Në vitin 1989 Edvin Rama udhëtoi me ekipin kombëtar për një ndeshje basketbolli në Republikën Federale Gjermane. Jo se ishte ndonjë lojtar kushedi se çfarë, por në këto raste më tepër vlerësohej dalja jashtë shtetit, raste që pinjollët e nomenklaturës nuk i linin t’u iknin nga dota. Nën shoqërimin e një punëtori operativ, basketbollistët dilnin jashtë shtetit pasi u ishte parë biografia e tyre nga Sigurimi i Shtetit. Drejtoria e Punëve të Brendshme Tiranë, pa asnjë vërejtje, me shkresën nr.1461/1, datë 28.4.1989, miratonte pa asnjë vërejtje daljen jashtë shtetit të Edi Ramës dhe të nesërmen, me miratimin e drejtorit të Drejtorisë së Parë, Frederik Ymeri dhe zëvendësministrit të Punëve të Brendshme (për Sigurimin), Zylyftar Ramizi, Edvin Rama lejohej të dilte jashtë shtetit. Nëse Edvin Rama do kishte ndonjë pengesë apo shënim se për ndonjë barsoletë gjoja paska shkaktuar zemëratën e regjimit, diçka do ishte shkruar. Por sigurisht që jo, se ishte i regjimit dhe dilte jashtë me këtë kredencial. Asnjë vërejtje nuk kishte regjimi për njeriun e tij, djalin e Kristaqit dhe nipin e Barba Spiros.