Siç duket qeveria ka shumë arsye për tu trembur nga protesta e pritshme sot nga biznesi i vogël dhe i mesëm. Një orë para protestës ministri i Financave, Arben Ahmetaj ka nxituar të ulet para mediave për të sqaruar punën e taksave dhe të TVSH-së. Dalja e tij para mediave sot i ngjet uljes së detyruar të kryeministrit pas djegies së sporteleve të Rrugës së Kombit, por Ahmetajt deri më ora 10:30 duket se i ka djegur vetëm dyshimi i asaj që mund të shkaktojë protesta dhe deri ku mund të precipitojë ajo.
"Nuk ka asnjë tatim të ri, nuk ka asnjë ngarkesë të re, nuk ka asnjë taksë të re, - tha ministri 'live' . - Opozita në qëllim kërkon të përdorë një masë antiinformalitet të duhur për të turbulluar ambientin shqiptar për një masë që këtë muaj provohet kollaj që është e duhur. Ju ftoj të më tregoni një çmim të rritur në dyqane. Mosrritja e çmimeve është premtim i mbajtur, përkundër rritjes së inflacionit," shtoi ai.
“Qëllimi i këtij pragu është mbledhja e TVSH-së nga biznesi i madh. Fokusi nuk është biznesi i vogël por biznesi i madh. 56% e sipërmarrjes do të ngelet jashtë detyrimit për deklarim, që janë rreth 60 mijë biznese me nën 2 milionë lekë,” insistoi Ahmetaj.