Cicërima e Ministrit Bushati në twitter, ku njoftoi pranimin e 20 emigrantëve nga Eritrea, tingëllon si kuja mortore e një korbi. Është në fakt një lajm sa komik po aq edhe tragjik. Tek ky vendim lexohet një kapitullim i qeverisë para integrimit evropian. Nuk ka më ç’ti shesë Europës ngase jo vetëm që s’ka plotësuar kriteret, por kjo qeveri personifikon përmes korrupsionit dhe drogës tërë atë çka nuk është evropiane.
Jo më kot Rama vrapoi me deklaratën e tij për tu vetëshpallur europianmadh, ndërsa ajkat e Europës, si vet Italia na qenkan anti-europiane me embargon që i ka venë zbarkimit të emigrantëve në brigjet e saj. Kështu pra, Kryeministri i emigrantëve, ku aktualisht shqiptarët rreshtohen të dytët pas sirianëve në qendrat e azilantëve të Europës, nxjerr Shqipërinë vullnetare përballë një krize që s’po kapërdihet as nga vendet më të zhvilluara të Europës.
Duke ja zhveshur sinqeritetin dhe filantropizmin këtij vendimi, Rama nuk po bën nder, s’po tregohet europianmadh, por i demaskuar tanimë si kryeskafisti i Ballkanit, synon të gënjej ndokënd në qeverinë kontroverse italiane për të qetësuar ujërat e trazuar të Adriatikut nga narko-trafiku. Me pak fjalë, kërkon të zbusë aktivitetin anti-drogë të Italisë, e cila duhet thënë qëndron pas çdo denoncimi e zbulimi që është bërë në politikën shqiptare për trafikantët e taborit qeveritar. Prandaj, tek kriza e emigrantë, Rama po gjen një pazar për të shitur drogën e tij e për t’i dhënë liriveprimi nëpër Itali ndonjë Habilaj e ndonjë Sajmir.