Ekskluzive/ Genc Pollo: Rama sjell vetëm mënxyra, po na largon nga BE

Diel, 03 June 2018 15:03
Për deputetin e PD-së, Genc Pollo, kryeministri Edi Ramë është një politikan i papërgjegjshëm.
Në një intervistë ekskluzive për 55News.al, Pollo thotë se Rama ende nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë që në vitin 2016 vuri në zbatim projektin për kanabizimin e vendit.
Deputeti i PD-së, për 55News.al ka folur edhe për vendimin që vendet anëtare të BE do të marrin në qershor të këtij viti për çeljen e negociatave të vendit tonë me Bashkimin Europian.
Pollo thotë se është shumë e vështirë që Shqipëria të marrë një “OK” për negociatat, dhe pengesa kryesore është Edi Rama dhe qeveria e tij.
Dhe sipas Pollos, çështja e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit dhe ministrit aktual, Fatmir Xhafajt do të ndikojnë akoma më shumë për keq në këtë vendimmarrje.

Intervista

 1) Çfarë politikani është për ju Edi Rama?

Pyetja është e gjerë. Po marr vetëm një tipar, për mua të spikatur: (pa)përgjegjshmërinë.  Rama është politikani tipik që nuk merr e nuk mban përgjegjësi për veprimet e tija. Është ironike pasi në vjeshtën e shkuar, sa herë që merrte fjalën në Kuvend, theksonte se "ne marrim përgjegjësi" dhe e këtë tipar të pretenduar e paraqiste si dallim nga të gjithë të tjerët. Ndërkohë as ka pranuar përgjegjësinë dhe as ka nxjerrë pasoja në përputhje me të për një sërë problemesh e mynxyrash që janë direkt produkt i veprimit politik qeveritar. Kam parasysh kriminalizimin e shtetit përfshi edhe policinë, projektin Kanabistan 2016 si dhe përqendrimin e pasurisë në pak duar qe solli varfërimin  e përgjithshëm dhe emigrim masiv në Europë të harruar që nga viti 2000. Ai ose e mohon realitetin ose, kur kjo bëhet e vështirë, e projekton përgjegjësinë tek të tjerë si opozita, media, Europa etj. 

2- Përshkrim interesant, por Rama po merr përgjegjësi për çeljen e negociatave me BE duke lobuar fort. Të martën mori përkrahjen e kancelarit austriak Kurz. 

Takimi me kancelarin austriak u bë për shkak të rishfaqjes së emigrantëve nga Lindja e Mesme që kalojnë përmes vendin tonë e të cilët një polici e çoroditur nga kanabizimi dhe tronditur nga skandali i ministrit të brendshëm nuk është në gjendje ta menaxhojë. Sa për përkrahjen e Vjenës për BE do të kujtoja se shtetet e BE fqinjë me ne, nga Roma në Sofje, nga Vjena në Athinë janë pro negociatave. Në tërësi Ballkani Perëndimor në BE është në interesin e tyre Dallimi qendron midis atyre që nisen nga arsye gjeopolitike si Brukseli dhe të tjerëve që duan të shohin meritën. 

3- E keni fjalën për Berlinin e Parisin?

Parisi ka arsyen shtesë të emigracionit të paligjshëm shqiptar të vitit të shkuar. Kur po kjo  ndodhi në 2015 me Gjermaninë Rama e Tahiri na siguronin se ishin shqiptarë të emigruar prej vitesh në Greqi. Ju kujtohet apo jo. Një ilustrim i bukur i papergjegjshmërisë. 

4- Po arsyeja bazë ? 

Pesë prioritetet kyç, kusht për çeljen e noegiciatave nuk janë plotësuar. Kush i lexon 112 faqet e raportit Shqipëria 2018  të Komisionit e kupton. Kush e krahason me raportet e viteve 2015 e 2016 e ka fare të qartë. Kjo është arsyeja që politikanë vendimmarrës në disa shtete të BE po hezitojnë. Ata e shohin, e dinë mirë se progres në luftën kundër krimit të organIzuar sa kohë që  mbrohen politikisht ministri e ish ministri i brendshëm.  Këta politikanë nuk kanë të bëjnë fare me deputetë anti BE e anti Ballkan të cilët ndodhen në minorancë 

5- U duk sikur Berlini bëri presion për Tahirin. A mendoni se do të ketë njelloj presion për Xhafajn?

Skandali Xhafaj është kafshatë e pakapërdishme. Në fakt është një megaskandal i përbërë nga disa skandale. Më tërheq vëmendjen njëri syresh: Lex Xhafaj që ndryshoi papritur e fshehtas Kodin e Procedurës Penale barazon gjyqin me "të pandehur në mungesë" me gjyqin me " të pandehur të panjoftuar". I pari i pranuar nga e drejta europiane ndërsa i dyti i papranueshëm. Pasojë është ajo që tha në dhjetor ministri i drejtësisë italian; se 12 të dënuar në Itali e që ndodhen në Shqipëri nuk bëjnë dot burg as këtu e as atje. Në një vend normal ky skandal do të ishte tërmet politik dhe nuk mund të mbyllej ndryshe veçse me korrigjimin ligjor. Pa folur për pasojat politike. Çështja e përgjegjësisë që trajtuam më lart. 

/55News.al/

Modifikuar më Diel, 03 June 2018 15:54
Login to post comments