Kryemadhi nga SHBA: Rama e ka ditë të bukur çdo ditë të zezë për shqiptarët

E Enjte, 28 June 2018 18:16

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ishte e ftuar në një intervistë në studionin e “Zërit të Amerikës” në SHBA. Kryemadhi tha se mos hapja e negociatave është një ditë e zezë për të gjithë qytetarët shqiptarë. Sipas saj Rama e quan ditë të bardhë dhe të bukur çdo ditë të zezë të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Opozita nuk e shikon vendimin e së martës si një vendim pozitiv, por pse mendoni kështu, kur të paktën kësaj radhe ka një datë, gjithsesi me kushte që është qershori I 2019-ës?

Unë dua të di cila është data.

Qershori i 2019-ës.

Data, data fiks. Sepse nuk mund të thuash që është Qershori i 2019-ës, kur në qershor të vitit 2019, Europa është në një proces zgjedhjesh. Sepse në zgjedhjet europiane të ardhshme do të ketë realitete të tjera. Të mos harrojmë që nuk është më kjo Europë që jemi tani. Të mos harrojmë që nuk janë më këto kushte që jemi tani. Të mos harrojmë që kemi një Europë të frikësuar nga fluksi i jashtëzakonshëm i emigrantëve, të mos harrojmë që kemi një Europë të ndarë, të mos harrojmë që kemi një Europë pa Britaninë e Madhe, të mos harrojmë që kemi një realitet komplet tjetër. Të mos harrojmë që përveç 5 kushteve të tjera që i janë shtuar Shqipërisë, ne për kaq vite nuk plotësuam dot pesë kushte, ku ka pasur kjo qeveri një kompromis dhe një mbështetje të jashtëzakonshme edhe nga partitë e tjera, që kanë qenë pesë kushtet e reformës në drejtësi, jo vetëm që nuk i bëri pesë kushtet, por i shtoi edhe tetë kushte të tjera Shqipërisë.

Edi Rama tha se nuk janë kushte të reja, ka një datë për çelje negociatave, por jemi të kushtëzuar me vijimin e reformave për të cilat kemi shënuar progres?

Unë do t’ju kujtoja intervistën që ka dhënë Edi Rama në një televizion prestigjioz ndërkombëtar siç është Euronews, kur tha që hapja e negociatave në qershor të 2018-ës është jetë a vdekje. Dhe o të hapen o s’ka. Dhe ne sot jemi këtu dhe po flasim për një negociatë që nuk është hapur. Edi Rama është mësuar që të vendosi fatet e Shqipërisë në bast dhe si një bastexhi serial humbës, përsëri humbi dhe këtë radhë. Këtu nuk është problemi që ne duam të gjejmë se cilat janë arsyet. Këtu fajtori kryesor është Edi Rama, i cili ka kanalizuar gjithë zhvillimet dhe veprimtarinë e Shqipërisë në një rrugë të gabuar, në një rrugë që nuk ka fund dhe që nuk shikojmë dot një dritë jeshile. Dua të them që tetë kushtet e reja, nuk janë kushte të paditura për shqiptarët, sepse shqiptarët janë ata të cilët po e ndjekin hap pas hapi situatën. Janë shqiptarët ata të cilët po frikësohen çdo ditë e më shumë dhe janë shqiptarët të cilët do ti ndjejnë problemet e mos hapjes së negociatave. Mund të dëgjojmë fjalitë e kryeministrit që thotë kjo është një ditë e mirë, sepse ai gjithmonë ditën e keqe për shqiptarët e ka quajtur ditë të mirë për veten e tij. Dhe të mos harrojmë dhe një gjë tjetër, pika 53 e materialit që ka nxjerrë Këshilli i Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian është shumë e rëndë, e cila rrezikon liberalizimin e vizave të shqiptarëve.

Duhet ta shikojmë gotën gjysmë plotë apo gjysmë bosh?

Unë jam shumë dakord dhe gjithmonë e kam parë gotën gjysmë plot, asnjëherë nuk e kam parë gjysmë bosh, sepse jam kënaqur për aq sa Shqipëria ka marrë. Por në këtë rast, ne edhe atë gjysëm gote plot që kishim sot Edi Rama e ka derdhur. Çështja e korrupsionit, trafikut të drogës dhe krimit të organizuar për hir të së vërtetës nuk ka qenë e theksuar në Shqipëri dhe asnjëherë nuk e ka diskutuar Komiteti Ndërkombëtar për Shqipërinë, siç po diskutohet në këtë periudhë. Çështja e liberalizimit të vizave dhe azilkërkuesve shqiptarë asnjëherë nuk është diskutuar. Mbani mend në 2010-ën kur u liberalizuan vizat e Shqipërisë, dolën nga PS dhe thanë 1 milionë shqiptarë do të ikin dhe nuk ikën as 100 mijë shqiptarë si turistë në BE. Ndërsa sot, në 3-4 vite ne kemi mbi 400 mijë shqiptarë nga mosha 18-40 vjeç, të cilët janë larguar nga Shqipëria dhe kërkojnë të bëhen azilkërkues në vendet e BE.

Znj. Kryemadhi partia që ju drejtoni ka qenë në të paktën 10 vitet e fundit 8 vjet në qeverisje. Keni ju ndonjë përgjegjësi me situatën në të cilën ndodhet vendi sot?

Ne kemi një përgjegjësi shumë të madhe sepse me koalicionin që LSI bëri me PD në 2009, ju dha shqiptarëve lëvizjen e lirë në BE të vizave, pra në 2010 mandatet e LSI i dhanë shansin shqiptarëve që sot të lëvizin pa viza. Në 2013, i vetmi kusht që LSI bëri me PS ishte votimi i tre ligjeve që i hapnin rrugën Shqipërisë për të marrë statusin kandidat të BE. Dhe në 2016 Ministria e Integrimit që është drejtuar nga LSI ka qenë ministria e cila ka bërë punën më voluminoze për të ardhur deri në këtë pikë. Në momentin që ne ikëm nga Ministria e Integrimit, u larguam nga qeveria, sepse nuk mund të bashkëjetoje dhe nuk mund të bëheshe pjesë përbërëse e këtij rrugëtimi të frikshëm dhe të pisët që ka ndërtuar Edi Rama me krimin e organizuar në kurriz të shqiptarëve ishte e domosdoshme. Dhe sot çfarë kemi? Kemi një Ministri Integrimi e cila nuk ekziston. Ka përfunduar në një drejtori diku në skutat e Ministrisë së Jashtme dhe ndërkohë ne bërtasim dhe ngremë flamurin dhe e quajmë një ditë të mirë për shqiptarët mos hapjen dhe mospasjen e një date të qartë për negociatat. Mund të duam ta shikojmë për të krijuar një lloj stabiliteti. Për hir të stabilitetit ne kemi bërë kompromise të dëmshme që i kanë kushtuar të ardhmes së rinisë shqiptare.

Meqenëse përmendët procesin e liberalizimit të vizave apo ftesën për anëtarësim në NATO. Ju i kujtoni edhe akuzat e mazhorancës së asaj kohe bërë opozitës së asaj kohe që po bllokon procesin etj etj. Ndërkohë ka akuza nga kryeministri Edi Rama. Ka akuzuar opozitën për përpjekje për të bllokuar negociatat. Ka thënë që janë paguar media të huaja, janë kapur për krahu në mënyrë metaforike deputetë europianë duke dhënë informacione të pavërteta për Shqipërinë. A ka luajtur këtë rol opozita? Çfarë informacionesh ka dhënë atje? Mos ndoshta e ka ekzagjeruar situatën?

Unë mund të them që opozita në mënyrë unisone i ka dërguar letër komisionerit Hahn, eurodeputetëve të cilëve i kemi kërkuar hapje të negociatave edhe pa kushte. Edhe tek më skeptikët kemi kërkuar qoftë edhe duke vendosur disa kushte. Por vendosja e një date fikse dhe marrja e një vendimi për hapjen e negociatave të Shqipërisë nuk ka të bëjë as për t’i dhënë meritën Edi Ramës dhe as për ti dhënë meritë opozitës. Hapja e negociatave për Shqipërinë kishte të bënte drejtpërdrejt me shqiptarët sepse krijonte një shpresë për ta.  Dhe unë dua të them që njeriu më i lumtur sot për mos hapjen e negociatave është Edi Rama. Po të mbajmë mend para 8 muajve, Edi Rama nga Brukseli ka kërcënuar ose është shprehur hapur për lëvizjen apo drejtimin e Shqipërisë drejt realiteteve të tjera. Pra çfarë do të thotë që vetë Ramës nuk i intereson sepse hapja e negociatave çfarë do të thotë. Do të thotë rregulla për qeverisjen. Sot në parlament ai do të kalojë me procedurë të përshpejtuar ligjin ligjin për të dhënë pa garë, ligjin e konçensionëve për dhënien e pronave publike në favor të privatëve. Që është vjedhje e hapur, rrëmbim, grabitje që ai i bën pronës publike shqiptare. Pra ky njeri përveç se ka krijuar një lloj situate të pashpresë për shqiptarët, po kërkon dhe ekskludimin e çdo gjëje e cila ka një emër shqiptar. Pra ajo çka të bën përshtypje është reagimi i ketij njeriu. Ose ky nuk është normal ose është djalli vetë.

Znj. Kryemadhi unë po ju kujtoj një intervistë të komisionerit për zgjerimin Hahn, i cili duket shumë optimist, e lidh atë me progresin e arritur nga qeveria shqiptare dhe ai shkon edhe më tej thotë që ndoshta që në fund të këtij viti do të kemi një sinjal mjaft pozitiv për hapjen e negociatave. Ku e bazojnë ndërkombëtarët gjithë këtë entuziazëm?

Unë e shikoj më  shumë se entuziazëm, cover për të mbuluar atë realitet të hidhur sepse  ndërkombëtarët janë dhe ata pak shkaktarë të kësaj situatë situatë në Shqipëri. Vendosja e thjesht një tick-u në letrat e punës së tyre që u bë dhe kjo procedurë, u bë dhe kjo procedurë por pa i shkuar gjërave deri në fund ka sjellë këtë rezultat sot. Sepse për hir të së vërtetës 8 kushte të cilat na janë vendos sot, kushtet e krimit të organizuar të  trafikimit, të drogës, të azilkërkuesëve etj, opozita ka më shumë se një vit që i artikulon. Por në institucionet ndërkombëtare raportet kanë qenë jo të sakta. Pse e them këtë? E them këtë sepse edhe në vetë, klasa politike, dua të përsëris atë që kolegu ynë Luan Rama tha në parlament, që edhe ne jemi fajtorë. Pra, si të opozitës, si të mazhorancës, e gjithë klasa politike është fajtore për këtë situatë. Jemi fajtorë, sepse ndoshta dhe ne duhet kishim bërtitur pak më shumë. Nuk mund të vinim dhe të përfaqësoheshim vetëm në takime diplomatike dhe për ta ngritur problemin në mënyrë diplomatike. Ndoshta problemi dhe e ardhmja e fëmijëve të shqiptarëve nuk duhet ngritur si problem diplomatik. Duhet ngritur zëri dhe duhet klithur, siç klithin nënat për fëmijët e tyre. Dhe unë mendoj që sot më shumë se kurrë herë tjetër, gjithë ne politikanët kudo që jemi, dhe të gjitha ata shqiptarë që janë kudo në çdo institucion që punojnë jashtë Shqipërisë duhet të fillojmë dhe të ndërgjegjësohen për të krijuar një realitet tjetër për Shqipërinë. Unë mendoj që Shqipëria është në një rrezik shumë të madh, është në një rrezik asimilimi, është në një rrezik të identitetit të saj kombëtar dhe është në rrezik të sovranitetit të saj. Mendoj që sot më shumë se kurrë, kjo pikë, që për hir të së vërtetës, është një lajm jashtëzakonisht i rëndë për ne, kur në radhë të parë cenon më shumë shqiptarët se sa klasën politike, se klasën politike mos hapja e negociatave do ta bëj që të bëj shesh përshesh në Shqipëri, sepse nuk do të ketë më kush do ta mbikëqyri. Mendoj që është një moment që duhet të zgjojmë sado pak ndërgjegjen.

Modifikuar më E Enjte, 28 June 2018 19:13

Video

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...