Xhemal Gjunkshi
Sot mbushen 9 vjet nga dita kur vendi ynë u bë zyrtarisht anëtare e Aleancës së Atlantikut të Veriut- NATO. Shqipëria mori për të parën herë pjesë si anëtare me të drejta të plota e NATO-s në Samitin e Aleancës që u mbajt në Strasburg/Këln më 4 prill 2009, ndërkohë që më 7 prill 2009, në selinë e Aleancës në Bruksel, u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamujve të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Anëtarësimi në NATO ka krijuar mundësinë që, nëpërmjet pjesëmarrjes aktive në vendimmarrjen e Aleancës, të jepet kontribut në përpunimin e çështjeve që lidhen me sigurinë euroatlantike e, për rrjedhojë, edhe me sigurinë kombëtare. Si anëtare e NATO-s, Shqipëria është në pozita të barabarta me aleatët për të konfirmuar interesat e saj dhe për të rritur prestigjin dhe reputacionin kombëtar. Pas anëtarësimit në NATO, përpjekjet e Shqipërisë vazhduan të fokusohen në transformimin e forcave të armatosura në një forcë me përmasa më të vogla, tërësisht profesioniste, e aftë për t’u dislokuar dhe e ndërvepruese me NATO-n. Integrimi i plotë i FA në NATO përfundoi në vitin 2013.
Qëllimi themelor i Aleancës së Atlantikut të Veriut është të mbrojë lirinë dhe sigurinë e të gjithë anëtarëve të vet në Evropë dhe Amerikën e Veriut, në përputhje me parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara. Për të arritur këtë, Aleanca organizon dhe përdor si influencën e vet politike, ashtu edhe kapacitetet ushtarake, në varësi të natyrës së sfidave të sigurisë me të cilin ndeshen shtetet anëtare të Aleancës. Në varësi të ndryshimit të situatave strategjike, ka ndryshuar edhe mënyra me të cilën Aleanca u përgjigjet sfidave të sigurimit. Ajo vazhdon të ruajë stabilitetin në gjithë zonën Euro-Atlantike dhe po evoluon që të përballojë kërcënime tradicionale, por edhe të reja si terrorizmi dhe sfida të tjera të sigurisë përtej zonës së vet tradicionale të përgjegjësisë.
Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) është një nga strukturat nëpërmjet së cilës anëtarët e Aleancës realizojnë qëllimet e tyre të sigurisë. Ajo është një organizatë ndërqeveritare, në të cilën shtetet anëtare e ruajnë pavarësinë dhe sovranitetin e plotë dhe shërben si forum në të cilin ata konsultohen me njëri tjetrin dhe marrin vendime mbi çështje që ndikojnë në sigurinë e tyre. Strukturat e NATO-s lehtësojnë konsultimin, koordinimin e bashkëpunimin e vazhdueshëm mes anëtarëve mbi aspektet politike, ushtarake, ekonomike dhe aspekte të tjera të sigurisë si dhe bashkë-punimin në fusha jo-ushtarake si p.sh. shkenca, informacioni, mjedisi dhe ndihma humanitare në rast fatkeqësish.
Siguria kolektive. Aleanca punon mbi parimin se siguria e secilit vend anëtar varet nga siguria e të gjithëve. Nëse siguria e njërit prej tyre kërcënohet, të gjithë janë të cenuar (artikulli 5). Më nënshkrimin e Traktatit të Uashingtonit, karta themeluese e NATO-s, çdo shtet anëtar angazhohet ndaj të tjerëve të respektojë këtë parim, duke ndarë rreziqet dhe përgjegjësitë si dhe avantazhet e mbrojtjes kolektive. Kjo do të thoshte gjithashtu se shumë aspekte të përgatitjeve dhe planifikimit të mbrojtjes që çdo vend kishte ndërmarrë më përpara më vete, ndërmerren së bashku. Mes tyre ndahen gjithashtu edhe kostot për pajisjet e ambientet dhe shpenzimet që nevojiten për forcat e armatosura që të trajnohen dhe të punojnë së bashku në mënyrë efektive. Çdo vend mbetet i pavarur dhe i lirë që të marrë vendimet e veta, (artikulli 4), por duke planifikuar së bashku dhe duke ndarë resurset, ata mund të përfitojnë kolektivisht një nivel sigurie shumë më të lartë se ajo që secili prej tyre do të arrinte vetëm. Ky ngelet parimi themelor i bashkëpunimit për sigurinë brenda NATO-s.
Politikat për të cilat vendet anëtarë të NATO-s kanë rënë dakord, kanë evoluar në mënyrë të vazhdueshme në reflektim të ambientit të situatës strategjike në ndryshim. Qysh nga fundi i Luftës së Ftohtë, politikat dhe strukturat e Aleancës janë transformuar në mënyrë themelore për të reflektuar ndryshimin në ambientin politik e ushtarak të Evropës dhe daljen e kërcënimeve të reja ndaj sigurisë. Gjithashtu, është zgjeruar edhe koncepti i mbrojtjes për të përfshirë dialogun dhe bashkëpunimin praktik me vendet e tjera jashtë Aleancës, si mjeti më i mirë për të forcuar sigurinë Euro-Atlantike. Sot, NATO është më tepër se një Aleancë mbrojtje. Në të vërtetë, kjo aleancë është shtrirë duke arritur deri tek ish- kundërshtarët e vet dhe po punon tani për të ndërtuar dhe mbrojtur paqen dhe sigurinë në mbarë zonën Euro-Atlantike. Për të arritur këtë, Aleanca po ndërmerr një numër detyrash edhe më të mëdha dhe po adopton mënyra pragmatike, novatore, dhe gjithnjë e më tepër elastike për të zgjidhur ato që janë në mënyrë të paevitueshme çështje komplekse.
Koncepti Strategjik i Aleancës, një deklaratë autoritare e objektivave të Aleancës dhe detyrave të saj themelore për sigurinë, jep drejtimin për mjetet politike dhe ushtarake që do përdoren për t’i kryer ato. Publikimi i këtij dokumenti për herë të parë në 1991, shënoi një ndarje të qartë më të kaluarën. Gjatë luftës së Ftohtë, kuptohet që dokumente të kësaj natyre delikate për planifikimin strategjik kishin qenë sekrete. Koncepti aktual strategjik i përket vitit 2010. Ndonëse kërcënimi i luftës së përgjithshme në Evropë është virtualisht është zbehur, anëtarët e Aleancës dhe vende të tjera në rajonin Euro-Atlantik kanë përballë rreziqe e pasiguri të tjera, që përfshijnë konflikte etnike, abuzim të të drejtave të njeriut, destabilitet politik dhe brishtësi ekonomike. Përveç kësaj, përhapja e armëve bërthamore, kimike e biologjike dhe e mjeteve të goditjes me to, është një çështje e preokupim serioz, dhe përhapja e teknologjisë mund të rezultojë në një disponim më të madh të kapaciteteve ushtarake ndaj kundërshtarëve potencialë.
Termi forcat e NATO-s shpesh herë mund të interpretohet jo saktë. NATO nuk ka ushtri të vetën. Në vend të kësaj shtetet anëtare individuale japin angazhimin lidhur me tipin dhe numrin e forcave që do i vihen në dispozicion Aleancës për të kryer operacionet e detyrat e rëna dakord. Kjo forcë ngelet nën kontrollin e çdo shteti derisa të thirret e të vendoset më pas nën përgjegjësinë e komandantëve ushtarakë të NATO-s. Ndërsa NATO nuk ka armik permanent, ajo mund të mobilizojë forcat e 29 aleatëve. Struktura e saj e integruar shumëkombëshe ka sjellë në një nivel të paparë ndonjëherë për ndëroperacionalitet mes forcave ushtarake, të pajisura dhe stërvitura për të punuar së bashku, sipas procedurave dhe standardeve të përbashkëta. Përsa thamë më sipër tërhiqet vëmendja se të qenit anëtar i NATO-s nuk i zbeh aspak përpjekjet e vendeve për të forcuar kapacitetet kombëtare të mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare. Është tërësisht naiv koncepti se qenia anëtar i NATO-s shmang interesin dhe vëmendjen për të rritur kapacitetet kombëtare. Vetë artikulli 6 i NATO-s e motivon një angazhim të tillë. Edhe kritikat e presidentit amerikan që çdo vend të rishoh buxhetet e mbrojtjes, jo më pak se 2 përqind përputhet me Kartën e Atlantikut.
NATO nuk është një organizatë super nacionale, por një organizatë ndërqeveritare. Është një aleancë e shteteve sovrane e të pavarura, që janë së bashku në interes të sigurisë së përbashkët dhe mbrojtjes së vlerave të përbashkëta. Vendimet merren mbi bazë të konsensusit, që jo rrallë kthehet në një proces mjaft të ndërlikuar. Për të lehtësuar konsultimin, çdo vend anëtar përfaqësohet nga një delegacion i përhershëm në shtabin politik të NATO-s në Bruksel, që përbëhet nga një Përfaqësues i Përhershëm, që është kreu i delegacionit, dhe një Përfaqësues Ushtarak. Secili prej tyre mbështetet nga një staf këshilltarësh civilë e ushtarakë, që përfaqësojnë vendet e tyre në komitetet e ndryshme të NATO ‘s. Vendi ynë përfaqësohet me të njëjtat standarde si edhe vendet e tjera në Bruksel.
Ndërsa natyra e kërcënimeve që hasin shtetet anëtare dhe mënyra që NATO organizohet për të përballuar ato po ndryshojnë, thelbi që përshkon aleancën ngelet ai që ka qenë gjithmonë. NATO garanton një kornizë transatlantike politiko-ushtarake për të menaxhuar sfidat e sigurisë. Aleanca bashkon Evropën dhe Amerikën e Veriut dhe balancon një gamë interesash kombëtare. Për më tepër, ndërsa NATO evoluon nga një mburojë mbrojtjeje kolektive drejt një menaxheri për siguri në një sens më të gjerë, ajo ka arritur të përfaqësojë një komunitet vlerash, si demokracia dhe të drejtat e njeriut, po aq sa edhe një komunitet interesash.