Ish sportisti i klubit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, “Dinamo”, të vetmen gjë që di të bëjë si politikan është të mos pushojë nga mëngjesi deri në darkë. Si duket instruktorët e dikurshëm të Komitetit Qendror të Partisë së Punës e kanë mësuar se ky popull do propagandë, varfëri e dajak. I “gjithëdituri” Rama, që tanimë ka filluar edhe drekat t’i hajë drejtpërdrejt, asnjëherë nuk ka folur për bashkëpunimin me organin e Sigurimit të Shtetit, “Në shërbim të popullit”. Megjithëse ia kemi bërë disa herë publike, Rama asnjëherë nuk ka folur. Nuk ka si ta mohojë sigurisht. Nuk ka si ta zhdukë po ashtu. Se jo për gjë, por ishte i njomë atëherë, 19 vjeç, kur nisi vizatimet që tregonin luftën kundër “diversantëve të imperializmit amerikan”. Jo pak herë, Rama i është përmbajtur në fjalime të njëjtave terma me origjinë nga Sigurimi. Kjo vihet re në fjalime kur flet për “diversantë”, “ballistë që hanë pula”, etj, të zhargonit ordiner komunist, me të cilat është formuar si njeri e si karakter. Gjithsesi, çasti heroik, kur Rama u bë lustraxhi i Sigurimit, ai i vitit 1983, nuk përmendet fare nga ky produkt i Bllokut komunist.
Atë ditë të ftohtë të ftohtë tetor 1983, studenti Edvin Kristaq Rama, i kërrusur për shkak të gjatësisë e brishtësisë së moshës, duke ecur në shkallët e redaksisë së revistës “Në shërbim të popullit” – organ i Ministrisë së Punëve të Brendshme, mbante në duar vizatimin e tij që lustronte shkrimin e një autori me agjentura të huaja. Se helbete, të huajt nuk na donin dhe donin të prishnin jetën e “lumtur” të popullit tonë në udhëheqjen e partisë. Një muaj më pas, Rama bëri edhe një tjetër lustrim tregimi, mbi një ngjarje me diversantë të quajtur “Shokë lufte”. Normalisht duhet të ketë lexuar tekstin që e ka frymëzuar.
Ishte vetëm 19 vjeç kur kishte nisur të mallëngjehej tej mase nga tregimet me punëtorë operativë, diversantë, shkelës kufiri, armiq të klasës, etj. Përditë ai dëgjonte nga babai i tij që ishte dhe deputet për fitoret e lavdishme të Partisë së Punës dhe udhëheqësit të saj legjendar, shokut Enver. “Duhet të kontribuoj edhe unë, kudo që të jem” – thoshte ai vazhdimisht. Këto tregime sa vinin e i forconin urrejtjen ndaj armikut të klasës, për të cilin edhe ai ndjehej i sigurt se duhej goditur.
Dhe kështu djaloshi problematik i Institutit të Lartë të Arteve, përveç punëve të tjera, nisi të bëjë vizatime për heroin e heshtur, për punëtorin e palodhur operativ, diversantët, etj.
Tregimi i botuar në revistën e MPB-së nën ilustrator, ishte një rast tipik i urrejtjes ndaj të huajve të kategorizuar si “imperialistë”, ku në radhë të parë ishin amerikanët. Sipas tregimit “imperialistët amerikanë” kishin përgatitur “diversantët shqiptarë” të cilët i kishin hedhur në një shtet kufitar me Shqipërinë. “Mersin F.” Në tregim quhej “asi i shërbimit të huaj”. Tregimi nis me “shpjegimin në hetuesi” të një “diversanti” e vazhdon me hollësi të tjera, sipas mendimit tonë të panevojshme për t’u përsëritur. Edi Rama është entuziazmuar nga kjo. Ka marrë lapsin (apo penelin) dhe ka hedhur në kartë dy pjesëtarë të forcave të ndjekjes që ndiqnin “diversantët” që dërgonte “imperializmi amerikan”. Përballë figurave të vrazhda të dy ndjekësve, qëndronin “hijet e zeza” të “diversantëve” të dërguar nga amerikanët që paraqiteshin më të zinj se nata pasi ato donin të prishnin “parajsën socialiste”.
Pikërisht këtu e ka nisur edhe kontributin në fushën e “medias”, kryetari i sotëm i Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama. Dhe jo media dosido, por në organin që ishte nomenklaturë e Sigurimit të Shtetit dhe një mjet i fuqishëm propagande për atë kohë.
Udha tashmë ishte çelur. Edi krenohej të nesërmen e publikimit të revistës së përmuajshme duke thënë: “e shikoni sa bukur e kam vizatuar”, duke marrë uratat e përgëzimet e sa e sa njerëzve të këtyre punëve. Por armiq ai filloi të shihte kudo, edhe brenda ekipit ku hidhte topin drejt koshit. Ndonjëherë nuk përtonte të kafshonte edhe veshë shokësh. /55news.al/