Ka një mungesë historike besimi ndaj monedhës vendase, që i ka rrënjët që në kohën e Zogut, kur zhvlerësimi i monedhës kombëtare i bëri njerëzit të lidheshin me floririn. Edhe në kohën e komunizmit, ata që kishin flori i ruanin me kujdes.
Në fillim të viteve ’90, kur leku u zhvlerësua me shpejtësi, referencë për shqiptarët u bë dollari. Që prej vitit 2003, kur kaloi për herë të parë dollarin në bursat ndërkombëtare, euro është monedha e preferuar për blerjen e aseteve të qëndrueshme, sidomos apartamentet dhe makinat. Çmimet e shtëpive sot kuotohen në euro, por edhe makinat shiten në këtë monedhë.
Edhe kursimet e tyre, shqiptarët nuk preferojnë që t’i mbajnë në monedhën vendase. Në fund të muajit shkurt 2018, 52% e kursimeve totale në banka janë në valutë, kryesisht në euro, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë. Pesha e kursimeve në valutë është rritur vitet e fundit, teksa në dhjetor 2015, për herë të parë kursimet në valutë i kaluan ato në lekë.
Por, sot, teksa euro dhe dollari po bien kursimet në valutë vlejnë më pak, nëse do të konvertoheshin në lekë. Euro zbriti në fund të javës së kaluar në 128.84 lekë, nivelin më të ulët në 10 vite, ndërkohë që dollari luhatet rreth 105 lekëve, niveli më i ulët i katër viteve.