Opozita e bashkuar do të niset nesër në drejtim të qytetit të Durrësit duke bojkotuar Parlamentin në seancën e tretë që do të mbahet nesër. Opozita ka vendosur në krye të agjendës qytetarët të cilët janë në presionin e fortë të një pushteti kriminal. Qyteti i Durrësit prej vitesh është përfshirë nga lufta e bandave rivale.
Kryetari i PD Basha ka shpallur një aksion radikal politik të opozitës për të çliruar qeverinë nga krimi.
Basha nisi nga Shkodra mobilizimin e strukturave të Partisë Demokratike për t’iu përgjigjur sfidës jetike të vendit, çlirimit të qeverisë nga krimi.
Në takimin me kryesinë e degës së Shkodrës Basha kërkoi që përfaqësuesit e PD të përdorin avantazhin kryesor të opozitës për të mobilizuar njerëzit-frikën që krimi ka nga Partia Demokratike, e cila ka treguar me vepra tolerancën zero ndaj krimit sa herë ka drejtuar vendin.
E njëjta lëvizje u bë edhe në javën që lamë pas. Elbasani ishte qyteti ku u ndal opozita, një qytet i cili shpesh herë është bërë pjesë e kronikave të zeza me lajme deri në kërcënime të vetë institucioneve nga ana e bandave rivale.