Deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, e ftuar në studiot e Fax neës, ka deklaruar se opozita do të përdorë të gjitha format për të ndalur shembjen e teatrit dhe ndërtimin e kullave.
Sipas saj, reagimi i parë pritet të vijë nga Presidenti i republikës, ku shpreson që tu bashkohet thirrjes së qytetarëve për të mos lejuar shkatërrimin e teatrit.
‘Do t’i përdorim të gjitha format. Unë shpresoj që reagimi i parë të vijë nga institucioni i presidentit. Shpresoj shumë që presidenti bashkë me thirrjet që i kanë ardhur nga qytetarët, besoj edhe me peticionin që është nënshkruar tashmë nga mijëra qytetarë që i është drejtuar atij, Kryetarit të Parlamentit, kryeministrit si drejtues institucional të këtij vendi. Shpresoj që reagimi i parë të jetë nga institucioni i presidentit, pastaj të jeni të sigurt që do ndjekim të gjithë hapat. Pavarësisht se kemi një Gjykatë Kushtetuese pa kuorum do ta çojmë në gjykatë kushtetuese. Do shikojmë hapësirën për Gjykata Ndërkombëtare. Do shikojmë mundësinë për të sjellë për ndërkombëtarë vlerësues në Shqipëri. Dhe pa dyshim hapi i fundit do të jetë rezistenca fizike në Teatrin Kombëtar’, tha Mehmetaj.