Pas një pushimi disa mujor, Kryeministri Rama do të hapë një tjetër ekspozitë me skicat e tij. Më 27 qershor, ekspozita “Shënime fantastike nga Kryeministri i Shqipërisë” do të hapet tek galeria “Landesgalerie”, në Burgenland, një kanton i Austrisë.
Hapja e ekspozitës vjen pas një vizite zyrtare në Austri dhe ngjason me modelin e ekspozitave private të hapura më parë, pikërisht pas vizitave zyrtare të Kryeministrit. Për shembull, në prill të vitit 2015, Rama hapi një ekspozitë të titulluar “Kalendari i Luleve” në Galerinë Michael Schultz, teksa ndodhej në Gjermani për të takuar Kryeministrin e Baden-Württemburgut dhe për të vizituar Muzeun e Mercedes Benz; dhe në nëntor të vitit 2015, Rama hapi ekspozitën e tij “Lulëzimi i Kalendarit” në Akademinë Jao Tsung-I, gjatë një vizite zyrtare në Hong Kong për të takuar Guvernatorin Leung Chun-Ying dhe për të marrë pjesë në Forumin e Tregtisë dhe Investimeve Hong Kong-Shqipëri.
Ekspozita e Burgenlandit është kuruar nga Fate Velaj, ish-këshilltar i diplomacisë kulturore dhe Rilindjes Europiane i Kryeministrit Rama, dhe deputet i Partisë Socialiste.
Fate Velaj ka deklaruar zyrtarisht se: “Ne nuk duhet të harrojmë se Rama është një artist dhe në thellësinë e ndërgjegjes së tij ai dëshiron të mbetet ahtu dhe të zgjidhë betejat … në mënyrën më artistike të mundshme”.
Është e paqartë se çfarë betejash do të zgjidhë Kryeministri Rama me ekspozitën e tij të ardhshme, e cila ndoshta është në shkelje flagrante të Ligjit mbi Arkivat, i cili parashikon ruajtjen e dokumenteve zyrtare në Arkivat Kombëtare të Shqipërisë.