen e datës 27 korrik të vitit 2022, Këshilli i Ministrave miratoi një vendim për instalacionin Parku Eden në oborrin e godinës së tij, i cili ngarkon Fondin Shqiptar të Zhvillimit si autoritetin zbatues. Në bazë të këtij vendimi, FSHZH-së duhet t’i kalojnë nga buxheti i shtetit 5.1 milionë euro, për të kontraktuar kompaninë, që do të punojë mbi konceptin e krijuar nga Precht Studio dhe të detajuar nga Agjencia e Planifikimit të Territorit dhe nga Instituti i Ndërtimit.

Dy bashkëshortë të rinj, që jetojnë në Alpet e Austrisë, janë themelues të një kompanie novatore në fushën e arkitekturës.

Projekti i tyre, i parë në Shqipëri, instalacioni, është i veshur me hije, pasi nuk ka asnjë gjurmë të pagesës për këtë studio në sistemin publik të Thesarit të Shtetit apo procedurë për kontraktimin e saj. Ndërtimi po bëhet nga kompania Fusha, e cila u shpall fituese për një vlerë punimesh prej 4.7 milionë eurosh dhe lidhi kontratën në shkurt të vitit të shkuar.

INA Media dërgoi një kërkesë për informacion pranë Kryeministrisë lidhur me procedurat e kontraktimit dhe shumën e paguar për Precht Studio, por përgjigjja e vetme, e dërguar ishte vendimi i Këshillit të Ministrave, që ngarkon Fondin Shqiptar të Zhvillimit për zbatimin e tij. FSHZH tha pas një kërkese për informacion se “nuk e disponon dokumentacionin e procedurës dhe lidhjes së kontratës me Studio Precht, pasi është ngarkuar si njësi zbatuese për kryerjen e procedurës së prokurimit”. 

INA Media depozitoi një ankesë në Zyrën e Komisionerit për të Drejtën e Informimit, e cila mbeti pa përgjigje dhe në muajin mars dërgoi një kërkesë të re, për ta pyetur Kryeministrinë, nëse projekti është donacion apo është i kontraktuar nga shteti shqiptar. Sërish në përgjigje Kryeministria dërgon vendimin, që angazhon FSHZH si autoritet zbatues të instalacionit. Pas një ankese të dytë pranë Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit, Kryeministria sqaron se, “paketa e projektit teknik, shoqëruar me preventivin, janë hartuar nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit në bashkëpunim me Institutin e Ndërtimit”.

Por, dokumentet e siguruara nga INA Media tregojnë se koncepti i projekt-idesë u krijua nga PrechtPrecht Studio rezulton të ketë dizajnuar në Shqipëri një kompleks të quajtur 1 mijë ishujt, i cili ka si qëllim ndërtimin e një rezidence banimi në zonën e Lundrës, ku ndërthuret bimësia me punimet e drurit. 

Ideja e 1 mijë ishujve ka marrë në verën e vitit 2023 lejen e ndërtimit nga Këshilli Kombëtar i Territorit, me zhvillues firmën Agroblend, në pronësi të Hava dhe Fiqiri Ismailit. Ky i fundit ka drejtuar për 4 mandate Bashkinë e Vorës nën logon e Partisë Demokratike.

I pyetur në lidhje me projektin z. Ismaili tha se, “nuk ia ka rekomanduar askush Studion Precht, por ishte një zgjedhje e fëmijëve, që e kishin zbuluar në internet, ndërsa shtoi se nuk dinte asnjë detaj për projektin në oborrin e Kryeministrisë”.

Studio Precht nuk iu përgjigj dy kërkesave për informacion të dërguara nga INA Media.

“Kur një zyrë arkitektësh të huaj përzgjidhet për të bërë projektin e një vepre publike, edhe në rastet kur ka zhvillim konkursi, shohim që më pas janë të njëjtët, që janë autorë edhe të projekteve të mëdha, siç janë kullat. Pra, bëhen pjesë e një enturazhi ose klientele të caktuar”, – thotë pedagogu Merxhani.

Casamonti dhe Cebra dominojnë në kullat e reja

Profesori italian i arkitekturës, Marco Casamonti, mori si punë të parë në Shqipëri projektimin e kullës Forever Green përballë Kishës Ortodokse e më pas stadiumin Air Albania. Në atë kohë pati një debat të madh në Shqipëri lidhur me shembjen e objektit të vjetër, që ishte pjesë e ansamblit të Bosio-s, arkitektit italian, që ka projektuar një sërë ndërtesash në qendrën e qytetit gjatë pushtimit fashist, të shpallur “monument kulture”.

“Kemi bërë protestë të madhe për stadiumin dhe madje ka ardhur dhe një arkitekt shumë i rëndësishëm italian, sepse stadiumi ishte pjesë e arkitekturës së pushtimit fashist. Casamonti dhe Boeri nuk kanë patur asnjë lloj ndjeshmërie, as kur u shkatërrua arkitektura italiane”, – thotë Lubonja.

Marco Casamonti u kontraktua nga kompania Albstar, e cila e ndërtoi me paratë e saj stadiumin, në këmbim të një kulle brenda tij me qëllim hotelerinë dhe ambientet tregtare. Që nga viti 2016 dhe deri më sot, arkitekti Marco Casamonti, përmes studios Archea Albania, ka projektuar disa projekte publike e private. Zyra është kontraktuar përmes një procedure me negocim të drejtpërdrejtë për përgatitjen e planit të detajuar, vendor në zonën e Kombinatit kundrejt vlerës 200 mijë euro dhe është fituese e tenderit për masterplanin ajror të aeroportit të Vlorës bashkë me një firmë lokale.

“Si cilësi godine është punuar mirë, por mendoj që stadiumi i ri duhet të ishte bërë diku tjetër dhe i vjetri të ruhej si pjesë e trashëgimisë kulturore të Tiranës dhe të ishte një stadium për atletikën, për shembull”, – shton Tare.

Më 1 gusht 2023, projekti i Marco Casamonti-t është pajisur me leje për të ndërtuar një kullë 25 kate në rrugën Liman Kaba, i kontraktuar nga firma Unico Construction. Ai është po ashtu autor i projekteve të biznesmenit Lefter Sota, Forever Green, për ndërtimin e një hoteli me 12 kate në zonën e ish-Bllokut dhe një kulle 30 kate në lagjen Don Bosko. Dy projekte të tjera janë në Bulevardin e Ri dhe në Bulevardin Gjergj Fishta për të ndërtuar godina me 56 dhe 44 kate. Casamonti është dhe autor i 6 godinave, që po ndërtohen në brendësi të Liqenit Artificial në zonën e hotelit Mak AlbaniaTirana Lake.

“Duhet të kuptoni gjeografinë e punës së arkitektëve me famë. Ata arkitektë nuk janë në vende ku shkojnë investitorë të zakonshëm të këtij vendi, por aty ku parapërgatitet terreni për investitorë me shifra të larta”, – thotë Merxhani.

Dy vitet e fundit në kryeqytet ka hyrë me projekte edhe studio daneze, Cebra, e cila është përzgjedhur fituese në një konkurs për të projektuar kullën më të lartë që do të ndërtohet në kryeqytet, Mali i Tiranës. Danezët rezultojnë të kenë lidhur kontratë me Fondin Shqiptar të Zhvillimit për planin e detyruar, vendor të Kompleksit Sportiv Skënderbeu dhe ri-zhvillimin e stadiumit të futbollit në Korçë kundrejt vlerës 338 mijë euro.

“Arkitektët e huaj nuk preken fare për imazhin e një vendi si Shqipëria, plus pagesa, që marrin, është shumë e konsiderueshme. Ne jemi për ta modeli i Azerbajxhanit dhe vendeve të ngjashme në Azinë Qendrore”, – thotë Goci.

Mes urisë për ndërtesa gjithnjë e më të larta, pasqyra e të dhënave të censusit tregoi se ritmi i shtimit të familjeve në kryeqytet nuk është më i lartë se 1200 të tilla në vit, çka ngre dyshime për nevojën e investimeve në këtë sektor. I vetmi model i adaptuar, që Tirana ka marrë nga Perëndimi, nuk është as ai financiar, ai i mjedisit apo ai i mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, por vetëm huazimi i emrave të arkitektëve të tyre, të famshëm.

“Për mua ndërtimi i kullave është një sistem piramidal, që mbështetet te paratë e pista. Aty është përgjigjja dhe pasqyra e gjithçkaje që po ndodh në vendin tonë. Unë i kam parë vetë, që aty natën nuk ka drita, janë bosh!”, – thotë Lubonja.

“E gjithë ekonomia jonë bazohet te ndërtimi dhe te betoni. Kush do ta mbajë koston, që po prodhojnë këto ndërtime në qytet? Koston e ndotjes, të shëndetit, të mirëmbajtjes dhe të trafikut?”, – përfundon Ervin Goci.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...