Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha në një intervistë për gazetën “Koha Jonë”, ka thënë se Shqipëria ka dy opsione, por që të dyja e çojnë vendin drejt refuzimit.
“Rezervat për Shqipërinë janë të mëdha dhe çështjet kryesore kanë të bëjnë me krimin e organizuar, korrupsionin, pastrimin e parave, ngërçin e krijuar me reformën në drejtësi, mungesën e reformës zgjedhore si dhe numrin e lartë të azilkërkuesve”,-thotë Gjosha.
Nëse refugjatët janë kusht, deputetja e LSI-së i bën thirrje kreut të qeverisë, që të flasë dhe të tregojë se si ka qenë qëndrimi i Shqipërisë, nëse ka pasur një propozim të tillë.
Intervista:
Paçka lojës politike në vend dhe sherreve për BE, do të marrë Shqipëria një “Po” për çeljen e negociatave? Në bazë të kontakteve që keni, do të kemi një mbështetje pa kushte apo me kushte? Pse po diskutojnë ende shtetet, për ju ku ka rezerva?
Deri në këto momente, Shqipëria ka dy opsione për negociatat dhe të dyja fatkeqësisht të çojnë drejt refuzimit, pavarësisht propagandës politike që dëgjojmë nga qeveria. Unë do ju jap një shpjegim teknik të procesit edhe për hir të transparencës dhe nevojës për informim që kanë qytetarët. Versioni i parë është refuzimi i plotë i negociatave nëse Hollanda dhe Franca do t’i qëndrojnë vendimeve të tyre të deritanishme. Kjo do të thotë që Shqipëria do të nisë sërish raportimet e një pas njëshme mbi pesë prioritetet, dhe do të duhet të presë raportin e radhës të Komisionit Europian si dhe një diskutim nga Këshilli Europian për t’i dhënë një dritë jeshile. Këtu rrezikojmë një humbje të madhe kohore për arsye edhe të zgjedhjeve që kanë institucionet evropiane. Versioni i dytë? është shprehja e një vullneti pozitiv për çeljen e negociatave, por duke vendosur edhe kushte shtesë për Shqipërinë dhe pa pasur një datë konkrete për fillimin e bisedimeve, pasi kjo do të jetë në varësi të plotësimit të kritereve. Pra në asnjë rast nuk do të kemi nisjen e punës konkrete për çeljen e kapitujve dhe procesi do të bëhet i paparashikueshëm. Rezervat për Shqipërinë janë të mëdha dhe çështjet kryesore kanë të bëjnë me krimin e organizuar, korrupsionin, pastrimin e parave, ngërçin e krijuar me reformën në drejtësi, mungesën e reformës zgjedhore si dhe numrin e lartë të azilkërkuesve.
“Shqipëria mund të mbajë Angela Merkelin në pushtet”. A do të bëhet Shqipëria “kurban” si vend pritës i përkohshëm për azilkërkuesit që i drejtohen BE-së? Është ky kusht për vendimin e 28 qershorit për pritjen e 600 mijë refugjatëve, kur shqiptarët kanë kryesuar vendet e BE-së në kërkesat për azil?
Për këtë do duhet të përgjigjet Kryeministri, i cili ka për detyrë të bëjë transparencë ndaj qytetarëve shqiptarë për çdo vendim që prek sigurinë e tyre. Një vendim i tillë i pakonsultuar do të ishte i paimagjinueshëm në pasojat që mund të sjellë. BE nuk mund të marrë kurrsesi një vendim të tillë në arbitraritet. Kryeministri duhet të flasë nëse ka kryer bisedime dhe cili ka qenë qëndrimi i Shqipërisë.
Z.Basha, pohoi me bindje se Gjermania është për “JO” dhe se ka kushte shtesë. Një deklaratë e tillë nuk mund të bëhet pa një bazë të fortë, pasi kostoja politike do të ishte shkatërruese për PD. Keni biseduar me z.Basha lidhur me këtë?
Mendoj që z.Basha e njeh mjaft mirë procesin dhe ka qenë tejet i angazhuar që Shqipëria të ketë një dritë jeshile. Përgjegjësitë nuk janë të opozitës, është ekzekutivi ai që duhet të mbaj përgjegjësi.
LSI-ja është treguar e matur dhe ka kërkuar qëndrueshmëri politike. Kjo lidhet edhe me aksionet politike ku LSI-ja është parë disi e tërhequr, pasi në ballë ka dalë PD-ja. Kjo tërheqje e LSI-së, lidhet me ndonjë skenar pas 28 qershorit? Mund të krijojë një “Jo” e BE-së trazira në vend?
LSI-ja ka qënë tejet konstruktive, sepse kjo është kultura jonë e të bërit politikë. Kjo është sjellja që i takon një vendi që kërkon t’i bashkohet vlerave europiane. Përgjegjësia e “Jo” duhet të jetë shumë e madhe ndaj qytetarëve shqiptarë, dhe unë besoj se do të jenë vetë ata që do kërkojnë një alternativë në të cilën të ndërtojnë besimin e tyre për një të ardhme më të mirë. Një “Jo” për Shqipërinë, do të ishte fatale për rrugëtimin europian të Shqipërisë, sepse do duhej të prisnim një kohë shumë të gjatë deri në takimin e radhës të vendeve anëtare apo të konkluzioneve të mundshme që ato do të merrnin bazuar mbi gjithë setin e kushteve të reja tashmë që mund ti vendosen Shqipërisë.
Dy rrugë po shihen si bashkim me BE-në, njëra që cilësohet si “parim regatash” dhe tjetra me kushte. Maqedonia duket se rrugën e ka pa pengesa, por e njëjta gjë nuk thuhet për Shqipërinë. Cilën pikëpamje e shihni si realiste dhe në afër politikës rajonale?
Mendoj që vendimi për Shqipërinë dhe Maqedoninë nga pikëpamja gjeo-strategjike duhet të shkojnë bashkë. Pavarësisht po të vendoset mbi bazën e parimit të një procesi bazuar mbi meritë, Maqedonia patjetër që ka plotësuar kushtin e vetëm të negociatave. Megjithatë nëse do të kishte një ndarje në këtë vendim, Shqipëria do t’i bashkohej grupit të Kosovës dhe Bosnjës. Kjo do të ishte me të vërtet fatale për Shqipërinë, dhe do të na kthente shumë hapa pas në këtë proces.
“600 mijë fantazmat për të përmbysur qeverinë”,-tha Rama. Për PD, ai shtoi se janë gati t’i hedhin në fytyrë të tilla bomba tymuese e helmuese qytetarëve të këtij vendi. Si me armët kimike, dhe tani me refugjatët çfarë tregon qeveria?
Unë dëshiroj të falenderoj vendet anëtare dhe median e huaj për informimin që i kanë bërë qytetarëve shqiptarë mbi këtë çështje. Po të ishte për qeverinë, ndoshta edhe pasi të ishte ngritur qendra e emigrantëve nuk do të kishte denjuar të tregonte të vërtetën!
Mediat greke, shkruajnë se Marrëveshja e Detit është mbyllur dhe pritet firmosja, e cila mund të ndodh në 28 qershor. Në dijeninë tuaj, kur në vend nuk ka Gjykatë Kushtetuese, do ta firmosë Presidenti paktin Shqipëri-Greqi?
Para se të firmoset marrëveshja, qeveria do duhet të informojë publikun dhe institucionet mbi të, cili është pakti i arritur dhe çfarë përfiton Shqipëria. Mungesa e Gjykatës Kushtetuese do të thotë mos funksionim i shtetit. Jo vetëm për marrëveshjen me Greqinë, por për çdo vendim që mund të bjerë ndesh me Kushtetutën, rrezikshmëria e mungesës së kësaj Gjykate është shumë e lartë. Vendi ka hyrë në një spirale që minon edhe atë pak demokraci të brishtë që ka mbetur!