Ka lindur nga Ikja e Dhimbshme
Nga Qemal SAKAJEVA
Njeriu vetjak dhe bashkësia njerëzore nuk bëjnë dot pa festa familjare.
Ditë të shenjta kanë të gjitha besimet fetare.
As shteti nuk mund të ndërthurë interesat e tij me ato të shtetasve të vet pa festa zyrtare.
Të katër palët, individi, bashkësia, feja dhe shteti, për gjatë asaj që quhet jetë, kanë veçuar ditë dhe data, që pastaj i përkujtojnë me festime.
Historitë e festave janë të panumërta, duke vënë në bazë të tyre ngjarje apo legjenda. Por, ky nuk është synimi i këtij shkrimi. Ndoshta, tri janë mënyrat e jetësimit të tyre: festa të lindura, festa të krijuara, festa të detyruara. Ndër të gjitha regjimet e njëzet shekujve të fundit, komunizmi, ndoshta, ka qenë sistemi më i vrazhdë i detyrimit dhe ndalimit të festave. Përshembull, një festë kombëtare e detyruar ka qenë 8 nëntori i çdo viti, i përcaktuar si ditëlindja e partisë komuniste, një festë e ftohtë e zyrave, por aspak e shpirtit; festa të ndaluara rreptësisht, ndër të tjera, kanë qenë Krishtlindjet, Bajrami dhe Pashkët, një përjashtim zyrtar që gati përthau zemrat.
Festimi i detyruar është shtirje dhe ndëshkim. Atë mund ta bëjë vetëm diktatura.
Festimi i krijuar, edhe kur është i natyrshëm, kërkon shumë kohë që të përfshijë gjithkënd.
Festimi i lindur është brenda mendjeve e zemrave, nuk ka nevojë për shpallje a thirrje, fonde a organizime, prandaj është madhështor.
Si pa u vënë re, edhe pse jashtë vëmendjes zyrtare, Shqipërisë i ka lindur një festë e tillë, e vërtetë, e ndjerë, e përgjithshme, që nga Jugu deri në Veri, që nga Tirana qindramijëshe deri brenda shtëpisë në kep të malit, nëse i ka mbetur ndonjë banor aty. Kjo festë, sot për sot, është e paemër. Për ta shquajtur, le ta quajmë: Festa e Kthimit. Ajo nuk ka ditë të caktuar, por është kohë, një festim i gjatë sa as gjumi i natës nuk e ndërpret, si asnjë lloj tjetër feste në mbitokën e nënqiellin tonë. Sipas statistikave shqiptare, greke dhe italiane, vetëm në këto dy shtete fqinje - Itali dhe Greqi - përtej kufirit ujor e tokësor të Shqipërisë, jetojnë e punojnë rreth 900 000 emigrantë shqiptarë, ndërsa sipas statistikës së OKB, nga Shqipëria ka emigruar mbi 36 përqind e popullsis Ata kryejnë, në mënyrë të përbashkët dhe plot spektakël, dy kthime të pazakonta në vit: Verës, përgjithësisht, në korrik dhe fillim të gushtit dhe, Dimrit, përgjithësisht, në dhjetor. Sado që ardhjet nuk janë tërësore (ashtu do të “përmbytej” Shqipëria), ato rrokin dhjetra mijëra frymë. Ky vërshim i tejmbush rrugët tona me targa të panumërta qytetesh të Europës; i dendëson qytetet tona të mëdha dhe i gjallëron ato të vogla; mbush zbrazëtinë e fshatrave mbetur me pleq, gra e fëmijë; shton punën e tregtarëve; restorantet dhe kafeteritë gumëzhijnë; kryhen fejesa e bëhen dasma, lënë qëllimshëm për në kohën e kthimit; ekonomia familjare mëkëmbet nga prurjet e parave aty për aty; veshjet zëvendësohen me të reja nga dhurimet; teknika shtëpiake përtërihet; bëhen përkujdesje për sigurimin e kursimeve nëpër banka; bizneset e familjes së ngushtë marrin frymë më mirë; fytyrat e të dy palëve - të pritësve dhe të të kthyerve - çtendosen, sytë kthjellohen, e folmja gazmohet, përqafimet shtohen, vizitat shpeshtohen; celularët cërratin më pak; ditët shkojnë shpejt, si uji nën urë; njerëzit e kthyer, sjellësit e kësaj hareje të pashoqe, megjithatë, sikur rrijnë midis - as këtu e as atje; u duhet të ikin dhe nuk duan të humbin asnjë imtë; kjo i mban në pranga, sepse ndërsa u duhet të largohen, mendojnë për kthimin. Duke qenë festimi pjesë e jetës tokësore, në gjithë këtë lëvizje marramendëse pa regjisurë, nuk përjashtohen as ndodhitë e pakëndshme, madje as dramat, fatkeqësisht, as tragjeditë: zënka, aksidente, plagosje, por edhe vrasje.
Megjithkëtë, Festa e Kthimit është më e reja e festimeve tona; është më e gjata e të gjithave; është më e ndjera brenda çdo njeriu; është më e përbashkëta, përcaktuar nga fati i njëjtë. Kjo sepse Festa e Kthimit nuk është e krijuar, as e sajuar, kurrësesi e detyruar. Ajo është e lindur nga Ikja e Dhimbshme dhe Kthimi i Përmallshëm. Pa frikë, mund të thuhet, kjo festë është bërë traditë dhe, për ta rrënjosur thellë, ka ndikuar secili, edhe ai që vonon, por vjen. Nuk dihet se çfarë feste ndjehet më me shpirt, por asgjë nuk pritet më me padurim se kthimi i bijës dhe birit të ikur, në dhera të largëta. Tokën e zhuritur e freskon vetëm ardhja e shiut të munguar. Kjo është festa më e bujshme dhe më këndellëse e Shqipërisë. Festa e Kthimit nuk ka ditë të caktuar në kalendarët e llojllojshëm që shiten. Por, pa ia cenuar me zyrtarizëm, natyrshmërinë e saj të pashoqe, Festa e Kthimit është e dënjë për një ditë a datë simbolike dhe për një përshëndetje të spikatur. Kur familja thotë “Mirë se erdhe, bija e biri im!”, edhe kreu i shtetit ka arsye të mjafta për t’u thënë të gjithëve “Mirë se erdhet, bij e bija të Shqipërisë!”. Përveç të tjerave, statistikat thonë që, të gjithë ne, të mbetur këtu, ushqehemi, vishemi, mësojmë e zhvillohemi edhe me djersën e tyre.