Zëri i Amerikës: Çështja 'Shullazi' trazon Krimet e Rënda

Premte, 21 September 2018 13:50

Procesi gjyqësor ndaj Emiljano Shullazit dhe tre personave të tjerë të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal ka shkaktuar kaos në Prokuorinë për Krimet e Rënda. Shkak është bërë fakti që prokurori i çështjes Eneid Nakuçi, ka marrë një leje të gjatë “për arsye shëndetësore”. Zëvendësimi i tij ka trazuar Prokurorinë, pasi drejtuesja Donika Prela ka thirrur dy ditë më pare, 10 prokurorë duke kërkuar hedhjen e shortit për caktimin e atij që do të përfaqësojë akuzën në Gjykatë. Prokurorët e kanë cilësuar të paligjshme një procedurë të tillë dhe e kanë refuzuar atë.

Vendimi tyre u pasua me kërkesën e djeshme të Prokurores së Përgjithshme Arta Marku për nisjen e një hetimi disiplinor ndaj të gjithë grupit të prokurorëve, ndërsa tre prej tyre janë transferuar në Prokurori më të ulta. Kështu, Olsian Çela ka kaluar përkohësisht në Prokurorinë e Beratit, Sonila Muhametaj në atë të Pukës ndërsa Besim Hajdarmataj në Prokurorinë e Pogradecit. Hajdarmataj deri para disa kohësh ishte drejtues i Prokurorisë për Krimet e Rënda dhe pjesë e grupit që po heton ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Situata është shoqëruar dje me tensione në mjediset e Prokurorisë, mes grupit të prokurorëve që refuzuan shortin, dhe drejtueses Donika Prela.

Sot Prokuroria e për Krimet e Rënda njoftoi se është caktuar tashmë grupi që do përfaqësojë akuzën në procesin gjyqësor ndaj Shullazit dhe bashkëpunëtorëve të tij, por se emrat do të bëhen të ditur në seancë. Mësohet se mes prokurorëve do të jetë dhe vetë drejtuesja Prela.

Ndërkohë një nga drejtuesit e Prokurorisë së Përgjithshme Sokoj Stojani, është liruar nga detyra. Prokuroria e Përgjithshme, përgënjeshtroi zërat se vendimi ndaj Stojanit lidhej me refuzimin e tij për të zhvillluar hetimin disiplinor ndaj 10 kolegëve të Krimeve të Rënda, duke saktësuar se lirimi i tij është bërë dy ditë më parë, në të njejtën ditë në fakt kur ka ndodhur dhe përplasja në Prokurorinë e Krimeve të Rënda./VOA

Modifikuar më Premte, 21 September 2018 14:16
Login to post comments