Negociatat/ Tjetër lajm negativ nga Gjermania, ekspertja flet për DW

Saturday, 09 June 2018 18:50

Ekspertja gjermane e politikave europiane , Sarah Wohlfeld bën një paraljmërim të zymtë për atë që do të ndodhë me vendimin për hapjen e negociatave me Shqipërinë ku shumë vende të BE sipas saj mendojnë se Shqipëria nuk është gati për hapjen e negociatave

DW: Komisioni i BE-së thotë se Shqipëria ndodhet në rrugë të mbarë. Parlamenti gjerman do marrë këto ditë vendimin nëse Gjermania u thotë “Po” bisedimeve të pranimit me Shqipërinë. E kanë të vështirë deputetët në Gjermani të bindin zgjedhësit se pranimi i Shqipërisë në BE është me përfitim për Evropën?

Sarah Wohlfeld: Në përgjithësi atmosfera për një valë të re zgjerimi të BE-së nuk është pozitive në Gjermani. Ekzistojnë sondazhe si për shembull të Eurobarometrit, që thonë se popullsia gjermane është kundër pranimit të vendeve të reja. Për fat të keq vendet e Evropës Juglindore nuk kanë imazh shumë të mirë në Gjermani, kështu që në fakt është e vështirë të bindësh zgjedhësit që zgjerimi i ri është pozitiv. Megjithatë duhet thënë që kjo temë nuk është një temë që u intereson shumë zgjedhësve, për njerëzit këtu në Gjermani kjo temë është jashtë radarit, prandaj nuk diskutohet shumë në media. Prandaj edhe Angela Merkel që është shprehur për pranimin, tregon kujdes që tema të mos kthehet në temë shumë të rëndësishme për njerëzit këtu, sepse e di që popullsia është kundër. Sa kohë pra që vala e re e pranimit është larg dhe nuk është duke ndodhur konkretisht, interesi publik mbetet jo shumë i madh.

Ju sapo përmendët imazhin e Shqipërisë dhe Evropës Juglindore në Evropën Perëndimore. Mendoni se ka ndryshuar imazhi apo vazhdon të jetë ai i viteve nëntëdhjetë?

Sarah Wohlfeld: Shumë nuk ka ndryshuar sa i përket imazhit. Unë mendoj se në Gjermani ende mungojnë njohuritë për rajonin dhe sundojnë stereotipet e vjetra, sipas së cilave në Shqipëri ekziston kriminaliteti i organizuar, korrupsioni, mafia. Këto gjëra janë ato që shihen të lidhura me rajonin.

Është kjo një nga arsyet pse disa vende janë kundër dhe nuk janë dakord për të thënë “Po” për Shqipërinë? Si për shembull Holanda dhe Franca?

Sarah Wohlfeld: Arsyet janë të ndryshme. Sa i përket Francës, Macron mendon se më i rëndësishëm është thellimi i Bashkimit Evropian, se sa zgjerimi. Ai mendon se vendimet duhen marrë ndryshe, që zgjedhësit evropianë të jenë në gjendje të marrin vendime me 33 vende anëtare, që BE të mbetet e aftë për të vepruar. Por, ka edhe argumente të tjera si për shembull që nuk dihet nëse zbatimi i reformës në drejtësi në Shqipëri do të jetë i suksesshëm apo jo. Që do të thotë se duhet pritur për të parë nëse reforma në drejtësi do zbatohet deri në fund. Po ashtu kërkohen reforma të tjera në luftimin e korrupsionit, kundër krimit të organizuar sidomos sa i përket tregtisë së drogës. Prandaj skepticizmi është i madh dhe nuk duan që të hapen para kohe bisedimet e pranimit, sepse mendojnë se Shqipëria ka bërë pak për këto fusha.

Pra ka arsye që lidhen me politikën e brendshme të vetë BE-së, por ka edhe arsye që kanë të bëjnë me Shqipërinë kur vende të ndryshme nuk janë dakord për fillimin e bisedimeve të pranimit. Disa vite më parë të njëjtat procese kanë ndodhur me Bullgarinë dhe Rumaninë. E njëjta mënyrë trajtimi, si me një nga metodat e edukimit të fëmijëve: “Po u solle mirë, mund të hash akullore, ose po u solle mirë do ta hap derën e pranimit”.

Sarah Wohlfeld: Po, po. Bullgaria dhe Rumania vazhdojnë ende të luajnë një rol të madh. Gjithnjë politikanët edhe në Gjermani thonë që Bullgaria dhe Rumania janë lejuar të pranohen para kohe, kur ato nuk kanë qenë ende të gatshme, prandaj kriteret duhet të jenë tani më të forta dhe të vështira. Dhe është bërë më e vështirë për të hyrë në BE. Po ashtu, kemi vendet e tjera të BE-së, si Polonia dhe Hungaria ku mendohej se proceset demokratike ishin të pakthyeshme. Tani vërehet se nuk është kështu dhe se aty po ndodh kthim mbrapa. Prandaj ekziston frika se e njëjta gjë mund të ndodhë me Ballkanin Perëndimor, që si të thuash futen në BE vende që kanë tendenca antidemokratike, autokratike. Gjë që është vërejtur në rajon. Prandaj BE nuk do që të përsërisë gabimet. Të gjitha këto luajnë një rol dhe në shumë vende të BE-së ekziston skepticizëm, ose mungesë oreksi për një zgjerim të ri.

Pranimi i vendeve të reja në BE është me përfitim reciprok. Si mund ta ndihmojë Evropa Shqipërinë për të bërë ato që duhet për t’u pranuar në BE. Në fakt Shqipëria ka vendosur 20 vjet më parë të marrë rrugën që do ta çojë në anëtarësim në BE. Shqipëria mbase nuk është ende në fund të rrugës, por shumica e shqiptarëve e dinë dhe e duan të ardhmen e Shqipërisë në BE. Çfarë mund të bëjë Evropa për këto vendet që ato të marrin rrugën drejt perëndimit dhe jo lindjes?

Sarah Wohlfeld: Evropa mund të bëjë më shumë duke shtuar presionin, por ajo që duhet të bëjë më shumë është vetë Shqipëria. Shqipëria duhet të zbatojë me sukses reformën në drejtësi. Ekziston një monitorim i BE dhe shihet si zhvillohen proceset, por është në duart e Shqipërisë t’ i zbatojë reformat. BE mund të vazhdojë të jetë e vëmendshme dhe të ndjekur proceset, për të parë dhe vlerësuar sukseset duke filluar bisedimet, por edhe gjatë bisedimeve. Do të ishte shumë mirë sikur Shqipëria t’ i bënte vetë gjërat dhe jo vetëm me presionin e BE-së. Për reformën e drejtësisë, presioni ishte shumë i madh nga SHBA dhe EU. Shqipëria do të bënte shumë për veten nëse zbaton reformat për transformimin demokratik të vendit. Kjo do ta shpejtonte rrugën drejt BE-së shumë më tepër se sa të presë t’i bëhet presion nga BE-së.

Vite me parë BE pati filluar procesin e pranimit me Kroacinë dhe Turqinë. Kroacia u kthye në histori suksesi, kurse Turqia jo. Në atë kohë u fol për BE si klub i krishterë. A luan feja edhe për Shqipërinë ndonjë rol kur flitet për pranim në BE?

Sarah Wohlfeld: Jo, fare. Të them të drejtën unë nuk besoj se popullsia këtu e di që Shqipëria është vend mysliman, që myslimanizmi në Shqipëri është shumë më tepër shekullar se diku tjetër. Unë do të thosha se nuk luan ndonjë rol. Rol luajnë shteti i së drejtës, korrupsioni, kriminaliteti. Këto janë temat, jo që Shqipëria është vend mysliman. Kjo nuk është temë as në media as në diskutimin politik.

Kur bëri të njohur strategjinë e re të pranimit në muajin janar, BE-ja çiftëzoi Serbinë me Malin e Zi duke u dhënë atyre perspektivën e 2025-ës, Shqipërinë me Maqedoninë për 2030 ose më vonë dhe Kosovën me Bosnjën për 2035 ose më vonë. Zhvillohet procesi i pranimit në çift? Maqedonia për shembull ka kërkuar që të jetë solo në procesin e pranimit.

Sarah Wohlfeld: 2025-ta për Serbinë dhe Malin e Zi nuk do të thotë se vendet do të pranohen, por është një datë që shënohet nëse çdo gjë zhvillohet shumë mirë. Pra nuk është datë fikse, por datë që mund të shihet si mundësi. Çiftëzimi i vendeve nuk është rregull i BE-së, ose ligj. Çdo vend vlerësohet sipas përparimeve të veta, prandaj një vend e ka mundësinë ta bëjë i vetëm rrugën për BE.

Login to post comments