Deputetja e PD-së, Albana Vokshi ka publikuar sot dokumentin, sipas të cilit në projektin për ndërtimin e teatrit të ri, parashikohet edhe ndërtimi i 6 kullave.
Në një deklaratë për mediat, deputetja demokrate tha se tre prej këtyre kullave do të ndërtohen brenda territorit të Teatrit.
Ndërkohë, Vokshi ka hedhur akuza ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliaj, se kanë mbajtur të fshehtë projektin për Teatrin dhe qëllimin e vërtetë që fshihet pas këtij projekti.
“Rama dhe Veliaj e kanë mbajtur të fshehtë deri më sot projektin e kompanisë së tyre private që do të shkatërrojë teatrin dhe do të ndërtojë 6 kulla në qendrën historike të qytetit. Rama dhe Veliaj gënjejnë publikisht kur thonë se territori i teatrit nuk do të preket asnjë centimetër. Kërkojnë të pastrojnë milionat duke kryer një krim, me shembjen e teatrit kombëtar. Nëpërmjet një ligji të jashtëzakonshëm që shkel shumë ligje të tjera, dhe Kushtetutën, kërkojnë ta miratojnë me urgjencë.
Tre kulla do ndërtohen brenda sipërfaqes së teatrit. Përfitimi minimal i llogaritur nga ekspertët është 205 mln euro. Rama i ka vënë tokës publike një çmimin prej 470 euro për metër katror, ndërkohë që çmimi në atë zonë është shumë herë më i lartë”, tha deputetja Vokshi.