Deputeti i Partisë Demokratike Klevis Balliu, i ftuar në “Ora News” ka hedhur dritë mbi aksionin e opozitës me nisjen e sesionit të ri parlamentar. Balliu tha se opozita do të nisë aksionin e rrëzimit të Ramës dhe kjo vetëm për të shpëtuar shqiptarët nga rënimi ku qeveria e ka çuar vendin.
Pjesë nga intervista dhënë për “Ora News”:
Duket se pushimet verore nuk kanë sjellë pushim për politikën. Çfarë do të ndodhë në vazhdim?
Rreth shtatorit do të ketë një aksion të fuqishëm, ballor, të opozitës kundrejt qeverisë, për arsye të shumta që i dimë, teatrin, korrupsionin, dështimet në ekonomi. Mjafton të shohim se si zona turistike sot janë bosh. Sot nuk ka turistë, sot nuk ka shqiptarë që të shijojnë pushimet për shkak të varfërisë.
Si do të vijojë aksioni opozitar?
Do të vijojë kjo kauzë. Ky nuk është problem i opozitës. Bashkëpunimi i qeverisë me krimin është baza e kësaj situatë të korrupsionit. Marrim teatrin. Rama kërkon të pastrojë paratë e drogës.
Çfarë do të ndodhë me teatrin?
Duhet të qartësojmë një gjë, që problemi kryesor është korrupsioni galopant që po bëhet me teatrin. Çdo shqiptar e ndjen dëmin që vjen nëse shkatërrohet teatrit. Këtu problemi kryesor është korrupsioni. Sot po bëhet kurban çdo shqiptar, kemi rritje të taksave për biznesin e vogël, por kur bëhet fjalë për lojërat e fatit i ulim taksat.
Presidenti Meta e ktheu mbrapsht ligjin. Mazhoranca i ka votat për ta rivotuar, a do tentojë opozita ta ndalojë miratimin e ligjit?
Absolutisht që po. Ne do t’i shkojmë kësaj beteje deri ën fund. Po i jepet 8 mijë metra katrorë një kompanie që ka vetëm 180 m2 pronë. Kjo mazhorancë po funksionon me kodin e mafies. Edhe deputetë të Parisë Socialiste nuk e dinë se çfarë marrëveshje ka bërë Rama me firmën ndërtuese.
Ministri Ahmetaj deklaroi pak ditë më parë se do të ketë tërheqje nga dhënia e koncesioneve ...
Kjo është një mazhorancë që ka ardhur në 2013-ën me një premtim të shëndetësisë falas dhe sot është ndryshe. Sot kemi një ministër që kërkon ndjesë dhe thotë s’do i bëjmë më koncesionet. Individë që janë pasuruar me shpatullat e shqiptarëve do të mbajnë përgjegjësi. Kur PD të vijë në pushtet, këto koncesione të korruptuara do të kthehen mbrapsht. Edhe personat që kanë vendosur firmat mbi këto afera do të mbajnë përgjegjësi.