Projektligji për Teatrin u miratua pas një seance maratonë në Kuvend, me 75 vota vetëm më mazhorancës, ndërsa opozita reagoi duke gjuajtur me kartonë kryeministrin Rama. Kryetari i Partisë Demokratike ka reaguar me anë të një statusi në profilin e tij në “Facebook”, ku shkruan se vendimi i sotëm në Parlament është antikombëtar.
Më tej, ai thekson se nuk do të lejohet në asnjë mënyrë prishja e teatrit, “duke e mbrojtur atë edhe me trupat tanë”. “Vendimi që sapo morën Edi Rama dhe banda e tij në Kuvend është antikombëtar, antihistorik dhe i turpshëm. Votimi tregoi se Rama me hajdutët e tij janë në unitet të plotë për të grabitur Shqipërinë. Ne do t’i tregojmë kësaj bande se pushteti është i popullit dhe jo i saj, duke mos lejuar në asnjë mënyrë prishjen e teatrit, duke e mbrojtur atë edhe me trupat tanë. Rama tani do të kuptojë se qytetarët e bashkuar janë më të fortë se hajdutët e bashkuar”, shkruan Basha.