Gjatë vizitës së tij në Korçë Presidenti i Republikës, Ilir Meta, është ftuar për Iftar nga Myftinia e këtij qyteti.
Përmes një postimi në “facebook”, Meta ka falënderuar Myftininë e Korçës dhe ka kujtuar figurën kombëtare dhe fetare Hafiz Ali Korçën, për kontributin e madh që ai ka dhënë për vendin tonë.
Në fund të shkrimit të tij presidenti Meta ka uruar një agjërim të mbarë për të gjithë besimtarët e Korçës dhe gjithë Shqipërisë.
Postimi i plotë:
Kënaqësi e veçantë të marr pjesë sot në iftarin e shtruar nga Myftinia e Korçës, në qytetin e patriotizmit, gjuhës, kulturës dhe bashkëjetesës fetare.
Kujtojmë figurat e mëdha kombëtare dhe fetare si Hafiz Ali Korça, patriot, mbrojtës i shquar i gjuhës shqipe, kontribues i rëndësishëm i pavarësisë së Shqipërisë dhe klerik i shquar shqiptar.
Në këtë javë të fundit të Muajit të Shenjtë të Ramazanit i uroj agjerim të mbarë besimtarëve të Korçës dhe të gjithë Shqipërisë dhe një urim të veçantë për Natën e Madhe të Kadrit.
Gëzuar dhe mbarësi!