Nuk ka kurrfaqë dyshimi se tashmë kemi një kryeministër të sëmurë nga mania për të qenë i pranishëm sa më shumë në ekrane të televizioneve apo në rrjete sociale. Kjo është e vetmja punë që Rama di të bëjë. Ai do të hyjë në histori si kryeministri më dembel që kurrë nuk ka ushtruar detyrën për të cilën e ngarkon kushtetuta, por gjithashtu ka bërë histori si një kryeministër aktor propagande. Vetëm para disa javësh vumë në dukje maninë për të qenë i pranishëm në media edhe në gjërat më të kota siç mund të jetë ngrënia e një dreke. Disa të tilla i transmetuan drejtpërdrejt (kushedi sa kushtojnë). Askush nuk mban mend ndonjë gjë për të qenë nga këto drekat e Ramës. Askush nuk sheh sa shpejt e me çfarë mënyrë e ha mishin Rama, sepse qëllimi i vetëm është që i papuni më i madh i Shqipërisë të duket sikur po punon. Ironizuam javë më parë se Ramës tashmë i ka ngelur vetëm të filmohet në banjë (wc), mbase jo vetëm për gjërat për të cilat funksionojnë ato. Por Rama nuk mund të linte pa e ndarë me popullin edhe qethjen e tij. Ndonëse nuk kishte fort qime për të qethur, ai pëlqeu ta bënte këtë në Dhërmi. Atje doli se ishte një djalë nga Fieri, i cili punonte gjatë verës.
I gjendur atje për të pushuar, Rama nuk mund të mos bënte propagandë as me veprimet më të parëndësishme fiziologjike. Të njëjtën ditë që populli po shijonte një lajm nga Surreli se një njeri vetëm me atlete po shëtiste lakuriq nëpër katund, Rama nxitoi të xhirohej te berberi se po rruhej. Cili ishte mesazhi që përçonte te publiku askush nuk mësoi gjë, por pa se Rama shkoka edhe te berberi. I gjori berber i ri, kishte harruar të mbante shënim fjalët e udhëheqësit.
Dikur media kineze bënte not në një moshë të shkuar, duke u mbajtur nga disa truproja me palombarë. E gjithë propaganda kineze shkruante se kryetari i madh ishte mirë dhe se perëndimorët shpifnin për shëndetin e tij. Nuk kaluan shumë ditë dhe kryetari i madh Mao vdiq. Shëndeti dhe puna nuk tregohen me propagandë.