Nostalgjikët e regjimit komunist, në një lojë të rrezikshme politike

Tuesday, 24 Prill 2018 11:21

Nga Eden Babani, Bruksel

Mëngjesin e 12 prillit të shkuar, mora një ftesë jo fort të zakonte, e cila më nxiti një shtjellë mendimesh e pyetje-përgjigjesh pafund. Në mjediset e Bashkisë së Skarbekut këtu, në Bruksel, administrata e Komunës me mbështetjen edhe të Ambasadës së Shqipërisë në Belgjikë do të organizonte të hënën më 23.04.2018, në orën 19.00, një konferencë me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Sipas njoftimit, në Konferencë do të flisnin zotërinjtë Lek Pervizi, Pëllumb Xhufi dhe Safet Kryemadhi.

Nga një këndvështrim, ftesa ishte tepër joshëse, po të gjykoje se veprimtaria mbahej bash këtë Vit, i shpallur “I Skënderbeut”, dhe bash në Komunën ku është vendosur përmendorja e Heroit tonë Kombëtar këtu e 60 vjet përpara. Edhe më joshës, fakti se do të referonte një studiues i njohur i historisë sonë mesjetare, veçanërisht i Epokës Skëndrebejane , zoti Pëllumb Xhufi.

Mirëpo, medet!...  Lek Pervizi përkrah Pëllumb Xhufit? Njëri përkrah tjetrit, ndërsa zien debati për kampin e Tepelenës? Njëri në krah të tjetrit, edhe se i pari ka qenë i internuar atjefamiljarisht dhe e ka përjetuar vetë llahtarin e atij kampi famëkeq, kurse i dyti, me aureolën e autoritetit të vet akademik, përpiqet të zbehë egërsinë e ushtruar mbi të internuarit, përgjithësisht të moshuar ose nuse të reja me fëmijë e adoleshentë të paformuar? Tolerancë apo naivitet? Sapo kisha lexuar një intervistë të Pervizit lidhurr me kampin e Tepelenës. Për dreq, sapo isha njohur mes një portali (Radi and Radi) edhe me shkrimin e tij “Si u krijuan dhe si funksionuan kampet e internimit në diktaturën komuniste në Shqipëri”.  Në letrën përcjellëse që shoqëron shkrimin, Pervizi i drejtohet mikut të vet, me sa duket djalit të të ndierit Lazër Radi: “Duke qenë se ka dalë problemi i kampeve nga ai Korbi i Zi, veshur me pupla Pëllumbi, po të çoj këtë shkrim që hedh dritë mbi kampet e diktaturës...” Aludimi është lehtësisht i prekshëm. Madje, do të mjaftonte vetëm një fragment i shkëputur nga shkrimi i sipërpërmendur për të kuptuar pozicionin e Pervizit lidhur me debatin në fjalë: “Sigurisht se nuk kishte përmasat e atij kampi ku vdiqën 6 milionë hebrenj, sa 6 herë popullsia e Shqipërisë, - shkruan ai. - Tepelena u quajt Auschwitz, sepse atje ishin mbajtur familje të tëra, pleq, gra e fëmijë që përbënin shumicën dërmuese të të internuarve... “ Dhe më tej: “Pastaj ai vend i rrethuar me tela me gjemba, mos vallë ishte kopsht me lule e kamp pushimi?”

Kaloi një ditë e një natë në vorbullën e këtyre pikëpyetjeve shpesh pa përgjigje, me hamendje e me telefonata që zinin njëra-tjetrën, dhe me biseda mes bashkatdhetarësh në “dhé të huaj”, të cilat, më tepër shprehnin habi dhe indinjatë për ngjarjen e pritshme, sesa interes për të. Të nesërmen, teksa po matesha t’i telefonoja mikut tim Lek Pervizi dhe ta pyesja si do të ndihej përkrah zotit Pëllumb Xhufi, më vjen njoftimi i dytë nga e njëjta administratë e komunës: Konferenca është anuluar (!).

Nuk kishin kaluar veç pak më shumë se 24 orë dhe Konferenca qenkësh anuluar. Ç’të kishte ndodhur? Ndonjë angazhim i papritur i zotit Xhufi, ndonjë reflektim nga ana e dy referuesve të tjerë – Pervizi e Kryemadhi – apo ndonjë ndërhyrje pranë organizatorëve, për të shmangur të papritura të mundshme gjatë Konferencës? Sepse shtresimi i parë i mërgatës shqiptare të Belgjikës, u takon tamam atyre viteve kur internimet në Berat, në Veliqot ose në Dukaj të Tepelenës kishin arritur kulmin dhe kur, nga “regjistri pambarim i të internuarve” fshiheshin  dita-ditës edhe plot nga emrat e të afërmeve të mërgimtarëve që ishin vendosur këtu. Mjaft të kujtoj se e shoqja dhe e motra e Muharrem Bajraktarit, që të dyja ndërruan jetë falë kushteve  tejet skandaloze në të cilat jetonin të internuarit. A do ta kapërdinin dot leksionin e zotit Xhufi për Skënderbeun pasardhësit e ish të internuarve të zhdukur në Tepelenë, varret dhe eshtrat e të cilëve i kanë përlarë me kohë dhe i kanë dërguar në Vjosë ujërat e tërbuara të përroit të Bënçës, pa qenë nevoja e krematoriumeve të Hitlerit?

Dy ditë më pas, u takova me Lekën. Më tha se ishte tepër i befasuar. Jo se do të referonte në konferencë, për çka ishte vënë në dijeni prej kohësh, jo se do të fliste për Skënderbeun me emrin e të cilit është rritur brezi ynë dhe të cilit Leka i ka kushtuar edhe një tablo pikture  shumë të bukur. Përkundrazi, e kishte befasuar prania e hipotetike e zotit Xhufi në krah të vet. Kush e kishte zgjedhur bash protagonistin e debateve të stisura për Tepelenën?Në rrethe bashkatdhetarësh flitej se zgjedhjen e kishte bërë Ministria e Jashtme e Shqipërisë.

Tashmë, pasi ka kaluar do kohë nga marrja e ftesës dhe nga anulim i saj i papritur, shumë nga pikëpyetjet e kanë një përgjigje të saktë. Bashkatdhetari Sulejman Gjanaj, në shkrimin e tij “Brukseli nuk ka vend për Xhufat...”, botuar të shtunën dhe të dielën e shkuar në mediat e Shqipërisë, pohon plot gojën: “...Për t’u qëndruar besnik vlerave dhe parimeve tona të larta morale e qytetare, ne djemtë e mërgatës antikomuniste të Belgjikës, bëmë të mundur që Komuna e Skarbekut në Bruksel të anulojë Konferencën e planifikuar më 23 prill, ku Pëllumb Xhufi nuk është i pranueshëm as prej nesh, as prej zyrtarëve vendas që mishërojnë të njëjtat vlera dhe parime...”

* * *

Në pamje të parë, ngjan se kampi famëkeq i internimit në Veliqot, përfund Kalasë së Ali Pashait, nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me një konference përkujtimore në Bruksel për Heroin tonë Kombëtar, Skënderbeun. Ndërkohë, duhet vënë në dukje se, duke qenë një ndër debatet politike më të thekura të këtyre ditëve me protagonist zotin Xhufi, prania e tij në çfarëdo lloj konference qoftë, shkencore ose jo, sidomos në mjedise ku plagët kullojnë ende, ngase gjallon sot e kësaj dite kujtimi njerëzve të zhdukur nga diktatura komuniste e Enver Hoxhës në Tepelenë ose gjetkë, do të ishte njëlloj si të kujtoje litarin në shtëpinë e të varurit.

...Këtu, në këtë pikë të diskutimit, ia vlen të hap një parantezë e të theksoj me këtë rast se, prej rreth 800 të arratisurve antikomunistë nga veriu i Shqipërisë, grumbulluar në kampin e Gerovos, në ish-Jugosllavi, një pjesë e madhe u vendos në Belgjikë, në fund të viteve ’50 dhe gjatë viteve ’60. Bashkatdhetari dhe intelektuali i spikatur, Durak Duraku, - 14-15-vjeçar asohere,-  kujton  se shumë prej antikomunistëve shqiptarë të Gerovos u ndrynë  nga jugosllavët në burgun e Zemunit dhe u torturuan me qëllim që të shndërroheshin në vegla të UDB-së. Mes syresh, i ati bashkë me Sami Repishtin, - një personaliteti i njohur ky i emigracionit shqiptar antikomunist të pasluftës , -  të cilët, për ironi të fatit, qëndruan afro dy vjet të burgosur në Zemun, pasi patën kaluar më përpara dy vjet të tjerë në burgun e Shkodrës. Nuk ka të dhëna, - fakte, jo e jo! - që ndonjëri nga ish-të burgosurit e Zemunit të jetë dorëzuar përpara presioneve dhe torturave të UDB-së. Dhe ata nuk kanë qenë vetëm dy, por shumë. Përndryshe, ish-Sigurimi i Shtetit nuk do të kishte dërguar në Belgjikë “Gjoksin”, spiunin që u përpoq të vepronte  mes emigracionit shqiptar të këtushëm, fatlumturisht pa sukses. Nuk do ta kishte vënë në siklet as shkrimtarin Nasho Jorgaqi të shkruante atë palo-romanin “Mërgata e qyqeve”. Atëherë, ku e gjejnë guximin nostalgjikët e regjimit enverhoxhist të akuzojnë pa pasur në dorë dokumente a prova të tjera, duke e orientuar kësisoj historinë në qorrsokakë të rrezikshëm?...

Le t’i rikthehemi tashti argumentit në diskutim , pra pranisë së mundshme të Xhufit, në Konferencën e Skarbekut:  Mirë se atë (Xhufin) e rekomandoi Ministria e Jashtme e Shqipërisë, po kush e ftoi në Konferencë? Administrata e Komunës? Mbase. Atëherë, me ndërmjetësimin e kujt? Janë pyetje që kërkojnë përgjigje këto. Gjatë këtyre ditëve, në mjedise bashkatdhetarësh, flitet gjithashtu se Ministria e Jashtme e Shqipërisë, pra Tirana Zyrtare, ngjan t’i ketë bërë mirë llogaritë. Pse, pra? Përgjigjja kësaj here vjen vetvetiu:

Së pari, duke përdorur nostalgjikë të tipit Xhufi, Milo ose Tare herë në Tiranë e herë gjetiu, të zbehet egërsia e diktaturës në sy të perëndimorëve. Kësaj here, bash në Brukselin e organizmave të BE-së, dhe bash ditën që Kryeministri i Belgjikës, zoti Sharl Mishel, do të vizitonte Shqipërinë dhe do të takonte Kryeministrin e vendit, zotin Rama. A thua të ketë qenë e rastësishme përzgjedhja e datës (23 prill) për mbajtjen e Konferencës? Unë them se ka qenë e studiuar me kujdes në kulisat e institucionit që drejton zoti Ditmir Bushati. Mesazhi s’do të linte pikë dyshimi: Një ish-kanakar i sistemit, - nostalgjik, bash për këtë shkak! - mes një ish të internuari në Tepelenë dhe birit të një të arratisuri të viteve ’50. Pra, paqen sociale e kemi arritur. Në Shqipëri, punët na shkojnë vaj...

Së dyti, të nxitet më tej, - kësaj here me forma gjoja mirëkuptimi mes të interesuarve, - ideja se shndërrimi i kampit të Tepelenës, i burgut të Burrelit ose i Spaçit në muze, është e tepërt. Kampet në Veliqot ose në Dukaj kanë qenë si gjithë të tjerët. “Kamp,si çdo kamp!” Vend grumbullimi i të internuarve politikë nga regjimi komunist, ta zëmë, si Savra ose si Plugu në rrethin e Lushnjës, por jo si kampet naziste të shfarosjes. Tepelena nuk ka asgjë të përbashkët me to. Pse na duhet një muze, fjala vjen, si Auschwitz-i? Mirëpo, harrojnë nostalgjikët se Lek Pervizi e ka përjetësuar me vizatimet e tij Auschwitz-in shqiptar, duke i botuar herë pas here, madje edhe në formë albumi.

Së treti, por jo e fundit nga rëndësia. Mos qofsha i gabuar, ata që kurdisën pa sukses lojën e një konference të dështuar në Bruksel me praninë e zotit Xhufi, kanë synuar mjegullimin e krimeve të kryera nga diktatura komunistenë sytë e brezit të ri. E kam  fjalën për atë brez që, më shumë sesa për gjë tjetër që vjen nga e kaluara, ka nevojë t’i njohë, në mos t’i përjetojë në një farë mënyre goditjet që morën brezat paraardhës. T’i përjetojë përmes datave dhe pllakave përkujtimore,  përmes muzeve etj. Memoria e vrarë nga nostalgjikë që dashur a padashur shndërrohen në falsifikatorë të historisë, do të ishte me pasoja të pariparueshme për memorien tonë kombëtare, në mos varrosje e saj për së gjalli.

Në kontekst me sa më sipër, njerëzit publikë, ku zoti Xhufi ka një vend të zgjedhur në “lozhën kryesore”, lipset ta peshojnë mirë pozicionimin e tyre, jo të vihen në shërbim të lojërave të rrezikshme politike dhe të interesave të çastit. Përndryshe, përgjegjësia do të ishte e përmasave kombëtare.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...