Partia Demokratike ka vendosur që të mos jetë pjesë e nënkomisionit parlamentar, që do të mbikëqyrë zbatimin e ligjit për vettingun në polici.
Këtë vendim e ka bërë me dije ditën e sotme kreu i Grupit të PD-së, Edmond Spaho, përmes një letre drejtuar kryeparlamentarit, Gramoz Ruçit.
‘Sa kohë procesi i vettingun, drejtohet nga një Ministër i Brendshëm, i lidhur me krimin e organizuar dhe që nuk pranon që vetë të jetë subjekt i procesit të vettingut, opozita e konsideron këtë proces një farsë të papranueshme, ku nuk mund të bëhet pjesë’, - thotë kreu i deputetëve demokratë, Edmond Spaho.
Partia Demokratike e quan të papranueshme që një punonjës i thjeshtë i Policisë së Shtetit, të konsiderohet me ligj si i papërshtatshëm me detyrën për shkak se një kushëri i tij është i dënuar më parë, ndërkohë që drejtuesi politik, Ministri i Brendshëm, e ka vëllanë të dënuar dhe në burg për trafik ndërkombëtar droge dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.