Debati për Teatrin e ri kombëtar do të rikthehet sërish të hënën në parlament.
Monika Kryemadhi paralajmëroi kryeministrin Rama dhe klientët e tij se në rast se mendojnë se tjetërsimin e pronës publike e kanë si një histori të mbyllur, i kanë bërë llogaritë shumë gabim.
Kryemadhi: 30 vjet më parë shqiptarët ishin skllevër të një grupi njerëzish që sot janë kthyer në të ashtuquajtur PPP, të cilat kanë ndryshuar vetëm pamjen, por në thelb është blloku i famshëm i byrosë politike të Partisë së Punës.
Konçesionet e famshme të Edi Ramës nuk janë gjë tjetër vetëm pirja e pikës së fundit të gjakut nga fantazmat e së kaluarës. Kapakun po ia vë tjetërsimi i Teatrit Kombëtar, ku marrja e pronës së shqiptarëve, marrja e kulturës dhe tjetërsimi i saj në pronë të oligarkëve dhe kupolës së krimit është kulmi i çdo marrëzie.
Nëse Edi Rama dhe klientët e tij mendojnë se tjetërsimin e pronës publike e kanë si një histori të mbyllur, i kanë bërë llogaritë shumë gabim. Nuk kanë parë asgjë dhe skanë parë akoma dhe as nuk e kanë menduar akoma se çdo të shikojnë dhe me çfarë do të përballen. Prandaj të jenë shumë të kujdesshëm sepse shqiptarët nuk kanë për të falur as Edi Ramën, as fantazmat e së kaluarës dhe as krimin e organizuar të sotshëm.
Sot LSI, por jam e bindur që jo vetëm LSI por të gjithë shqiptarët kanë 2 rrugë; ose te dorëzohen pa kushte, ku çdo gjë merr fund ose luftë frontale pa kompromis përballë krimit dhe kriminelëve, të cilët janë kthyer në funksion të një grupi njerëzish që kanë uzurpuar dhe kanë tjetërsuar pronën e shqiptarëve dhe xhepat e tyre.
Dhe kjo luftë nuk është më as për beteja politike, nuk është më as për vende në parlament por kjo luftë është në emër të atyre vlerave, të atyre mijëra e mijëra shqiptarëve, të cilët kanë sakrifikuar për të ndërtuar këtë vend ku jemi ne sot. Por mbi të gjitha është në emër të atyre të rinjve dhe të rejave të cilët aspirojnë, besojnë dhe shpresojnë se një ditë ky vend do të bëhet.