Protestës së biznesit të vogël, kundër rritjes së taksave i është bashkuar edhe deputetja e PD-së, Jorida Tabaku.
Teksa e ka filmuar vetë nisjen e protestës nga biznesi që po ul qepenat, Tabaku shprehet:
"Një qeveri që dhunon sipërmarrjen përmes taksave të larta nuk është më një qeveri e shumicës së qytetarëve por e një pakice që përpiqet të imponohet me dhunë. Sot jemi në krahun e atyre që vendosin lirinë e tyre dhe të sipërmarrjes së lirë mbi dhunën arbitrare të një pushteti gati diktatorial.
Taksat as nuk kanë qenë dhe as nuk janë gjoba e qeverisë karshi sipërmarrjes sikundër kjo qeveri mendon dhe vepron."
Deputetët e opozitës janë shpërndarë në zona të ndryshme të Tiranës në mbështetje të bizneseve të vogla. Të pranishëm janë dhe deputetët e LSI-së.
“Nëse kjo qeveri nuk reflekton, të jeni të bindur që do të jetë masive, dhe do të kalojmë deri në një mbyllje totale të qepenave, që kjo qeveri të marrë njëherë e përgjithmonë mesazhin e qartë nga shqiptarët”, ka pohuar deputeti i LSI-së, Endrit Braimllari.